Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka paditur sot Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe nënkryetaren e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelilin lidhur me çështjen e Rrugës “A”, pasi siç tha ajo të njëjtit e kanë akuzuar atë padrejtësisht dhe pa fakte, veç pse është motra e gjyqtares Vlora Pacolli, shkruan Reporteri.net.
Para gazetarëve, Pacolli e VV-së tha se ata kanë shpifur dhe kanë fyer e denigruar personalitetin e saj, duke nxitur kështu qytetarët e Prishtinës kundër saj, në statuset e tyre publike.
Deputetja e VV-së tha se pret që Gjykata ta trajtoj me kujdes lëndën e saj, derisa shtoi se si motra e saj dhe ajo vetë kryejnë punët e tyre profesionale, por që sipas saj Rama, Abdixhiku dhe Kica-Xhelili gjithë këtë e kanë bërë për poena politik.
“Unë sot jam këtu që të dorëzojë një padi kundër Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kundër Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetares së LDK-së dhe deputetes Doarsa Kica-Xhelili, në lidhje me rastin e Rrugës A, për vendimin e Gjykatës Komerciale, ku ata shfrytëzojnë vendimin e Gjykatës, shpifin dhe fyejnë e denigrojnë personalitetin tim duke më akuzuar mua për diçka që nuk është e nuk kanë fakte për këtë. Kështu që unë sot padis këta tre persona për shpifjet që i kanë bërë ndaj meje sepse në statuset e tyre publike kanë nxitur opinionin kundër meje, qytetarët të reagojnë kundër meje pa pasur asnjë fakt. Pres prej gjykatës të marrë vendim dhe të trajtoj lëndën time me kujdes”, tha Pacolli.
“Motra ime e ka punën e vet, unë punën time. Të dyja bëjmë punën tonë profesionale. E kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe kanë akuzuar pa bazë e padrejtësisht vec pse jam motra e gjyqtares Vlora Pacolli”, tha Pacolli para gazetarëve sot.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me ndaljen e punimeve në Rrugën A muaj më parë, pati thënë se një gjë e tillë ndodhi për shkak të një gjykatëse e cila është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet”, ka shkruar ai në Facebook.
“Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me kapje e familjarë”.
Një reagim të njëjtë e kishte pasur edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama. Rama kishte akuzuar gjyqtaren Vlora Pacolli, motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, se vendimin e ka marrë bazuar “plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.
“Motra e Fitore Pacollit ndali Rrugën A, e frikshme, e tmerrshme dhe e pafalshme”, kishte qenë deklarata e Kica-Xhelilit pas ndalimit të punimeve të kësaj rruge.
“Kur del MOTRA e deputetes së VV Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli, dhe vendos masë të përkohshme për ti ndalur punimet e “Rrugës A” në Prishtinë – A është KJO drejtësia që ju donit?”, kishte thënë mes tjerash Kica Xhelili përmes një postimi në Facebook.
Punimet në “Rrugën A” rifilluan në fund të muajit nëntor./Reporteri.net/