Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka paguar një ekspert ndërkombëtar me rreth 60 mijë euro për vetëm 70 ditë pune në Kosovë.
Eksperti Christian Timm, ka qenë i angazhuar në dy kontrata të ndryshme në MINT.
Kontrata e parë, e cila ishte nënshkruar më datë 24 dhjetor të vitit 2021, ka të bëjë me hartimin e një Strategjie moderne të Politikës Industriale, kontratë kjo e cila i kushtoi Ministrisë së Industrisë plot 44 mijë euro.
Buletini Ekonomik ka siguruar dy prej faturave që Christian Timm ia ka adresuar MINT-it për pagesë. I njëjti, sipas këtyre faturave, u pagua me gjithsej 898 euro për një ditë pune në MINT për 27 ditë të njërës kontratë, e që në total i bie 24 mijë e 246 euro për 27 ditë. Kurse me konfirmimin e MINT se eksperti ndërkombëtar ka qenë i angazhuar për 70 ditë pune, i bie që ai në kontratën e parë ka punuar 50 ditë të plota dhe është paguar gjithsej 44 mijë e 900 euro.
Ndërsa për kontratën e dytë, Timm u pagua me 983 euro për 20 ditë pune në MINT, e që në total si shumë shkon në 19 mijë e 660 euro.
Pra, sipas faturave që ka parë Buletini Ekonomik, eksperti ndërkombëtar, Christian Timm, është paguar nga MINT me gjithsej 43 mijë e 906 euro për vetëm 47 ditë pune në Kosovë.
Nga Ministria e Industrisë kanë konfirmuar për Buletinin Ekonomik se Timm për kontratën e parë është paguar në vlerë të 44 mijë eurove, ndërsa vlera e kontratës së dytë ka qenë 19 mijë e 660 euro.
Sipas MINT, qëllimi i angazhimit të Timm për kontratën e parë ka qenë “hartimi i një Strategjie moderne të Politikës Industriale, përfshirë Planin e veprimit, si dhe Planin e Monitorimit dhe Vlerësimit, e cila do të hartohet në një proces të bazuar në të dhëna të marra nga hulumtime kuantitative dhe kualitative, si dhe me përfshirje të pjesëmarrësve relevant”.
Kurse, për kontratën e dytë, qëllimi i angazhimit të tij, sipas MINT, lidhet me “analizat shtesë për nënsektorët ekonomikë dhe stimuluesve të zhvillimit industrial, si dhe mbështetja për ekipin hartues, duke përfshirë identifikimin dhe verifikimin e burimeve të të dhënave, rishikimin e studimeve ekzistuese të sektorit dhe zinxhirit të vlerës dhe përgatitjen e të dhënave shtesë për sektorët ekonomikë që ndërlidhen me industrinë primare”.
“Procesi i hartimit të Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, (Politika Industriale), ka zgjatë një vit, nga dhjetori 2021 deri në dhjetor 2022, por me pagesë në total 70 ditë pune, në cilësinë e ekspertit ndërkombëtar”, thuhet tuitje në përgjigjet e ministrisë drejtuar Buletinit Ekonomik.
Nga Ministria e Industrisë kanë theksuar tutje se angazhimi i ekspertit ndërkombëtar ka qenë për hartimin e strukturës së dokumentit strategjik, udhëheqjen e 2 ekspertëve vendor dhe Grupeve tematike për secilën objektivë strategjike, si dhe trajnimin e grupit hartues për metodologjinë e hartimit të Politikës Industriale, si dhe finalizimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit 2023-2025.
Mirëpo, përveç kësaj, përmes këtyre dy kontratave, nga MINT thonë se është trajnuar edhe grupi hartues nën udhëheqjen e ekspertit ndërkombëtar me ç ‘rast grupi ka kryer analizat e sektorëve dhe nën sektorëve industrial në dimensionin ekonomik, social dhe mjedisor, analizën e instrumenteve përkrahëse, kalkulimit të treguesve ekonomik – makro dhe mikro, si dhe hartimin fillestar të analizave.
Kurse, në fund të një periudhe 10 mujore, grupi hartues apo stafi i departamentit, thuhet se është pajisur me Certifikatën për 10 module trajnimi me metodologjinë EQuIP (Rritja e Cilësisë së Politikës Industriale).
Siç shpjegojnë nga MINT, “EQuIP është një sistem që siguron një proces të strukturuar, të bazuar në prova, dhe një proces strategjik të hartimit të politikave që përfiton nga mjetet dhe informacionet më moderne për politikën industriale. Ajo synon të forcojë kapacitetet brenda qeverisë për të hartuar, menaxhuar dhe zbatuar politikat industriale në mënyrë efektive.”
Ndërkaq, për mënyrën se si Christian Timm është punësuar dhe ka lidhur marrëveshje kontraktuale me Ministrinë e Industrisë, nga kjo e fundit është thënë se i gjithë procesi ka shkuar sipas procedurave prokuriale.
“Përzgjedhja e z.Timm është bërë sipas dispozitave të Ligjit për Prokurim Publik dhe legjislacionit dytësorë me procedura të hapur publike në vlerë te mesme me llojin e procedurës për shërbime te veçanta me vlera te parashkruar të kontratës, në këtë rast kemi pranuar ofertat e përgjegjshme nën vlerat e parashikuara të kontratës dhe konsiderojmë qe kemi pranuar çmime nën vlerat e tregut dhe parashikimeve buxhetore te Ministrisë”, thuhet në përgjigjet e MINT. /Buletini Ekonomik/