Hoti: Kurti po shkon drejt mbylljes së mandatit pa projekte të mëdha

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë për emisionin Euro n’7 me Menduh Abazin ka thënë se Qeveritë e kaluara, dikush më shumë e dikush më pak, e kanë vendosur një themel me investime, por Qeveria Kurti nuk ia ka lënë shenjë.

Hoti ka thënë se Kurti po shkon drejt mbylljes së mandatit pa projekte të mëdha, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare e pa njohje.

“Asnjë investim kapital që do ta ndërronte strukturën ekonomike, Kosova e ka ndërruar strukturën ekonomike më herët duke investuar në autostrada, rrugë regjionale, ndërtimin e shkollave, qendrave të mjekësisë familjare e hekurudha. Çdo qeveri e deritanishme, pra deri te ardhja e kësaj qeverie aktuale e ka vendosur një themel dikush më shumë e dikush më pak, këta shejë nuk ja kanë lënë, mbaron mandati katër vjeçar pa investime kapitale pa projekte të mëdha, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare pa njohje të reja veç me telashe e izolim”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Sipas ish kryeministrit Hoti, menaxhimi i dobët i dialogut, qasja ndaj opozitës dhe ndaj partnerëve, ka ndikuar në izolimin e vendit dhe rënie e investimeve të huaja direkte duke përfshirë edhe ato nga diaspora. Sipas tij kjo qasje ka ndikuar edhe në prishjen e imazhit të vendit.

“Me këtë qeveri me këta njerëz imazhi i vendit nuk rregullohet dhe kjo padyshim që shkakton edhe mungesë të investimeve të huaja. Vit pas viti buxheti në Kuvendin e Kosovës vjen i pandryshuar dhe kjo tregon qasjen e tyre për zhvillimin ekomik dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Kur dalin nga kryeministri e poshtë dhe krenohen me rritje të remitencave, rritje të skemave sociale sado të rëndësishme që janë ato tregon se kjo qeveri nuk e ka sensin e zhvillimit ekonomik. Ekonomia zhvillohet duke pasur investime të huaja dhe duke pasur politika zhvillimore dhe në të gjitha do t’ua kishim pranuar e duar trokitur ato por nuk janë asnjë njëra as tjetra”, ka shtuar Hoti./Express/