Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka aprovuar edhe një vendim tjetër favorizues për kompanitë e sigurimit, e që ka të bëjë me trajtimin e dëmeve nga sigurimi kufitar. Kompetencat për trajtim të dëmeve nga kjo kategori kanë kaluar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) tek kompanitë veç e veç.
Vendimi, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik, është marrë nga Asambleja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), por që ka marrë edhe aprovimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
“Byroja Kosovare e Sigurimit delegon trajtimin e dëmeve pezull dhe të reja të Sigurimit Kufitar, tek anëtarët e saj, ndërkaq pagesa e dëmeve do të bëhet nga Byroja Kosovare e Sigurimit”, thuhet në pikën e parë të arsyetimit të këtij vendimi.
Në vendim thuhet se për zbatimin e këtij vendimi, delegimi i dëmeve do të zbatohet duke filluar nga data 01.09.2023.
Në bazë të ligjit, për secilin vendim të Byrosë së Sigurimeve, duhet të njoftohet Banka Qendrore për të marrë aprovim paraprak. BQK ka qenë e njoftuar për këtë vendim qysh më datën 7 qershor përmes një komunikimi me email-e të dërguar nga BKS, një kopje të së cilës Buletini Ekonomik e ka sigruar pas kërkesës për qasje në dokumente publike.
Buletini Ekonomik përmes burimeve të sigurta mëson se ky vendim ka marrë aprovimin e BQK-së dhe tashmë ka filluar transferi kompetencave nga BKS tek kompanitë.
Të hyrat nga shitja e policave kufitare sillen rreth 11 milionë euro në vit, kryesisht këtë kategori e dominon diaspora, meqë kartoni i gjelbër prej shteteve prej nga vijnë nuk e mbulon edhe Kosovën.
Buletini Ekonomik ditë më parë ka shkruar edhe për një vendim tjetër të ngjashëm me të cilin kompetencat për trajtim të dëmeve nga BKS u trsnaferuan tek kompanitë e sigurimit. Bëhet fjalë për trajtimin e dëmeve nga aksidentet e shkaktuara nga mjetet motorike të paidentifikuara dhe të pasiguruara.
Në kuadër të BKS-së funksionon Fondi i Kompensimit i krijuar me ligj, i cili ka për qëllim kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet në trafik, në rastet kur shkaktar i aksidentit është një mjet motorik i pasiguruar apo i paidentifikuar. Me vendimin e ri, kjo kompetencë do t’iu kalojë kompanive të sigurimit.
Përmes këtyre dy vendimeve, kompanitë e sigurimit vetë do të vendosin për vlerën e kompensimit si dhe rritet rreziku që rastet qëllimshëm të mos përfundojnë me marrëveshje jashtëgjyqësore, por të kalojnë tek gjykatat.
Vlerësohet diku se rreth 90 për qind e kërkesave për zhdëmtim përfundojnë në gjykata, e të cilat marrin kohë me vite për t’u trajtuar.
Ligji kërkon që dëmet të cilat janë trajtuar nga Byroja e Sigurimit të mund t’i delegohen me kërkesë të kësaj të fundit, vetëm një “strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja”. Krejt kjo me qëllimin që të shmanget konflikti i interesit.
“Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit”, thuhet në nenin 18 të Ligjit Nr. 04/l-018 Për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.
Në BQK nuk janë përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik rreth arsyes prapa një vendimi të tillë. Përgjegjësinë e kanë hedhur tek Byroja Kosovare e Sigurimit. Por, kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
“Në bazë të ligjit, Delegimi i dëmeve nga BKS tek anëtarët e saj, nuk është në kompetencën e BQK-së, kjo është në kompetencën e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme te BKS”, ka thënë Besnik Kada, zyrtar për informim në BQK.
Aktualisht në industrinë e sigurimeve dhe nëpër gjykata, sipas statistikave zyrtare, janë 32 mijë raste që kanë probleme me kompensim të dëmit. Këto raste njihen si dëme pezull, ndërsa kërkesat financiare për këto 32 mijë raste të dëmeve shkojnë deri në 80 milionë euro. Dëmet pezull, janë dëmet që presin, qoftë nëpër kompani të sigurimeve, qoftë nëpër gjykata për tu zgjidhur, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore në dëm të qytetarëve (policëmbajtësve). /Buletini Ekonomik/