Migrimi dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar, sfidë për bizneset

Në Prishtinë po mbahet Forumi Ekonomik Vjetor, i cili në fokus ka ndërtimin e një modeli të ri për rritjen ekonomike, dinamikat e tregut të punës, e sfidat e tashme dhe të ardhshme në këtë fushe.

Me këtë rast, Elene Imnadze, zyrtare e lartë e operacioneve në Bankën Botërore, tha se Kosova ka pasur progres sa i përket zhvillimit ekonomik që nga shpallja e pavarësisë.

Megjithatë ajo u shpreh se vendi vazhdon të përballet me disa sfida si: Migrimi i qytetarëve; mungesa e punëtorëve; dhe numri i ulët i grave aktive në tregun e punës.

Reklama e sponzorizuar

Njëjtë u shpreh edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani i cili prezantoi të dhënat e raportit “Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike”.

“Për dy-tre mujorët e parë të këtij viti rritja ekonomike ka ngadalësim, ndërsa pritjet janë që nuk do të ketë ndonjë ndryshim substancial edhe për muajt e ardhshëm e vitin vijues. Kemi pasur mbështetje të tepruar në faktorët e jashtëm dhe lënie pas dore e politikave në fuqizim të ofertës vendore konkurruese në tregun e brendshëm dhe atë të eksporteve. Ndërsa, edhe pse buxheti ka shënuar rritje vit pas viti, problematike mbetet struktura e pavolitshme e buxhetit. Buxheti është në dëm të investimeve  kapitale”, shtoi ai.

Tutje Hashani tha se bizneset po ashtu nuk janë të kënaqura me përpjekjet e institucioneve në funksion të përmirësimit të ambientit biznesor.

“Krahas problemeve që lidhen me migrimin janë edhe një varg të barrierave tjera si: Madhësia e tregut, ngarkesat dhe pengesat administrative, furnizimi me energji e inkasimi i borxheve. Pastaj punësimi në raport me popullsinë totale nuk ka shënuar ndonjë rritje të madhe. Problematike mbetet papunësia te të rinjtë dhe gratë. Po ashtu edhe papunësia në nivele të gjata kohore është shqetësuese. Por ka biznese që po përballen me mungesë të punëtorëve”, deklaroi ai.

Hashani: Rreth 33% e punëtorëve do të emigrojnë gjatë viti 2024

Rreth një mijë biznese të anketuara nga Instituti Riinvest në Kosovë, kanë raportuar se 17.59 për qind e punonjësve të tyre i kanë njoftuar se do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm.

Kështu të paktën u tha nga drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Alban Hashani, i cili u shpreh se Kosova prinë në krahasim me vendet e rajonit sa i përket emigrimit.

Ai tha se numri më i madh i kosovarëve që largohen nga vendi punojnë në ndërtimtari.

“Sektori i ndërtimit në Kosovë është më i prekuri sa i përket largimit të punëtorëve. Vlerësimet janë që 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm. Për të frenuar këtë trend, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Mbi një e treta e bizneseve raportojnë se do të vijojnë me rritjen e pagave, përderisa 24.5 për qind e tyre planifikojnë të përmirësojnë kushtet e punës”, shtoi ai.

Hashani tha se rekomandimi i tyre është qe të bëhet rishikimi i politikave ekzistuese ekonomike dhe politikave buxhetore në favor të investimeve kapitale.