5 aftësi teknike që u nevojiten drejtuesve në vitin 2024

Nëse vitin e ardhshëm synoni të bëheni një lider, duhet të keni parasysh që nëse doni të shkëlqeni në pozicionin tuaj, duhet të keni një ekuilibër të fortë mes aftësive teknike dhe aftësive të buta (soft skills).

Drejtuesit e suksesshëm rriten sepse zotërojnë të ashtuquajturat “soft skills”, që përfshijnë aftësitë ndërpersonale, inteligjencën emocionale, komunikimin dhe ndjeshmërinë, dhe dinë si të frymëzojnë, motivojnë, ndikojnë dhe të negociojnë.

Por drejtuesit duhet zotërojnë edhe disa aftësi teknike, thelbësore për sektorin dhe fushën e tyre.

Reklama e sponzorizuar
  1. Analiza e të dhënave

Analiza e të dhënave është një aftësi teknike e rëndësishme për drejtuesit, pasi do të jeni gjithnjë të detyruar të merrni vendime kritike dhe të planifikoni strategji.

Për të planifikuar në mënyrë efikase dhe të sigurt, duhet të merrni vendime që mbështeten te të dhënat. Të dhënat mund t’ju japin informacione të çmuara për tregun e synuar, tendencat në zhvillim, ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve dhe aktivitetin e kompanive konkurrente.

Vendimet e mbështetura te të dhënat forcojnë besimin e të tjerëve te ju, pasi mund të justifikoni vendimet dhe veprimet tuaja me prova.

Chris Estrada, themelues dhe CEO i Nationwide United Auto Transport, këshillon që “për të kuptuar dhe për të interpretuar të dhënat dhe për të marrë vendime efektive, njohja me mjetet e vizualizimit të të dhënave mund të jetë tepër e dobishme”.

2. Siguria kibernetike

Siguria kibernetike mbetet një shqetësim kyç për drejtuesit e kompanive, ku numri i viktimave të shkeljeve të të dhënave në vitin 2022 ka arritur mbi 422 milionë, me rritje prej 128 milionë krahasuar me vitin 2021.

Mosmarrja e masave të përshtatshme për të mbrojtur informacionet konfidenciale dhe të dhënat kyçe të klientëve mund të sjellë një rrezik të kushtueshëm, ku kostoja mesatare globale e shkeljes së të dhënave është 4.5 milionë dollarë, sipas një kërkimi të IBM.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për kosto monetare – shkelja e sigurisë kibernetike mund të sjellë pasoja në reputacionin tuaj dhe në markën personale si lider, duke e bërë të vështirë për ju që t’ju besohen më shumë mundësi karriere.

Oleg Segal, sipërmarrës dhe themelues i DealA, thotë se “rëndësia e njohurive për sigurinë kibernetike nuk mund të mbivlerësohet. Me shkeljet e shpeshta të të dhënave, njohuritë bazë për ruajtjen e informacioneve janë të nevojshme, për të mbrojtur kompaninë dhe të dhënat e klientëve”.

3. IA dhe Machine Learning

Inteligjenca Artificiale është thelbësore për drejtuesit e rinj. Shumica e kompanive është në të vërtetë kundër saj, edhe pse deklaron se është e hapur për ta pranuar dhe për ta përqafuar, pasi drejtuesit e bizneseve nuk e kuptojnë rëndësinë e IA dhe ndikimin e saj, pozitiv apo negativ, në operacionet e kompanisë.

Ata janë të shqetësuar për sigurinë e organizatës dhe mundësinë që IA t’u ekspozojë të dhënat e kompanisë atyre që nuk janë të autorizuar. Megjithatë, ndërkohë që po i afrohemi vitit 2024, duket se punonjësit, dhe veçanërisht millennials, janë mjaft të interesuar në përdorimin e IA si pjesë e punës së përditshme.

Ata duan të trajnohen në përdorimin e saj dhe ta përfshijnë tërësisht në procesin e punës, në vend që të përdorin sisteme të vjetruara. Drejtuesit duhet t’i përshtaten kësaj kërkese për trajnim dhe fillimisht të trajnojnë veten, në mënyrë që të kuptojnë se si lidhet me organizatën e tyre.

“Njohja e bazave të IA dhe machine learning është thelbësore – këshillon Segal. – Nuk keni nevojë të jeni në gjendje të kodoni një program të IA, por të kuptoni aftësitë dhe kufizimet. Kjo do t’ju ndihmojë në planifikimin strategjik dhe vendosjen e pritshmërive realiste”.

4. Software për punën në distancë

Një nga tendencat e reja të punës në vitin 2024 është modeli i punës hibride, ku kompanitë në botë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt modeleve të punës në distancë / hibride për të ruajtur angazhimin e punonjësve, duke nxitur fleksibilitetin e punës nga shtëpia.

Duke qenë se ky do të jetë normaliteti i ri i punës, është e rëndësishme që drejtuesit të njohin software të punës bashkëpunuese.

Kjo do të rrisë angazhimin e punonjësve në distancë dhe atyre në vendin e punës, në mënyrë që asnjë nga dy grupet të mos ndihet i distancuar, i paangazhuar apo pak i motivuar.

Software për bashkëpunimin për punën në distancë zvogëlon edhe keqkuptimet që vijnë nga mungesa e komunikimit. Shumë mjete të menaxhimit të projekteve janë të pajisur me këtë software, duke përdorur IA për të fuqizuar bashkëpunimin.

5. Mendësi e orientuar te teknologjia

Estrada këshillon drejtuesit se “me ritmin e shpejtë të ndryshimit teknologjik, vullneti dhe aftësia për t’u përshtatur ndaj software të rinj dhe sistemeve është e rëndësishme”.

Ajo që ndodhi në vitin e fundit që nga prezantimi i ChatGPT, na ka mësuar një leksion të çmuar mbi përshtatjen ndaj ndryshimit.

Na tregoi se teknologjia mund të transformohet në një çast, mund të evoluojë me shpejtësi dhe të përdoret në nivel global, me ndikim te miliona njerëz, kompani dhe tregje ku veprojmë.

Për të qenë gati ndaj ndryshimeve që viti 2024 e më tej do t’ju sjellin, duhet të përshtateni ndaj ndryshimit dhe ta përqafoni. Nëse nuk i kushtoni vëmendje, do të mbeteni pas.

Nëse keni një mendësi të hapur ndaj teknologjisë, duke përdorur mjetet e punës në distancë, duke kuptuar parimet e IA dhe të sigurisë kibernetike dhe duke pasur aftësinë për analizimin dhe organizimin e të dhënave, mund të pozicionoheni si lider që mendon përpara në organizatën dhe industrinë tuaj dhe të fitoni besimin e palëve të interesuara. /Forbes/