Ambiciet e Bullgarisë për Euron: Luftë inflacionit për hyrjen në Eurozonë

Disa vite më parë, Bullgaria bëri hapa të rëndësishëm me hyrjen në Mekanizmin e Kursit të Këmbimit II (ERM II), duke shpallur synimin që deri në vitin 2024, të miratonte euron si monedhë vendase.

Kjo arritje u pa si një zhvillim premtues që tregon përkushtimin e Bullgarisë për të përqafuar monedhën euro.

Megjithatë, që atëherë, vendi është përballur me trazira politike dhe sfida në përmbushjen e zotimeve, duke përfshirë ndryshimet e nevojshme legjislative, si ndryshimet në Kodin e Sigurimeve, për të lehtësuar procesin e miratimit të euros. Për shkak të këtyre pengesave, u kalua afati fillestar.

Reklama e sponzorizuar

Tani që ka një qeveri më të qëndrueshme, Bullgaria po lufton pengesat rregullatore dhe legjislative që kanë ngadalësuar përparimin për hyrjen e euros. “Ne kemi një gjendje të qëndrueshme fiskale, duke mbajtur një deficit buxhetor prej 3%. Nëse nuk ka një përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe inflacioni vazhdon të bjerë deri në pranverë, atëherë do të kemi një raport të favorshëm”, tha kryeministri Nikolai Denkov.

Megjithatë, problemi i inflacionit të lartë vazhdon të hedhë hije mbi ambiciet e Bullgarisë. Data e re e synuar për hyrjen e euros është 1 janari 2025. Për ta përmbushur atë, vendi duhet të përballojë disa sfida kryesore, duke përfshirë miratimin e legjislacionit vendimtar dhe qëndrueshmërinë fiskale.

Zëvendësministri i Financave, Georgi Klisurski, thekson se përbërja unike e shportës së konsumit të Bullgarisë, ku kanë një peshë të rëndësishme ushqimet dhe karburantet, ndikon në inflacionin më të lartë. Klisurski shton se Komisioni Europian mund të tregojë butësi dhe elasticitet në vlerësimin e niveleve të inflacionit të Bullgarisë, duke pasur parasysh kontekstin aktual ekonomik global.

Sfida kryesore për pranimin e euros është inflacioni. Deri në shtator, norma vjetore e inflacionit të Bullgarisë ishte rreth 11%, mbi mesataren e Eurozonës prej 7.3%. Kriteri formal kërkon që deri në prill 2024, inflacioni i shtetit kandidat, të ketë një diferencë jo më të madhe se 1.5 pikë përqindje, në krahasim me nivelin e tri vendeve të BE-së me normën më të ulët të inflacionit.

Banka Botërore ka lëshuar gjithashtu një paralajmërim, duke shprehur shqetësimin se Bullgaria mund të ketë vështirësi në përmbushjen e kushtit të qëndrueshmërisë së çmimeve, për shkak të inflacionit të lartë, vunë në dukje ekspertët financiarë.

Pavarësisht këtyre sfidave, vazhdon optimizmi se inflacioni do të ulet. Ky optimizëm rrjedh pjesërisht nga pritshmëritë për çmime më të ulëta të konsumit, si pasojë e uljeve të çmimeve të gazit natyror dhe karburanteve të ngurta në kohët e fundit. Megjithatë, sfidat vazhdojnë, veçanërisht në sektorin ushqimor, ku trysnitë inflacioniste mbeten të dukshme.

“Vendimi i qeverisë për të rritur ndjeshëm pagën minimale në vitin e ardhshëm, pritet të rrisë nivelet e konsumit”, tha një analist. Megjithatë, kjo rritje mund të ushtrojë një trysni gjithnjë e më të madhe mbi çmimet, duke ndërlikuar edhe më shumë përpjekjet e Bullgarisë për të frenuar inflacionin.

Pavarësisht gjithë këtyre pengesave, aspiratat e Bullgarisë për euron, nuk kanë hasur aq kundërshtime sa ambiciet e vendit për anëtarësimin në Zonën Shengen. Tani, përgjegjësia bie mbi autoritetet bullgare për të manovruar në sfondin e ndërlikuar politik dhe për të ndërmarrë masa të gjera për këtë tranzicion të rëndësishëm.

Bullgaria shpreson të ketë mirëkuptim dhe mbështetje, si nga Brukseli, ashtu edhe nga Frankfurti. Me afrimin e datës së synuar, Bullgaria është në një garë me kohën për të zgjidhur çështjet e inflacionit dhe për të siguruar vendin në Eurozonë, duke shënuar një pikë kyçe në historinë ekonomike të vendit.