Edhe në Kosovë, e shquar me ndërtime të shumta të ndërtesave kolektive të banimit (banesave) në shumicën e qendrave komunale, sidomos në kryeqytet, është shënuar rënie e numrit të njësive të ndërtimit dhe sidomos rënie e shitblerjes së banesave më 2022 dhe 2023. Por, rënia e shitblerjeve të banesave është shumë më evidente më 2023.
Mehmet GJATA
“Bumi” i sektorit të ndërtimeve, shpërthyes dhe imponues, sidomos pas pandemisë COVID19, në shumicën e vendeve post-komuniste, dhe në veçanti, në shtetet e reja të krijuara nga ish-Jugosllavia, sikur ka nisë të bie, ndërsa fuqia e padiskutueshme e ndërtimtarëve më 2022 dhe 2023 ka shpërfaqur sinjale të tejdukshme të zvetnimit në këto shtete.
Më konkretisht, në të gjitha shtetet pos-komuniste që shënuan ndërtime të shumta dhe të vrullshme dhe me çmime stratosferike, vjet, dhe sidomos sivjet, ka rënë goxha ndjeshëm edhe vrulli i ndërtimeve, dhe aty-këtu ka edhe ulje çmimesh. Edhe në Kosovë, e shquar me ndërtime të shumta të ndërtesave kolektive të banimit (banesave) në shumicën e qendrave komunale, sidomos në kryeqytet, është shënuar rënie e numrit të njësive të ndërtimit dhe sidomos rënie e shitblerjes së banesave më 2022. Ndërkohë, kjo rënie është shumë më evidente më 2023. Dhe për këtë fakt, flasin të dhënat statistikore.
Krahasimi i shifrave mes vitit 2022 dhe 2021, sipas të dhënave së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat i ka publikuar edhe instituti GAP, nxjerrë në pah se numri i shitblerjeve të banesave ka pasur një rënie, dhe më 2022 të jetë më i ulët se në vitin 2021. Vetëm në Prishtinë gjatë 2022-s – pati 2 mijë e 576 shitblerje, përderisa një vit më herët u shitblenë 2 mijë e 799 sosh. Në Prizren gjatë vitit 2022 kishte 272 shitblerje, përderisa më 2021 kishte më shumë se 100% më shumë. Rënie evidente të shitblerjes së banesave sipas ASK-së më 2022, janë shënuar edhe në Ferizaj, në Gjakovë, në Mitrovicë dhe në Gjilan, ndërsa vetëm në Pejë – tregu i shtitblerjeve të banesave ka shënuar rritje.
Sivjet, më 2023 pra, kjo rënie është akoma më e shprehur. Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore – të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur vetëm 1.628 banesa, që është ndjeshëm, ose rreth 3 herë më pak se më 2022 kur janë regjistruar 4.967 shitblerje të banesave, ndërsa edhe shumë më pak se më 2021, kur sipas të dhënave statistikore, në Kosovë janë shitur 6.561 prona dhe njësi banesore. Ndërsa, siç kanë raportuar mediet, qendra komunale më më pak shitblerje është ajo e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, ku në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur vetëm gjashtë banesa.
Sipas ndërtimtarëve, shkaqet e rënies së shitblerjeve të banesave duhet kërkuar të ngopja e klientelës me blerjen e shtëpive, e sidomos të klientelës potente nga diaspora, e cila tashmë numerikisht nuk është e vogël e cila ka siguruar në vitet e mëhershme banesa në vendlindje (Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri).
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për periudhën janar-shtator të këtij viti, nga mbi 612 milionë euro investime të huaja sa janë bërë në Kosovë, rreth 370 milionë euro ka absorbuar sektori i patundshmërive. Por, diaspora, tashmë paratë e kursyera, dhe ato nga fitimet, ose po i ruan në banka e në shtëpi, ose janë në kërkim të gjetjes së ndonjë pozicioni më atraktiv dhe fitimprurës për paranë e tyre. Për njohësit e rrethanave dhe vrojtuesit e tregut të ndërtimeve në Kosovë, këto zhvillime nuk janë të papritura dhe të paparashikuara. Ka qenë e pritshme, sipas tyre, se një ditë do të shpërfaqen shenjat e ngopjes së tregut dhe kushtimisht do të funksonojnë ligjet e tregut.
Të dhënat e sipërshënuara janë indikatorë me narrativë të qartë se më në fund edhe në tregun e ndërtimeve (shitblerjen e banesave dhe të shtëpive) në vendin tonë, ka ndodhur zhvillimi i pritshëm. Me fjalë të tjera, ndodhi pra parashikimi i ripërsëritur i ekspertëve dhe njohësve të mirë të tregtimit të paluajtshmërive te ne se “nuk do të vonojë dita kur edhe në Kosovë, si në mbarë botën, ose do të ulen çmimet, ose do të bie trendi i derivonshëm i shitjes së shumtë të banesave”. Këto të dhëna, por edhe shifrat e shitblerjeve të deklaruara nga agjencitë e tregtimit të paluajtshmërive (sipas disa agjencive, shitblerja sivjet ka rënë diku rreth 50 për qind) janë edhe shenja të tejdukshme se funksionimi i stërgjatë, mbi 2 dekada i tregut unik dhe të veçantë të ndërtimeve në vend, ku praktikisht ligji i tregut ishte inekzistent, më në fund, edhe në Kosovë, tregu i ndërtimeve, me dashje, apo pa dashje, do t’i nënshtrohet rregullave të domosdoshme të ofertës dhe të kërkesës.
Dhe, tregu i vlerësuar si unik dhe kompleks i ndërtimeve në Republikën tonë, që asnjëherë nuk përfilli ligjet e tregut (atë të ofertës dhe të kërkesës), tani kushtimisht do të detyrohet në një mënyrë apo tjetër, ta bëjë këtë, ose të krijojë stoqe të pafundta të numrit të banesave që presin blerës, ose-ose nga mosqarkullimi i mjeteve të bllokuara në stoqe, të falimentojnë shumë e shumë kompani ndërtimesh dhe sosh shërbimesh që kryejnë shumë punë në ndërtimtarinë e Kosovës. Ky është fakt. Sikundër që është fakt edhe e dhëna se sektori i ndërtimtarisë edhe sivjet, sikurse shumë vite të pasluftës, ishte dhe mbeti forca shtytëse e zhvillimeve ekonomike dhe pas prodhimit të energjisë, ndoshta edhe dominuese e tregut financiar të Kosovës.
Sipas llogarive të një analisti dhe njohësi të mirë të zhvillimeve ekonomike, në Kosovë çdo vit ndërtohen 30 mijë njësi të reja ndërtimi si shtëpi, banesa e lokale dhe nëse këto llogariten me 70 mijë euro kosto mesatare secila ndërtimtari në Kosovë, kap një treg prej rreth 2.1 miliardë eurosh në vit.
Në potencën financiare të ndërtimtarëve kosovarë, ndikimin qenësor vazhdon ta ketë çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, ose po mbahet goxha konstant me muaj të tërë, ose po ngritet ndjeshëm në disa qendra komunale. Në Kosovë, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm të vrullshëm pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta, sidomos krahasuar me gjendjen financiare të kosovarëve dhe fuqisë të kufuzuar blerëse të tyre.
Në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës (thuajse në të gjitha tash e sa vite ndërtohet me ritëm të lartë, diku më shumë e diku më pak), nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave. Por, në disa sosh ka lëvizje të ngritjes së çmimeve. Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta.
Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe përballë të tërë përgjatësisë së Varrezave të dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror i një banese kushton 1,500 euro. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është standardizuar, sikundër që është standardizuar çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh. Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani-1,500 euro.
Çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren, ndërsa goxha më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
Një nga ndërtimtarët e njohur, që e kërkon anonimitetin, i ka thënë këto ditë Buletinit Ekonomik se aktualisht konditat për të blerë banesë në Kosovë nuk janë më të favorshmet, madje ato janë vështirësuar shumë me rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, me mungesën e parasë kesh, por edhe me ashpërsimin e kushteve të kredimarrjes nga bankat komerciale që operojnë në vend (rritjes së kamatave për kredi dhe ashpërsimi i kritereve për ta siguruar një kredi).
Megjithatë, sipas tij, po ndërtohet jo pak, por edhe nuk është se nuk ka shitje.
“Jo si më parë, gjithsesi, por, po të mos kishte shitblerje të banesave edhe në këtë periudhë, nuk do të kishte ndërtime kaq të shumta”, thotë ai.
S’do mend se rënia e shitblerjeve te pronave është edhe pasojë e rënies së fuqisë blerëse (ndikimi i rritjes së çmimeve tek qytetarët) dhe krizës së likuiditetit. Por, ndër faktorët përcaktues të rënies nuk duhet lënë anash as çmimet e ngritura tejmase të banesave në Kosovë në vitet pas pandemisë dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso-ukrainase. Mbetet të shihet, a do ta miratojnë trendin e uljes së çmimeve të banesave që po ndodhë në shumicën e vendeve të botës edhe ndërtimtarët e Kosovës… Tani për tani, në bazë të zhvillimeve të sivjetshme në shumicën e tregjeve të botës, nuk ka mbetur ndonjë alternativë tjetër. /Buletini Ekonomik/