Liberalizimi i tregut, që sipas burimeve tona po përgatitet të bëhet nga ZRRE, është një proces që nënkupton se të gjithë konsumatorët kosovarë do të mund të zgjedhin prej kujt të furnizohen me rrymë.
Ndërkohë, liberaizimi obligativ përfshinë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve. Sipas ligjit, në liberalizim të domosdoshëm do të hyjnë të gjitha bizneset që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro në vit apo mbi 50 punëtorë. Ato do të mund të zgjedhin prej kujt të furnizohen.
I gjithë ky proces parashihet të hyjë në fuqi nga 1 prilli i vitit të ardhshëm, por deri tash ZRRE nuk ka marrë ndonjë vendim.
Me hyrjen në fuqi, konsumatorët që i nënshtrohen liberalizimit obligative nuk do të jenë më konsumatorë të rregulluar, pra nuk do të paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë me tarifat për konsumatorët e rregulluar, por me cmime të tregut, në bazë të marrëveshjeve individuale të tyre me furnizuesin.
Liberalizimi i tregut energjetik është proces ku shumica e vendeve të rajonit kanë avancuar ndjeshëm dhe të gjitha janë përpara Kosovës. Edhe Shqipëria i nxori në treg të hapur bizneset vitin e kaluar.
Futja e bizneseve në treg të hapur do të krijonte shumë mundësi edhe në funksionalizimin e tregut të përbashkët energjetik Kosovë- Shqipëri, përkatësisht krijimin e berzës energjetike Alpex. /Koha.net/