Skandali ka ndodhur: “Listëzezi” i shpërblyer nga minitsria e Liburn Aliut

Pas sanksionimit nga SHBA-të, realisht pritej shkarkimi i plotë i Nexhat Krasniqit, veprimi më i paktë që mund të bëhej pa humbur kohë, por ministria e Liburn Aliut e shpërbleu ‘listëzezin”, personin që i është ndaluar hyrja në SHBA, me pozicion më të fuqishëm. Pas botimit të informacionit në mediet e vendit, duhet shpejtë për të shpërfaqë qëndrimin e tij, Albin Kurti. Dhe, prapë skandali ka ndodhur.

Buletini Ekonomik

Informacioni i shpërfaqur në disa medie të Kosovës të mërkurën (më 23 nëntor 2023), se “ministria e Liburn Aliut shpërblen me pozitë të re të sanksionuarin nga SHBA për korrupsion të madh” është tronditës, shqetësues dhe skandaloz për publikun kosovar dhe përtej.

Reklama e sponzorizuar

S’ka ku të shkojë përtej skandalit të krijuar se sa që “Nexhat Krasniqi do të vazhdojë të jetë drejtor në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, edhe pse i njëjti (i dënuar dhe defilues në shumë raste i proceseve gjyqësore) është etiketuar dhe sanksionuar ditë më parë edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, që e ka vendosur në listën e sanksioneve “për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh (lexo në listën e zezë, në listën ku ndodhen emrat e keqbërësve alla Vulin, e të tjerë keqpërdorues ordiner dhe me “vulë në ballë” dhe i evidencuar si i tillë nga SHBA-ja).

Pas sanksionimit nga SHBA-të, realisht pritej shkarkimi i tij i plotë, veprimi më i paktë që mund të bëhej pa humbur kohë, por ministria në krye të të cilës gjendet që nga fillimi i punës së kësaj qeverie, Liburn Aliu, e shpërbleu ‘listëzezin”, personin që i është ndaluar hyrja në SHBA, me pozicion të ri brenda kësaj ministrie.

Nexhat Krasniqi, pra, do të vazhdojë të jetë drejtor në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, sepse Ministria e Liburn Aliut, me një vendim të datës 15 nëntor, është pajtuar që i njëjti të avancohet në pozitë dhe të caktohet në pozitën “përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore”.

Dhe ky avancim i “listëzezit” nuk është ndonjë lajthim informativ, as shmangie nga e vërteta. Është tërësisht i vërtetë:

“Nexhat Krasniqi, i pezulluar me Vendimin nr.8434 të datës 03.11.2023, nga pozita Drejtor i Devizionit të Prokurimit të cilën e mban sipas Aktemërimit, caktohet përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Para marrjes së kësaj pozite, Krasniqi e ka drejtuar për një kohë të gjatë prokurimin në ministrinë me më së shumti tenderë në Kosovë, atë të Infrastrukturës, ministri kjo e drejtuar nga Liburn Aliu. Ndërsa, Departamenti Amerikan i Shtetit, siç dihet, e kishte vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh, sigurisht edhe gjatë kryerjes së punëve në pozitat të cilat ai i ka mbajtur në këtë ministri.

Ndërkohë që dihet botërisht se SHBA, Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk sanksionon “kot së koti” askënd në botë. Nuk e ka futur në “listën e zezë” as Krasniqin pa ndonjë arsye dhe pa pasur alibi të pakontestueshme.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftimin për “listëzezin’ – Nexhat Krasniqin, me rastin e sanksionimit të tij.

Sipas DASH-it, veprimet e SHBA-së për ta futur në “listën e zezë” Krasniqin, dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publik.

“Ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”, u tha në vendimin e DASH-it.

Ndërsa, për autoritetet aktuale qeveritare të Kosovës, për Liburn Aliun, më saktësisht, po del mos të ketë fare rëndësi riafirmimi i përkushtimit amerikan për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike të Republikës sonë. Përkundrazi, vendimi i ministrisë së Liburn Aliut, sikur flet se në këtë mjedis institucional të shtetit të Kosovës, sikur po ngulmohet për ta mbrojtur një person të korruptuar, me plot dëshmi bindëse për veprimet korruptive të tij.

Njerëzit normal të këtij vendi, në bisedat ndërmjet tyre, nuk kanë ngurruar të pyesin: Si është e mundur të ndodhë kjo në Kosovën demokratike, në Kosovën që ka ratifikuar dhe ka nënshkruar shumë e shumë dokumente, rezoluta dhe kontrata antikorrupsion? Prej nga gjithë ky guxim, gjithë kjo kundërvënie kaq e shpërfaqshme kundrejt SHBA-ve, prej nga gjithë kjo “trimëri’ për ta avancuar një person të dënuar tashmë për korrupsion?

Siç është e njohur, edhe në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas. Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që atëbotë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet, duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

Prandaj, SHBA-ja nuk e mori vendimin e rëndë vetëm sa për të thënë. Por, e mori pas hulumtimeve serioze dhe gjetjes së shkeljeve të panumërta të tij. Kurse, avancimi i tij nga ministria e Infrastrukturës është i pamatë, skandaloz, tendencë e hapur për ta rehabilituar një person të etiketuar edhe ligjërisht si të korruptuar. Është, gjithsesi, edhe tendencë, qoftë e vetëdijshme, ose e pavetëdijshme, për t’iu kundërvënë, në një mënyë apo tjetër, SHBA-së. /Buletini Ekonomik/