Qeveria e Kosovës po vazhdon të kritikohet për mosrealizimin e projekteve të investimeve kapitale. Njohës të ekonomisë, duke folur për Radio Kosovën thonë se bartja e tyre, zbeh ekonominë e vendit.
Njohës të ekonomisë, janë kritikues për sa i përket shpenzimeve për investime kapitale gjatë këtij viti dhe bartjes së tyre në vitin e ardhshëm. Ekonomisti Safet Gërxhaliu, thotë për Radio Kosovën se shumë projekte kapitale, janë të viteve paraprake.
“Shumë projekte të rëndësishme strategjike kapitale, janë paraprakisht me vite paraprake që kanë filluar, dhe një pjesë të mirë të buxhetit 2024 do ta marrin ato. Duhet të ketë partneritet, biznesi kërkon alternativa,nëse nuk ka mbështetje nga shteti, i mbetet kredia, të cilat e ngufatin dhe e bëjnë të pamundur që të ketë një biznes të mirëfilltë në Kosovë apo ambientet të favorshëm. Orientimi që të gjithë të jemi të barabartë në shoqëri është betonimi më i madh që po i bëhet Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, sipas njohësit të ekonomisë, Ardijan Sahiti, projektet e bartura, nuk kanë rëndësi prioritare.
“P.sh: projektet infrastrukturore. Kosova ka arritur që të përmbush një pjesë të madhe të infrastrukturës, dhe prandaj tregu është ngopur. Nuk besoj që do të ketë impakt në zhvillim të shtetit, sepse investimet publike në 90 për qind të rasteve janë bërë në infrastrukturë, dhe kjo ka vërtetuar se nuk ka treguar ndonjë bazë të qëndrueshme të zhvillimit”, theksoi ai.
Projektet e bartura janë kundërshtuar edhe nga opozita në Kuvendin e Kosovës, të cilët në deklarimet e tyre kanë theksuar se në këto investime në projektbuxhetin e vitit 2024, janë shtuar vetëm 48 milionë euro, të cilat siç kanë thënë ata, nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik.
Ata thonë se praktikisht janë stagnim kur 19 për qind e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023, nuk janë realizuar, por barten në vitin buxhetor 2024.