Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran, raporton Ekonomia Online. Dorëzimin e bënë deputeti Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, që thanë se presin vendim në kohë reale.
Të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në mbrëmje në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran. 62 deputetë votuan pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.
Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.