Tregu unik dhe kompleks i ndërtimeve në Kosovë

Në Kosovë, megjithë stërmbushjen e tregut me banesa (sipas fjalëve të ndërtimtarëve, sepse statistika të sakta rreth numrit të banesave që presin blerësit nuk bëhen edhe aq publike te ne), megjithë ngritjen reale të materialeve kryesore të lëndës së parë (hekuri, çimentoja, lënda drusore dhe plastika) dhe megjithë mungesën evidente të parasë ndër kosovarët e varfër, vazhdon të ndërtohet goxha shumë dhe anembanë Kosovës, vazhdojnë të “mbijnë” shumëkatëshet e reja, por edhe lagjet-komplekset e shtëpive të sistemuara në të gjithë vendin.

Mehmet GJATA

Tregu i ndërtimeve në Kosovë vazhdon të mbetet goxha unik ndër tregjet e njëjta në botë dhe në rajon, dhe si i tillë është kompleks, i ndërlikuar dhe interesant për ta trajtuar më detajisht.

Reklama e sponzorizuar

Është i veçantë dhe unik për faktin qenësor se në tregun e ndërtimeve në vend nuk funksionon thuaja fare ligji i tregut, që është ndër ligjet më të rëndësishme në kapitalizëm, sistemi i përqafuar tani e 23 vjet nga Kosova. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti se megjithë ofertën e madhe të ndërtimeve, kryesisht të banesave në ndërtesat e banimit kolektiv, jo rrallë edhe të mbingarkesës, ose ofertës shumë më të theksueshme se sa kërkesës, çmimet e një metri katror të banesave në Kosovë, nga viti në vit janë ngritur, në përqindje të ndjeshme (pavarësisht arsyetimeve të qëndrueshme, apo të diskutueshme të ndërtimtarëve) edhe në kohëra krizash ekonomike e financiare që kanë përfshirë edhe Kosovën.

Por, e veçanta e tregut të ndërtimeve në Kosovë, për dallim nga shumë shtete të botës bëhet edhe më e theksueshme, kur dihet se megjithë stërmbushjen e tregut me banesa (sipas fjalëve të ndërtimtarëve, sepse statistika të sakta rreth numrit të banesave që presin blerësit nuk bëhen edhe aq publike te ne), megjithë ngritjen reale të çmimit të materialeve kryesore të lëndës së parë (hekuri, çimentoja, lënda drusore dhe plastika) dhe megjithë mungesën evidente të parasë ndër kosovarët e varfër, vazhdon të ndërtohet goxha shumë dhe anembanë Kosovës, vazhdojnë të “mbijnë” shumëkatëshet e reja, por edhe lagjet-komplekset e shtëpive të sistemuara në të gjithë vendin.

Një nga ndërtimtarët e njohur, që e kërkon anonimitetin, i ka thënë Buletinit Ekonomik, se aktualisht konditat për të blerë banesë në Kosovë nuk janë më të favorshmet, madje ato janë vështirësuar shumë me rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, me mungesën e parasë kesh, por edhe me ashpërsimin e kushteve të kredimarrjes nga bankat komerciale që operojnë në vend (rritjes së kamatave për kredi dhe ashpërsimi i kritereve për ta siguruar një kredi). Megjithatë, sipas tij, po ndërtohet jo pak, por edhe nuk është se nuk ka shitje.

“Jo si më parë, gjithsesi, por po të mos kishte shitblerje të banesave edhe në këtë periudhë, nuk do të kishte ndërtime kaq të shumta”, thotë ai.

Në Shqipëri pas ndërtimeve të vrullshme të dy viteve të fundit, sektori i ndërtimeve duket se po përjeton një fazë qetësimi. Në anketën e fundit të besimit të bizneseve të Bankës së Shqipërisë, sektori i ndërtimit nuk është optimist për të dytin muaj radhazi. Sipas Bankës Qendore atje, treguesi i besimit në ndërtim (TBN) ra me 1.9 pikë përqindjeje në muajin tetor, ndonëse qëndron rreth 15 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rënia këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin janë në rritje dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Sipas anketave, bizneset presin më pak porosi dhe kjo tregon se më shumë ndërtues presin që të kenë më pak porosi. Ky është niveli më i ulët që nga tetori 2022.

Po sipas anketave, në Shqipëri, edhe pritshmëria për çmimet është në rënie. Ndërsa më herët, përfaqësues të sektorit të ndërtimeve kishin pohuar për medie se shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve ka filluar të ndikojë në trendin e rënies së kërkesës për prona me çmim shitjeje mbi 1,500 euro për metër katror.

Edhe drejtues të agjencive imobiliare pohojnë se ka rënë kërkesa për prona me vendndodhje pranë qendrës, me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m². Ky trend është parë edhe për banesat e tjera në zonat afër qendrës. Në të kundërt, kërkesa për banesa rezidenciale në godinat e ndërtuara 2-3 vitet e fundit dhe në ndërtimet e sapopërfunduara në zonat jashtë Unazës së Vogël në Tiranë është e njëjtë me vitin e kaluar.

Në Kosovë, mungojnë anketa të ngjashme, dhe në mungesë të tyre nuk nuk mund të bëhet ndonjë parashikim se si do të lëvizin zhvillimet në sektorin e ndërtimeve. Nuk ka as parashikime për pritshmëritë e uljes eventuale të çmimeve të banesave te ne. Por, ndërtimtari i njohur, thotë për Buletinin Ekonomik, se në Kosovë, hë për hë, gjasat janë minimale për të ndodhur ulje çmimesh në shitblerjen e banesave.

Sipas tij, do të ishte mirë të mos kishte shpërthim të ri çmimesh në sektorin e ndërtimtarisë, të cilat çmime, siç dihet, pas pandemisë dhe fillimit të luftës ruso-ukrainase janë ngritur tej mase dhe tej parashikimeve. Këto lëvizje, gjithsesi të paparashikuara e bëjnë tregun e banesave të veçantë dhe shumë interesant në Kosovë. Ndodhin lëvizje të shpeshta dhe të papritura, që ngjajnë në surpriza, qoftë të këndshme, qoftë të pakëndshme, në tregtimin e patundshmërive në tregun kosovar.

E veçantë e tregut kosovar të banesave është pra edhe çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërmuese të vendeve të botës, te ne ose po mbahet goxha konstant në 3-4 muajt e fundit, ose po ngritet ndjeshëm në disa qendra komunale.

Në Kosovë vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm imponues të ringjallur pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë edhe çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të kosovarëve dhe fuqisë të kufizuar blerëse të tyre.

Në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (thuaja në të gjitha tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak), dhe thuaja në të gjitha qendrat komunale, jo vetëm që nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave, por ka lëvizje të ngritjes së çmimeve. Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta.

Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe përballë të tërë përgjatësisë së Varrezave të dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror e një banese kushton 1,500 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është standardizuar, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.

Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani-1,500 euro. Për koston e banesave në qendër dhe në afërsi të saj, në Prishtinë, dihet, se ku ku kanë arritur çmimet e banesave. Këto ditë, ato kanë shkuar edhe në 3,500-4,000 euro metri katror në qendër dhe në lagjet e vjetëra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, ku metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,500 edhe 3,000 euro.

Këto veçanti të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurtë për zhvillimet në vitet në vijim. Çdo gjë në sektorin e ndërtimeve në vend lëviz shpejtë dhe nuk ka ndonjë standard të saktësuar për këtë sektor.

Mbase edhe të dhënat për çmimet konkrete të banesave në Kosovë, të mbledhura gjatë javës nëpër agjencitë e tregtimit të paluajtshmërive, por edhe ndër ndërtimtarët, shpejt bëhen të vjetëruara, dhe jo shumë të vlerëshme për trajtimin e temës së këtij sektori. /Buletini Ekonomik/