Kuvendi i Kosovës ditën e enjte ka miratuar buxhetin për vitin 2024, që kap vlerën mbi 3.3 miliardë euro.
Buxheti i planifikuar u kritikua nga partitë opozitare të cilët theksuan se nuk është buxhet i mirëqenies qytetare, ndërsa shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, tha se buxheti i miratuar është për 35 për qind më i lartë se buxheti i mëhershëm.
Por si ka qenë buxheti i shtetit brenda 10 viteve të fundit, dhe cilat ishin vitet ku u ngrit më së shumti.
Në dekadën e fundit, buxheti i Kosovës ka shënuar dyfishim, pra një rritje prej gati 100 për qind.
Në vitin 2014, buxheti i shtetit kishte qenë 1.6 miliard ndërsa për vitin 2024, buxheti i miratuar është 3 miliardë e 314 milionë euro, transmeton Telegrafi.
Telegrafi ka bërë një infografikë, duke bërë krahasimin e buxhetit për këto 10 vite.
Sipas të dhënave të mbledhura, në vitin 2014, buxheti ka qenë 1.589 miliard euro.
Në vitin 2015 buxheti shënoi ngritje në 1.634 miliardë euro, ose 2.86% rritje.
Buxheti u rrit edhe për vitin 2016. Buxheti i miratuar nga Kuvendi i Kosovës ishte 1.678 miliardë euro.
Për herë të parë, vlera e buxhetit e arritur në 2 miliardë euro ishte për vitin 2017.
Buxhet po thuajse i ngjashëm ishte edhe më 2018, ku gjithsej kishte qenë 2,080,480,837 euro.
Në vitin 2019, buxheti kishte arrit në 2.378 miliardë euro.
Gjithashtu, në vitin e pandemisë COVID-19, vitin 2020, buxheti ishte 2,356,860,915 euro, transmeton Telegrafi,
Rritje e buxhetit është vërejtur më shumë në tri vitet e fundit. Në vitin 2021 buxheti ka qenë 2.454 miliardë euro. Kurse, në vitin 2022 buxheti i shtetit u rrit në 2.735 miliardë euro.
Është dashur të kalohen 6 vite që buxheti ta kap vlerën e 3 miliardë eurove, pra vlera e përgjithshme për vitin 2023 ishte 3,211,603,100 euro.
Për vitin e ardhshëm, 2024, buxheti është planifikuar të jetë 3.314 miliardë euro, duke shënuar rritje në 3.19%.