Ekspertë, demografë, analistë dhe vrojtues të ndryshëm të lëvizjeve të popullsive, tani kur kanë mbetur fare pak ditë deri sa të fillojë regjimi i udhëtimit pa viza edhe për kosovarët, shprehen të shqetësuar dhe të alarmuar për ikjet edhe më të mëdha të mundshme të kosovarëve dhe pasojave shumë reflektuese në zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe shoqërore të vendit. Ndërsa, ka shumë sinjale dhe parashenja goxha bindëse për ikje më të madhe të fuqisë punëtore nga Kosova pas vitit të ri.
Mehmet GJATA
Statistika alarmuese, të dhembshme dhe tejet brengosëse të emigrimit të shqiptarëve në përgjithësi- të Shqipërisë dhe të Kosovës, kanë defiluar pa pra jo vetëm në mediet në gjuhën shqipe. Sipas këtyre statistikave, del se në periudhën e pasluftës, e sidomos në këto vitet e fundit qytetarë të shumtë të Kosovës dhe të Shqipërisë që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një nga shtetet e BE-së dhe përtej, kanë boshatisur dy shtetet shqiptare brenda një viti, përafërsisht 50 deri në 70 mijë banorë (një qytet thuaja mesatar i Kosovës).
Ndërsa një shtysë direkte këtij migrimi kaq të madh të kosovarëve, por edhe të ballkanasve të tjerë, i kanë dhënë shtetet e perëndimit (në radhë të parë Gjermania), thuaja që nga fillimi i dekadës së shkuar dhe me intenzitet të shtuar në vitet e fundit duke rritur ndjeshëm numrin e lejeve të dhëna për punë dhe sosh të qëndrimit për ardhacakët, pra edhe për shqiptarët. Gjermania është bërë e preferuar për punonjësit shqiptarët dhe ç’është më keq, sidomos për mjekë e infermierë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit.
Ekonomia më e madhe e Europës ka dhënë nga viti në vit më shumë leje qëndrimi për shqiptarët, duke filluar që nga 2020-ta kur Gjermania kishte dhënë 48 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë. Në këtë mënyrë, tashmë e një kohë më të gjatë po e braktisin vendin edhe profesionistët, ata për të cilët Kosova ka më së shumti nevojë. Dhe, numri i kosovarëve është zvogëluar dhe po zvogëlohet, madje drastikisht, nga migrimi.
Nuk ka statistika të sakta në Kosovë, siç ka në vendet e tjera normale të botës për këtë lëvizje, në të shumtën njëkahëshe të popullsisë, por është më se e qartë se nga ikjet e vazhdueshme tashmë janë ulur ndjeshëm numrat e nxënësve në shumicën e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, kanë rënë drastikisht numrat e studentëve në të gjitha universitet kosovare, dhe sidomos në Universitetin e Prishtinës.
Të rinjtë tanë, edhe nxënës dhe studentë të shkëlqyeshëm, po vazhdojnë të braktisin arsimimin e tyre dhe shumë nga ta edhe me nota për admirim dhe fare në fund të shkollës së mesme, ose të studimeve në fakultet, për një vend pune, kudo, ndër shtetet e Perëndimit.
Ndërkohë, ekspertë, demografë, analistë dhe vrojtues të ndryshëm të lëvizjeve të popullsive, tani kur kanë mbetur fare pak ditë deri sa të fillojë regjimi i udhëtimit pa viza edhe për kosovarët në zonën Shëngen, shprehen të shqetësuar dhe të alarmuar për ikjet edhe më të mëdha të mundshme të kosovarëve dhe pasojave shumë reflektuese në zhvillimet e ardhshme ekonomike të vendit.
Sipas tyre, nëse vazhdon ikja kaq e madhe numerikisht e profesionistëve dhe punëtorëve të të gjitha profesioneve, Kosova shumë shpejt do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore, por edhe të kuadrove profesioniste të fushave të ndryshme. Ndërsa, sinjale dhe parashenja goxha bindëse për braktisje më të madhe të fuqisë punëtore nga Kosova pas vitit të ri të pritshëm, ka me bollëk.
Sociologët kosovarë të alarmuar, theksojnë se nga Kosova do ikë e gjithë struktura e re që është e gatshme për të ndikuar në aktivitetin ekonomik.
“Ikja e qytetarëve tanë është një trend që përbën të gjitha nivelet e shkollimit të qytetarëve, e që është e theksuar te gjenerata e re”, alarmojnë sociologët tanë.
Thënë shkurt, pas vitit të ri, vrulli i emigrimit të kosovarëve, shpërngulja pa kthim e tyre drejt botës, sipas vrojtuesve, do të jetë edhe më alarmuese dhe me pasoja të ndjeshme në ecuritë zhvillimore të Kosovës.
Zyra e BERZH-it për Kosovë, kohë më parë ka deklaruar se sfida vjetore për Kosovën është ikja e trurit, ose braktisja e vendit nga njerëzit profesionistë. Numri i kosovarëve po zvogëlohet, madje drastikisht. Fshatra të shumta me 1, 2, 3… nxënës kanë mbetur tashmë në rajonin e Kamenicës, edhe në pjesë të tjera të Anamoravës, në rajonin e Kaçanikut, të Ferizajt e të Dukagjinit, edhe në Llap. Këto janë fakte.
Por, në Kosovë nuk ka statistika të sakta për shifrat dhe numrat e saktë të shqiptarëve, që po ia thonë lamtumirën vendit të tyre, sikundër edhe pararendësit e tyre. Nuk ka as analiza, shqyrtime më serioze të pasojave. Administratorët vazhdojnë të tregohen ose të papërgjegjshëm, ose të pandjeshëm ndërsa zyrtarët autoritarë të pandjeshëm me problemin e zbrazjes së Kosovës. Ndonjë entuziast këmbëngulës, që ende nuk e ka humbur durimin dhe do të preokupohet me problemin e ikjes së kosovarëve, eventualisht mund të shërbehet me statistikat e BE-së, të Eurostat-it dhe të shumë asociacioneve të tjera të Europës, që janë shumë herë të paazhuruara.
Dhe ekspertët alarmojnë me të drejtë. Pasi që sipas të dhënave të statistikave, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.
Nga hulumtimet e bëra, që nga paslufta e deri tani rreth 285 mijë persona janë larguar nga Kosova për në shtetet e Evropës e më gjerë. Kur kihet parasysh numri i banorëve të Kosovës, të vogël pra edhe për nga territori edhe për nga numri i banorëve, edhe shifrat e të ikurve nga vendi ynë në këtë periudhë prej 285 mijë vetave, sado duket ndjeshëm më i vogël se sa ai i të ikurve nga Shqipëria, është marramendës, shqetësues pafundësisht dhe do të duhej të jetë shumë alarmues për autoritetet shtetërore dhe institucionale tonat.
Për të njëjtën periudhë (2008-2020) kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 426 mijë serbë, 337 mijë boshnjakë, 285 mijë shtetas të Kosovës, 195 mijë nga Maqedonia e Veriut dhe më pak se 20 mijë nga Mali i Zi. Në raport me popullsinë, diferenca është edhe më e lartë. Gati 25% e popullsisë shqiptare (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Në vendin e dytë pas Shqipërisë është Kosova (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).
Kosova është vendi me shkallën më të lartë të humbjes së popullsisë si pasojë e migrimit. Kështu është thënë edhe përmes një raporti të më hershëm të publikuar nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, si dhe nga EUROSTAT-i për periudhën 11-vjeçare 2007-2018.
Në tabelën me mbishkrimin “Shumë kombe të Evropës Lindore kanë parë që popullsia e tyre ka rënë ndërmjet viteve 2007 dhe 2018”, Kosova renditet e para në listë me numrin më të madh të migrimit të popullatës jashtë vendit, e pasuar nga Lituania, Letonia, Bonjë e Hercegovina.
Por, të dhënat shqetësuese nuk përfundojnë me kaq. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2009 deri në vitin 2018 mbi 40 mijë shtetas të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia. Mesatarisht në vit, nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 mijë qytetarë. Pra, jemi kampionë. Gjendemi në vendin e parë për zbrazjen e popullsisë, deshëm ose s’deshëm ta pranojmë këtë fakt, ndonëse nuk kemi shifra të sakta për hemorragjinë migruese të kosovarëve, bashkatdhetarëve tanë, se po të kishim shifra të sakta (të publikuara nga institucionet), numri i qytetarëve që po e braktisin vendin do të na tmerronte. Ne nuk merremi me këto statistika. Nuk merret shumë seriozisht dhe me kompetencë të duhur as Enti i Statistikave i Kosovës, as ministritë përkatëse të Qeverisë së vendit, as shoqatat joqeveritare, të cilat zhvatin jo pak mjete nga donacione të ndryshme dedikuar këtyre statistikave.
Nuk merren as demografët, të cilët flasin me të dëgjuara se “po zbrazet Kosova” dhe një fjalë e vetme nuk u dëgjohet gjëkundi për këtë problem kaq shqetësues. Ka humbur ndjeshmëria tek të gjithë këta edhe për këtë problem akut, sikundër që ka humbur edhe për shumë çështje të tjera jetike dhe të rëndësishme për perspektivën eventuale të Kosovës. Tani e 3-4 vjet me radhë prolongohet regjistrimi i popullsisë, operacion tepër i rëndësishëm në këto situata.
Nuk kanë kohë të preokupohen me shqetësimin e madh as politikanët dhe qeveritarët aktual të Kosovës, tek të cilët kosovarët patën shumë shpresa. Janë të zënë me fajësime të pararendësve. Vazhdojnë të premtojnë, edhe për ndaljen e emigrimit një herë e mirë të kosovarëve që po e braktisin përditë Kosovën, numrin e të cilëve nuk e dinë.
Dhe, njerëzit e Kosovës ikin… Me autobusë, me avionë, me vetura, me tragete, nëpërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Do të ikin edhe më shumë që nga fillimi i 2024-tës. Shpresa për të qëndruar në atdhe po venitet, dhe prap, siç po shihet, askujt nuk “ia ndien” për fatin e bashkatdhetarëve, qoftë për ‘të ikurit”, qoftë për këta që kanë mbetur këtu në atdhe. Punë e madhe që nuk dihet numri i ikanakëve. Pse të jenë të rëndësishëm numrat e të ikurve tani në kohë krizash sociale, krizash nga pasojat e ngritjes së çmimeve, nga armata e të papunëve?
Prandaj edhe më 2024 nuk do të kemi të dhëna për pasojat e mungesës eventuale të fuqisë punëtore si rrjedhojë e braktisjes së madhe të Kosovës dhe uljes së popullsisë, për mungesën në rritje të fuqisë punëtore të kualifikuar për shkak të emigracionit dhe ecurisë negative të popullsisë, për sfidat që do ta presin ekonominë tonë. Nuk do të dijmë në asnjë mënyrë kështu as parashikimet për rritjen apo zvogëlimin e ekonomisë, për numrin e saktë të të punësuarve në vend, për nevojat reale energjetike të kosovarëve të tkurrur numerikisht, dhe për shumë çështje të tjera, që janë të domosdoshme për çdo shtet normal. /Buletini Ekonomik/