Bankat në Kosovë shtojnë fitimet për afër 150 milionë euro deri në nëntor

Euro

Vetëm nga janari deri në muajin nëntor 2023, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur që t’i shtojnë fitimet e tyre për gjithsej 147.2 milionë euro nga 141 milionë sa ishte profiti i tyre në fund të tetorit. Për vetëm dy muaj, të njëjtat kanë fituar 24.2 milionë euro, pasi deri në fund të shtatorit – profiti i tyre ishte 123.7 milionë euro.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin nëntor të vitit 2023, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 394.9 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 294.3 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 247.7 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 37.0 milionë eurove.

Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin nëntor mbetën në vlerën 6.4% sa ishin në tetor, nga 6.5% sa ishin në shtator dhe 6.7% sa ishte në muajin gusht të këtij viti. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë mbeti 6.2% siç ishte në tetor, kurse për ato konsumuese u rrit në në 6.6% nga 6.5% sa ishte në tetor, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare mbeti në 6.6% sikurse në muajin tetor të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin nëntor të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 886.0 milionë nga 4. 833.9 milionë euro sa ishte vlera në tetor. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 899.5milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 952.2 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 17.0 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit nëntor 2023, arritën në 5 miliardë e 882.6 milionë euro, nga 5 miliardë e 875.9 milionë sa ishte vlera e tyre në tetor.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 7 miliardë e 174.9 milionë euro.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto 12 mujor i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro. Ndërsa këtë vit, kur jemi ende pa statistikat për fitimet e muajit dhjetor, pritet që fitimi i tyre të tejkalojë edhe 155 milionëshin.

Ndryshe, në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj. /Buletini Ekonomik/