Rezultatet zhvillimore në këtë fundvit tregojnë se Qeveria aktuale nuk përmbushi as premtimet, as pritshmëritë, por as nuk i valorizoi mundësitë reale për të zhvilluar ekonomikisht vendin. Kosova edhe më 2023 ka pak investime dhe ka mungesë të energjisë si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese. Nuk ka, praktikisht asnjë gurthemel të vendosur për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri të energjisë së ripërtëritshme, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion të lartë, sado që sivjet ndjeshëm më të ulët se një vit më përpara, ka shumë varfëri, ka shifra të shumta të të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtë kontrollit të ngritjes të çmimeve, ka probleme sociale etj-etj.
Mehmet GJATA
Në përmbyllje të këtij viti, që është, praktikisht, thuaja 3 vjeçari i ardhjës në pushtet të Qverisë Kurti 2, rezultatet e përmbledhura zhvillimore (ekonomike e sociale) tregojnë se Qeveria aktuale nuk përmbushi as premtimet, as pritshmëritë, por as nuk i valorizoi mundësitë reale për të zhvilluar ekonomikisht vendin.
Kosova në këtë fundvit po shënon ngecje evidente në proceset zhvillimore: Edhe më 2023 ka pak investime, ka mungesë të energjisë si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të amortizuara skajshmërisht. Nuk ka, praktikisht, asnjë gurthemel të vendosur për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri të energjisë së ripërtëritshme, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion, sado që sivjet ndjeshëm më të ulët se një vit më përpara, ka varfëri enorme dhe goxha numerikisht ekstreme, ka shifra të shumta të të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtë kontrollit të ngritjes të çmimeve, ka probleme shpërthyese sociale e shumë problem tjera.
Kjo qeveri, në këto vite shpërfaqi edhe vizione, ide të mira për projekte të reja të energjisë së rinovueshme, por jo edhe konkretizim të tyre, ndërkohë që pati edhe sektorin goxha të efektshëm të ndërtimtarisë, dhe nisma, iniciativa konkrete të ndërmarrjeve e kompanive premtuese të teknologjisë informative, shërbimet e të cilave në shumë raste eksportohen tek shtetet e forta financiarisht.
Kosova, fatmirësisht vazhdon ta ketë diasporën e fuqishme dhe akoma të imponueshme financiarisht dhe gjithnjë të ndërlidhur emocionalisht me vendlindjen. Kjo është, pak a shumë, me pak fjalë dhe pa përdorimin e shifrave dhe të dhënave konkrete të treguesve zhvillimor, niveli i përmbushjes së zhvillimit ekonomik në dhjetor të 2023-tës. Dhe, këto zhvillime ekonomike, në njëfarë mënyre, pavarësisht parashikimeve goxha optimiste të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) se Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike, në raport me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (sipas raportit “Perspektivat Ekonomike Rajonale“ të BERZH-it, që pasqyron se rritja ekonomike për vendet e rajonit do të jetë me një mesatare prej 2.2 për qind, ndërsa ajo e Kosovës – 3.5 për qind) dhe një varg prononcimesh të autoriteteve të vendit për arritje zhvillimore, por edhe për rritje investimesh, Kosova realisht po ngec ekonomikisht, po stagnon edhe në realizimin e investimeve kapitale, edhe në tërheqjen e parasë nga investitorë të jashtëm.
Në Kosovë, edhe në këtë vit ka ngritje pa kontroll çmimesh të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre themelore ushqimore, ka varfëri të madhe (sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë), ka papunësi enorme dhe ikje brengosëse të qytetarëve nga vendi i tyre. Pak a shumë, kanë qenë të përafërta edhe parashikimet e Bankës Botërore, të vitit 2022, që, duke parë proceset zhvillimore në Republikën tonë, pati konstatuar se “më 2022 do të ketë rritje ekonomike vetëm 3.1 për qind”, që ishte parashikim për ngecje, ose thënë më së buti, për ngadalësim të rritjes ekonomike.
“Pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat, rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës për vitin 2022 pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind”, pati vlerësuar institucioni prestigjioz financiar ndërkombëtar në raportin “Mbrojtja sociale për rimkëmbje, në kontekstin aktual”.
Në institucionet përkatëse që merren me trajtimin e ecurive zhvillimore, por edhe ndër zyrtarë dhe analistë, është konkluduar jo një herë se në mos përmbushjen e parashikimeve të zhvillimit ekonomik, ndikim të veçantë dhe të ndjeshëm pos krizave globale (fillimisht krizës energjetike, pasojave të pandemisë COVID19 dhe dëmeve nga lufta ruso-ukrainase), ka pasur edhe rënia e investimeve kapitale në Kosovë, edhe në nivel qëndror edhe në atë lokal. Në nivelin qendror, viti i dështimeve të frikshme të investimeve kapitale ka qenë 2022-ta, kur deri në muajin gusht, sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar vetëm 9 për qind investimet kapitale (kishin mbetur të pashfrytëzuara diku mbi 700 milionë euro të dedikuara për investime kapitale). Edhe në nivelin komunal kishin dështuar në shumicën absolute të komunave investimet kapitale.
Buxheti i shtetit të Kosovës më 2022 ka qenë mbi 2.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 720 milionë euro ishin planifikuar për shpenzime kapitale. Nga të dhënat e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve del se për projekte kapitale më 2022 ishin shpenzuar vetëm pak mbi 79 milionë euro. Sipas raportit, në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, për të njëjtin qëllim janë shpenzuar rreth 129 milionë euro, kurse në vitin 2020 rreth 92 milionë euro.
Nga vlerësimet e Institutit GAP, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, shihet se realizimi i investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2022 është më i ulëti në dekadën e fundit. Por, në ngecjen e zhvillimit ekonomik të vendit, në këtë periudhë drejtpërdrejt, ose tërthorazi pati ‘dorë” edhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, me të cilën, qëkur ka filluar pandemia dhe kriza energjetike në vendet perëndimore dhe hapja goxha e vrullshme e dyerve të këtyre vendeve edhe për kosovarët, po ballafaqohen shumë sektorë ekonomikë dhe biznese të vendit.
Përfaqësues të institucioneve që merren me ekonominë, vlersojnë se edhe politizimi i vërejtshëm i sektorëve të ndryshëm ekonomik është ndër faktorët frenues të zhvillimit. Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tani një nga analistët e imponueshëm të ecurive ekonomike, duke insistuar në depolitizimin e ekonomisë thotë se “bordet politike janë pengesë e zhvillimit ekonomik”.
Ai e vlerëson si problem të madh edhe faktin se “Kosova është shndërruar në një shtet social”.
Duhet konstatuar se investimet në përgjithësi, pra edhe ato kapitale, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, edhe ato në infrastrukturë, në periudhën e qeverisjes së kabineteve Kurti 2, nuk kanë qenë të vërejtshme, madje në periudha të caktuara kanë qenë fare simbolike dhe goxha shumë të dështuara, përkatësisht të papërmbushura në asnjë objektiv. Investimet kapitale, bie fjala, në bazë të një raporti të publikuar nga Instituti GAP, më 2020 janë përmbushur vetëm 11 për qind, më 2021- 19 për qind, për të arritur kulmin e dështimeve më 2022, me përmbushje vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit. Por, edhe shifrat e proklamuara të investimeve të huaja nga autoritetet dhe zyrtarë të Kosovës, të realizuara bie fjala gjatë vitit të kaluar (2022) në Republikën tonë, edhe pse duken goxha numra imponues krahasuar me një vit më parë (investimet e Huaja Direkte vitin e kaluar kanë arritur në 778.2 milionë euro”, sipas raportit të fundit të BQK-së, por e proklamuar në disa raste edhe nga zyrtarë të lartë actual), do të ishin shumë mbresëlënëse, po të ishin investime reale të jashtme, prurje e kapitalit të prekshëm të huaj, po të evidentohej ndonjë objekt industrial, apo prodhues çfaredo lloji, qoftë i ngritur nga këto investime. Por, këto prurje të huaja financiare, sipas Raportit të BQK-së, kryesisht janë investuar në patundshmëri, respektivisht në blerjen e banesave nga mërgata kosovare dhe aty-këtu ndonjë tokë.
Pra, edhe më 2022, sikundër edhe në shumë vite të tjera të pasluftës, sektori i patundshmërisë ka vazhduar të mbetet më atraktivi dhe më i rëndësishmi për investime të huaja dhe përbën 67.3 për qind të gjithsej IHD-ve.
Edhe 2023-ta shquhet për dominimin absolut të investimeve të huaja në paluajtshmëri. Investimet në patundshmëri (në blerjen e banesave dhe të lokaleve), qoftë edhe me paranë e ardhur nga jashtë, nuk e kanë efektin as të përafërt të zhvillimit ekonomik, të gjenerimet e kapitalit, të krijimit të vendeve të punës dhe të rritjes reale të zhvillimit ekonomik. Prandaj, investimet e huaja direkte në Kosovë, nuk dalin të jenë edhe aq rezultative dhe të efektshme, megjithë shifrat goxha të larta të apostrofuara. Kjo nënkupton, sipas Edison Jakurtit, njohës i zhvillimeve ekonomike, që IHD-të tek ne janë blerjet e shtëpive, banesave, lokaleve, trojeve, etj., nga diaspora, që nënkuptoon se nuk janë në sektorë produktiv që krijojnë vende të reja pune dhe e stimulojnë zhvillimin.
Të dhënat pra dëshmojnë se me vite Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të jashtme, ndërkohë që në vitet e fundit nuk ia doli që ta sjellë këtu asnjë investitor të madh strategjik, asnjë projekt madhor të tyre. Ç’është më keq, pati edhe raste kur ikën investitorët potencial.
Në këtë mënyrë, Kosova mbeti me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria. Dhe ky trend negativ duket se po vazhdon edhe më tej.
Kritike ndaj ngecjes së investimeve kapitale në këta muajt e shkuar, ka qenë vazhdimisht edhe opozita. Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se buxheti për vitin 2024 nuk do t’i mundësojë Kosovës zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Sipas tij, me buxhetin për vitin 2024, Qeveria Kurti tejkalon 10 miliardë euro buxhet në administrim për katër vite, e përmes të cilit nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt të madh për vendin.
“Kjo qeveri, ashtu siç e filloi mandatin, ashtu dhe po shkon drejt fundit të mandatit të saj qeverisës, duke bartur paratë e qytetarëve të Kosovës nga dora në dorë, por pa lënë asnjë gjurmë substanciale në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e vendit. Pra, për katër vite qeverisje, kjo Qeveri pritet t’i shpenzojë deri në fund të mandatit mbi 10 miliardë euro taksa të qytetarëve, por nuk ka realizuar asnjë projekt madhor për qytetarët e vend”, ka thënë ai.
Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke hedhur akuza të rënda për huqjen e investimeve kapitale gjatë kësaj qeverisje, kohë më parë kishte thënë se “Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transaksione bankare të skemave sociale”.
Edhe përfqaqësuesit tjerë të LDK-së, në një tryezë me temën “Projekt-buxheti i Republikës sё Kosovës pёr vitin 2024”, e mbajtur këto ditë nga Grupi Parlamentar i kësaj partie, kanë thënë se “ndonëse jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie, nuk ka pasur asnjë projekt madhor zhvillimor”, ndërsa edhe buxheti për vitin 2024, sipas tyre, nuk përbën zhvillim ekonomik.
“Mungojnë projektet zhvillimore dhe ideja se si të qeveriset vendi. Jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie dhe nuk kemi asnjë projekt madhor zhvillimor, kryesisht është marrë me çështje sociale”, u shprehën LDK-istët, duke shtuar se “kur kanë qeverisur ata 36% e buxhetit është shpenzuar për investime kapitale”.
Njohësit e rrethanave investuese në Kosovë, interesimin e investitorëve të jashtëm për ta shtrirë kapitalin e tyre te ne, e shohin te bërja të infrastrukturës më të mirë ligjore, por edhe te stabiliteti politik në të gjithë rajonin e Republikës. Dhe sipas tyre, Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Të jetë më e vëmendshme në monitorimin e saktë të zbatimit të ligjeve, duke themeluar në raste të nevojshme edhe mekanizma të rinj për përcjelljen e zbatimit të këtyre ligjeve për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj, që tashmë janë në Kosovë, por edhe investitorëve potencialë, të cilët e shohin Kosovën si destinacion për investim.
Institucionet duhet të fokusohen në investimet në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, t’u ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer në Kosovë. Ndërsa mundësi të reja do të duhej të jetë sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë. Nuk është lehtë të bëhen shpejtë të gjitha këto punë, por janë të arritshme dhe të realizueshme nëse do të kishte vendosshmëri institucionale dhe vullnet politik. Premtimet e Qeverisë Kurti 2 kanë qenë mbresëlënëse, prandaj edhe pritshmëritë për përmbushjen e tyre janë logjike, të arsyeshme dhe të padiskutueshme. Në këtë kontekst, duhet të reflektojë Qeveria aktuale. /Buletini Ekonomik/