Edhe sivjet bankat komerciale në Kosovë kanë realizuar fitime të jashtëzakonshme, përkundrejt se kanë afaruar në një shtet të vogël për nga numri i banorëve, i dëshmuar për varfëri ndër më të theksueshmet në rajon. Sipas të dhënave të BQK-së, fitimi neto i bankave komerciale të vendit (12 sosh) deri në fund të tetorit të sivjetshëm (2023), është 141 milionë euro, ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar. Fitimi neto në shumë kaq të madhe, ekskluzivisht rrjedhojë e normave të larta të interesit, çmimeve enorme të shërbimeve dhe depozitave që kanë arritur në afro 6 miliardë euro.
Mehmet GJATA
Bankat në Kosovë dalin sërish, edhe në këtë fundvit më të “fituarat” në Kosovë. Ato, edhe sivjet kanë realizuar fitime të jashtëzakonshme, përkundrejt se kanë afaruar në një shtet të vogël për nga numri i banorëve, për nga territori dhe të dëshmuar për varfëri ndër më të theksueshmen në rajon. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, fitimi neto i bankave komerciale të vendit (12 sosh) deri në fund të tetorit të sivjetshëm (2023), është 141 milionë euro, ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.
Gjatë vitit 2022, po sipas BQK-së, sektori bankar ka arritur të siguroi profit të lartë financiar, 140.3 milionë euro apo rreth 23 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Dhe kjo shumë parash është e madhe, madje shumë e madhe edhe për vendet shumë më të fuqishme dhe më potente financiarisht se Kosova e varfër, madje me përqindje të madhe të popullsisë, që jetojnë në varfëri ekstreme (vlerësohet se nga kosovarët e shumtë të varfër, diku 15 deri në 18 për qind janë të varfër ekstrem, që do të thotë se këta kosovarë e çelin dhe e ngrysin ditën me gjithsej 1,5 dollarë).
Është mbresëlënës në të parë gjithë ky profit i bankave. Por po të analizohet më detajisht afarizmi i bankave kosovare, del të jetë fitimi lehtësisht i realizueshëm, dhe, thuaja ekskluzivisht në saje të kamatave enorme të larta, ndër më të lartat në Ballkan dhe në Europë, po se po, dhe çmimeve, poashtu skajshmërisht të larta të shërbimeve bankare. Në fitimin neto kaq me jehonë dhe kumbues, domosdo kanë ndikim edhe paratë e deponuara që kanë arritur në shumë të larta. Në Kosovën e vogël territorialisht dhe për nga numri i popullsisë sivjet kursimet kanë arritur ngritje kulminante dhe rekorde. Sipa të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të shpallura në Ditën Ndërkombëtare të Kursimeve, shuma e parave të kosovarëve në bankat komerciale të vendit ka arritur në 5.89 miliardë euro. Kjo shumë parash vlerësohet si më e larta që është shënuar deri më tani. “Depozitat e klientëve në shtator 2023 kanë shënuar rritje për rreth 14.63 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Vlera e depozitave në shtator 2023 arriti vlerën 5.89 miliardë euro”, thuhet në një raport të BQK-së. Rreth 25% e kursimeve janë me afat. “Ekonomitë familjare dominojnë me rreth 66.5% të totalit të depozitave (apo rreth 3.88 miliardë euro). Vlera e depozitave të reja në muajin shtator ishte 87.02 milionë euro”.
Këto janë të dhëna imponuese për një vend të vogël siç është Kosova, dhe parakusht i qenësishëm për afarizmin e suksesshëm të bankave të këtushme, fitimin enorm neto të tyre. Me fjalë të tjera, në Kosovën shumë të varfër, numri i huamarrësve tek bankat kushtimisht (thjesht, për shkak të varfërisë) është shumë i madh dhe kur i shtohen edhe normat stratosferike të interesit, si dhe çmimet pakuptimisht dhe jashtë çdo logjike të larta bankare, atëherë bëhet gjith ky fitim domosdo i diskutueshëm.
Këto konstatime i vërtetojnë faktet: Sipas të dhënave, numri i kosovarëve që u janë drejtuar bankave për kredi deri në nëntor 2023 ka arritur në 200 mijë veta, ndërsa sipas BQK-së, numri i përgjithshëm i kredimarrësve është mbi 118 mijë, ose diku rreth 13 mijë qytetarë më shumë se në periudhën e njejtë të vitit 2022. Dhe, ky numër i stërmadh kredimarrësish ka bërë që shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor 2023 të jetë rreth 5 miliardë euro.
Ndërkohë, krahas numrit të rritur drastikisht të kredimarrësve, rritje ka shënuar edhe norma mesatare e interesit. Kamatat në këtë periudhë (deri në tetor, pra) janë rritur rreth dy për qind, ndërkohë që norma einteresit edhe në vitin e kaluar ishte ndër më të lartat në rajon dhe përtej, ose 6.2 për qind. Sipas të dhënave të BQK-së, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin tetor 2023 llogaritet të jetë 6.4%, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 6.2%. Në këtë mënyrë, pa anashkaluar edhe reduktimin drastik të numrit të punëtorëve në shumicën e bankave komerciale, por për të qenë korrekt edhe afarizmin bankar goxha të suksesshëm, bankat komerciale të Kosovës dalin gjithmonë më “të fituarat” duke thyer vazhdimisht rekorde fitimi neto.
Por, bankat komerciale që afarojnë në Kosovë (12 sosh, 9 prej tyre të Jashtme), së paku deri më tash, nuk janë treguar asnjëherë mirënjohëse ndaj kosovarëve kursimtarë. Ato thjesht, asnjëherë, nuk përfillën parimin “ku të merrësh, duhet edhe për të dhënë). Asnjëherë, thuaja nuk investuan ndonjë shumë parash në ndonjë projekt zhvillimor, të fituara kaq lehtësisht në Kosovë, nuk shpërfaqën thuaja asnjëherë ndonjë interesim evident për të përkrahur shkollimin e të rejave dhe të rinjve të këtushëm nëpërmjet ndonjë numri të shënueshëm bursash, nuk u dëshmuan me ndonjë donacion të dobishëm dhe me efekte zhvillimore, siç veprohet kudo në botë.
Përkundrazi, këto banka, ngarendën në vazhdimsi pas fitimeve enorme, pa zgjedhur mjete-duke rritur jashtë çdo logjike afariste kamatat për kredi, duke shfrytëzuar deponimet kolosale të kursimeve kosovare me kamata minimaliste, fare simbolike, dhe duke dërguar këto shuma parash të fitimeve gjithnjë dhe pa asnjë pengesë në vendet e origjinës. Edhe më tutje, në tregun bankar të Kosovës vazhdon të shftrytëzohet nga bankat favori imponues i shfrytëzimit të diferencës së madhe ndërmjet kamatave në kredidhënie dhe kamatave në paratë e deponuara.
Me fjalë të tjera, bankat komerciale të Kosovës, edhe më tutje vazhdojnë ta mbajnë të palëkundur dhe të pandryshuar çmimin e ‘prodhimit bazik”, të tyre, gjegjësisht të parasë, shumës së tyre pakuptueshëm të madhe, në mënyrë që të realizojnë marzhën neto të kamatave sa më të lartë, që do të thotë të krijojnë sa më shumë profit. Ndërkohë, vazhdojnë të aplikojnë kamata të ulëta, fare simbolike, për paratë e kosovarëve të deponuara si kursim në këto banka. Kjo lehtësisht vërehet poqese krahasohen kamatat e kredive në shumë shtetet të Europës që sillen mesatarisht nga 4 deri në 4, 75 për qind, në shumë raste në banka të caktuara në Europë, ndodhë të ketë kamata edhe më të ulëta, për kredi, me shkallën e kamatave kreditore të bankave komerciale të Kosovës, të cilat tani së fundi tejkalojnë 6,4 për qind e më shumë.
Ndërkohë, siç dihet, kamatat për paratë e deponuara në banka sillen përafërsisht nga 1, deri në 1,5 për qind, që janë, po kështu ndjeshëm më të ulëta se në shumë shtete europiane. Ky fakt flet se si bankat komerciale në Kosovë arrijnë lehtësisht të krijojnë fitimet enorme të larta.
Ndërkohë, dihet se bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare (IMF-të) në Kosovë, gjithnjë kanë qenë qind për qind të pavarura dhe sovrane edhe në përcaktimin e çmimeve të produkteve të tyre bankare, pavarësisht se formalisht e kanë pasur që nga fillimi kupolën e quajtur Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që do të duhej edhe ligjërisht të jetë si një supervisor, kontrollor, apo, së paku, një si vëzhgues i zhvillimeve bankare dhe të afarizmit të të gjitha bankave që afarojnë brenda Republikës. Por, deri më tash, është dëshmuar keqpërdorimi i shpeshtë nga këto banka (praktikisht nga të gjithat) i “sovranitet” të tyre, sidomos në vendosjen e çmimeve të produkteve bankare (kamatave dhe të çmimeve të shërbimeve), të mbajtura gjithnjë ndër më të lartat në Europë dhe në Ballkan, dhe të ngritura edhe më shpesh se kudo tjetër në botë. Bankat komerciale në Kosovë dhe IMF-të, duke keqpërdorur pafundësisht dhe në shumë raste pavarësinë e tyre, në këto vite, por edhe në këtë vit i ngriten çmimet e shërbimeve bankare sa deshtën dhe kur deshtën, sikundër edhe kur deshtën dhe sa deshtën përcaktuan kamatat për të gjitha llojet e kredidhënies. Ndërsa, fitimet e mëdha, po e përsërisim, janë kryekëput rezultat i çmimeve rekorde të larta të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej ‘fajdexhinjve’ legal, të institucioneve mikrofinanciare./Buletini Ekonomik