Kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lpenec” dhe asamblisti i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Jugut, Faruk Mujka, i cili ishte arrestuar në korrik të këtij viti, nën dyshimin për korrupsion, derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, merr pagë vjetore bruto prej afro 40 mijë eurosh për dy pozitat zyrtare që i mban.
Por bazuar në interpretimin ligjor nga Agjencia Kundër Korrupsionit, zyrtarit të partisë në pushtet megjithëqë i lejohet t’i ushtrojë dy pozitat, nuk ka të drejtë edhe për shpërblimin me pagesë, përveç kompensimit për shpenzime udhëtimi dhe të tjera të ndërlidhura, raporton Koha.
Mbi 3 mijë euro pagë mujore bruto i mundësohet t’i marrë zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujka, për dy pozitat zyrtare që i mban, ani se kjo nuk lejohet me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Për pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, në të cilën u emërua në dhjetorin e shkuar, Mujka, bazuar në të dhënat që kjo ndërmarrje ia përcolli Kohës, u pagua nga 2.500 deri në 3.000 euro në muaj. E për atë të asamblistit në Kuvendin Komunal në Mitrovicën Jugore, sipas Thesarit të Shtetit, në kuadër të Ministrisë së Financave, nga 609 euro.
Në një interpretim ligjor për rastin, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit thanë se Mujkës nuk i ndalohet ushtrimi i dy funksioneve, porse Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit parasheh kufizime në paga për dy pozita.
“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike, si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç së drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë.
Sipas nenit 23 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, asamblistët komunalë kanë të drejtë vetëm në shtesa, po qe se marrin edhe një tjetër pagë nga buxheti.
Në Komunën e Mitrovicës thanë se që nga hyrja në fuqi e ligjit, Mujka merr pagë me koeficient 5.8, teksa theksuan që i kanë informuar asamblistët që të përcaktohen për njërën pagë.
“I kemi njoftuar se bazuar në dispozitat ligjore të cekura më lart, anëtarët e Kuvendit Komunal të cilët marrin pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës kanë mundësinë të përcaktohet në njërën nga opsionet që parasheh neni 23, paragrafët 4 dhe 5 i Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, dhe se anëtarët e Kuvendit Komunal, që marrin një pagë të rregullt nga buxheti i Kosovës, përfitojnë vetëm shtesën, sipas paragrafit 4. të këtij neni”, thuhet në një përgjigje të Sekretarisë së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut.
Mujka ishte arrestuar në korrik të 2023’ës, nën dyshimin për korrupsion, derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës. Gjykata Themelore e Prishtinës kishte vendosur që Faruk Mujka të mbrohet në liri.
Kujtojmë se, Mujka ishte nënkryetar i Mitrovicës, në kohën sa kjo komunë udhëhiqej nga Kryetari Agim Bahtiri. Mujka njëherësh ishte edhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.