Korrik 2023: Konsumi i energjisë u rrit për 10,75%, hidrocentralet prodhuan 58% më shumë rrymë

Fotografi ilustruese

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për statistikat e energjisë për muajin korrik.

Gjatë muajit korrik të vitit 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 520.26 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 405.2 GWh, ose 10. 8 për qind më shumë krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak korrik 2022.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për “Statistikat e Energjisë” për muajin korrik 2023, pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 11.7 për qind.

Në këtë raport thuhet po ashtu se ka më pak thëngjill të prodhuar në korrik 2023 sesa në korrik 2022, përcjell Kosovo.Energy.

“Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 4.43 mijë ton, ose 30,6% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

Prodhimi i rrymës nga qymyri, era dhe dielli shënojnë rënie, hidrocentralet prodhuan 58% më shumë

Statistikat e publikuara theksojnë se në korrik 2023 termocentralet me qymyr, burimet solare dhe ato të erës prodhuan më pak rrymë, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit paraprak.

MWh Korrik 2022 Korrik 2023 Krahasimi
Prodhimi bruto: Termocentralet 468629 43724 -8,09%
Prodhimi bruto: Hidrocentralet 15415 24360 +58,03%
Prodhimi bruto: Era, Solare 24733 23185 -6,26%
Importi 343718 268050 -22,01%
Eksporti 364976 226059 -38,06%

Më saktësisht, këtë korrik prodhimi bruto nga burimet e erës dhe ato solare shënoi rënie për 6,26%, ndërsa termocentralet me qymyr prodhuan 8,09% më pak rrymë, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, përcjell Kosovo.Energy.

Por, hidrocentralet prodhuan dukshëm më shumë rrymë. Këtë korrik ato prodhuan 58,03% më shumë rrymë se në korrikun e vitit të kaluar.

Rënie shënuan importi dhe eksporti i rrymës

Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në Korrik të vitit 2023 ishte 268.05 GWh kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 226.06 GWh.

Kësisoji, të dhënat e publikuara nga ASK për muajin korrik 2023 theksojnë se importet kanë rënë për 22,01% ndërsa eksportet për 38,06%, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2022.

/Kosovo.Energy