Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka publikuar sot statistikat e fundit që ka publikuar Komisioni Evropian në raportin për Kosovën sa i përket varfërisë dhe skamjes në vendin tonë gjatë vitit të fundit.
Sipas raportit të Komisionit Evropian, rreth 18% e popullsisë së Kosovës jeton nën pragun e varfërisë me 45 euro në muaj.
Nëpërmjet një videoje ilustruese, kreu i PDK-së e ka cilësuar këtë statistikë si alarmuese ndërsa qeverisjen aktuale si përgjegjëse për këtë gjendje e ka cilësuar si regres.
Ekonomia joformale, korrupsioni, sfidat e sektorit privat e sundimi i dobët i ligjit, janë disa nga pikat kyçe me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare. Kështu u tha në “Raportin e Progresit” për Kosovën të publikuar nga Komisioni Evropian në fillim të muajit.
Në këtë raport thuhet se rimëkëmbja ekonomike e Kosovës u ngadalësua ndjeshëm gjatë vitit 2022 dhe arsye për këtë sipas raportit, kanë qenë zvogëlimi i investimeve dhe ngadalësimi i rritjes së konsumit të familjeve si pasojë e inflacionit të lartë.