Gratë në Kosovë zotërojnë vetëm 15 për qind të pronave, krahasuar me 74 për qind që zotërohen nga burrat. Pjesa e mbetur e pronave prej 11 për qind është në pronësi të personave/subjekteve juridike.
Kështu thuhet në raportin “Në kërkim të barazisë financiare: Qasja në financa për bizneset në pronësi të grave dhe të pakicave etnike”, të publikuar nga Instituti GAP të enjten e të mbështetur nga USAID Kosovo.
“Gjetjet shpërfaqin një mungesë shqetësuese të përfaqësimit të grave si pronare biznesi në tregun financiar, duke treguar nevojën urgjente për ndërhyrje të synuara (siç janë masat afirmative) për të adresuar këto dallime”, thuhet në njoftimin e GAP-it.
Sipas raportit, rreth 16 për qind e numrit gjithsej të llogarive bankare të biznesit në Kosovë janë në pronësi të grave, 82 për qind janë në pronësi të burrave dhe 2 për qind janë të regjistruar në bashkëpronësi.
“Bizneset në pronësi të grave në Kosovë kanë 2.4 herë më pak hua sesa ato në pronësi të burrave, ku niveli i borxhit aktiv për bizneset në pronësi të grave është 642.6 milionë euro, ndërsa për burrat është 1.6 miliardë euro”.
Tutje bëhet e ditur se bizneset në pronësi të grave zotërojnë vetëm 111.9 milionë euro depozita krahasuar me bizneset në pronësi të burrave që zotërojnë 1.58 miliardë euro.
“Në gjashtë vitet e fundit (2016-2022), Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka ndihmuar me ofrimin e garancisë për 12,653 hua, nga të cilat 1,725 (14 për qind) janë për biznese në pronësi të grave”, thuhet në raport.
Instituti GAP iu ka rekomanduar politikëbërësve, institucioneve financiare dhe palëve të tjera të interesuara të promovojnë edukimin financiar dhe përfshirjen për gratë, duke ofruar financim të synuar dhe programe investimi, si dhe duke krijuar mundësi për mentorim dhe rrjet-formim. /Telegrafi/