Shitjet e makinave në BE në tetor u rritën me 14.6%

Shitjet e makinave elektrike regjistrojnë rritje më shumë se 36%

Shitjet e makinave të reja në Bashkimin Europian u rritën me 14.6% në muajin tetor, falë edhe rritjes së fortë të shitjeve të makinave tërësisht elektrike, ndërsa automjetet hibride elektrike përfaqësojnë thuajse tre në dhjetë makina të shitura në BE.

Shitjet e makinave tërësisht elektrike u rritën me 36.3% krahasuar me një vit më parë, kurse shitjet e makinave tërësisht hibride u rritën thuajse me 39%, duke regjistruar muajin e 15-të me radhë të rritjes së shitjeve në BE – deklaroi të martën Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA).

ACEA deklaroi se makinat tërësisht elektrike përfaqësojnë 14.2% të shitjeve në tetor, duke kaluar për herë të tretë shitjet e makinave me naftë.

Reklama e sponzorizuar

Në vitin 2015, makinat me naftë përfaqësonin më shumë se 50% të makinave të shitura në BE, por në tetor përfaqësojnë vetëm 12% të shitjeve.

Në dhjetë muaj deri në tetor, shitjet e makinave tërësisht elektrike u rritën me 53.1%. Sipas ACEA, makinat elektrike – modelet tërësisht elektrike, hibride plug-in ose tërësisht hibride përfaqësojnë më shumë se 47% të të gjithë shitjeve të automjeteve të reja në BE, nga janari në tetor 2023, krahasuar me 42% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Disa shtëpi automobilistike, analistë dhe koncesionarë janë të shqetësuar se shitjet e makinave elektrike do të arrijnë pikun pas disa vitesh rritje, pasi konsumatorët presin daljen në treg të modeleve më ekonomike.

Shitjet e Volkswagen, shtëpia më e madhe automobilistike në Europë, u rritën me 9.9% në tetor, ndërsa shitjet e Stellantis dhe Renault u rritën përkatësisht me 11.3% dhe 24.3%.

Shitjet e Tesla u rritën thuajse 150% dhe përfaqësojnë rreth 12% të shitjeve të makinave tërësisht elektrike në Bashkimin Europian.

Reuters