Bizneset shqiptare në Zvicër paralajmërojnë hapjen e dyerve për kosovarët

Bizneset me pronarë kosovarë që veprojnë në Zvicër, kanë paralajmëruar punësimin e qytetarëve nga Kosova gjatë muajve në vijim.

Përfaqësues të tyre kanë thënë se me heqjen e vizave të rinjtë do të kenë më shumë mundësi për të udhëtuar e për të krijuar bashkëpunim me bizneset e huaja.

Një pjesë e bizneseve që veprojnë në Zvicër po synojnë rekrutimin e punëtorëve nga Kosova.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kemi shumë shpresë se pas 1 janarit legjislacioni zviceran do të hapë dyert për punëtorët nga Kosova, në mënyrë që të rinjtë dhe të rejat kosovare të vijnë dhe të angazhohen në bizneset tona”, deklaroi për RTK-në, përfaqësuesi i konsullatës së Kosovës në Gjenevë, Rexhep Bajraktari.

Pronarët e tyre të cilët po ashtu vendlindje e kanë Kosovën thonë se pas një janarit të rinjtë do të kenë më shumë mundësi për të udhëtuar e për t’u njoftuar me punët që bëhen jashtë.

Ndërkaq, disa përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se po punojnë në përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, për të ruajtur stafin.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se një numër i madh i qytetarëve kanë emigruar jashtë vendit ndër vite. Mediat zvicerane raportojnë se mbi 200 mijë kosovarë jetojnë vetëm në Zvicër.

Përndryshe, Ministria e Jashtme ka organizuar të shtunën një aktivitet në Gjenevë për të rritur më shumë bashkëpunimin mes bizneseve që veprojnë në Kosovë dhe Zvicër. Për shkak të kushteve jo të mira të punës e pagave të ulëta përfaqësues të punëtorëve të sektorit privat kanë thënë se mijëra punëtorë kanë lëshuar punën këtë vit.