“Solar4Kosova” do të sigurojë ngrohje qendrore për rreth 38 mijë qytetarë (më herët është thënë se përfitues të kësaj ngrohjeje do të jenë rreth 60 mijë prishtinas), ndërsa ndërtimi i këtij impianti diellor, do të kushtojë mbi 80 milionë euro, ndërsa këto mjete është paraparë të sigurohen nga BERZH, KfW-ja, BE-ja dhe nga Qeveria e Kosovës.
Buletini Ekonomik
Projekti i paralajmëruar, më saktësisht që në fillim të vitit 2022, me emërtimin “Solar4Kosova”, duket se më fund do të ndodhë. Pas nënshkrimit të “marrëveshjes së nën-huazimit dhe nën-grantit mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ngrohtores së qytetit “Termokos”, më 11 dhjetor 2023, janë saktësuar shumë objektiva të njohura dhe të panjohura deri më tash të këtij projekti, realizimi i të cilit do të kushtojë diku rreth 80 milionë euro.
Tani ky projekt është bërë më i kuptueshëm dhe më i qartë për publikun, sidomos për atë kryeqytetas, të cilit, në njëfarë mënyre i dedikohet ai, dhe nga i cili do të përfitojnë më së shumti kryeqytetasit.
Në këtë tekst, Buletini Ekonomik do të elaborojë më detajisht aspekte teknike të projektit, duke u nisur nga funksioni i tij, kostoja e ndërtimit, kapacitetet, numri i përfituesve, mënyra e financimit etj.
Sipas të dhënave të dëgjuara edhe me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, por edhe jo pak herë edhe nga autoritetet e vendit që kanë detyrë zhvillimin energjetik, sidomos ndërtimin e kapaciteteteve të reja energjetike në bazë të burimeve të rinovueshme, projekti në fjalë do të jetë një “ngrohtore diellore”, që i bie të jetë një impiant për prodhimin e energjisë për nevojat e ngrohjes qendrore nga dielli të një numri qytetarësh të Prishtinës.
Më konkretisht: “Solar4Kosova” do të sigurojë ngrohje qendrore për rreth 38 mijë qytetarë (më herët është thënë se përfitues të kësaj ngrohjeje do të jenë rreth 60 mijë prishtinas), ndërsa ndërtimi i këtij impianti diellor, siç u tha më lartë, do të kushtojë mbi 80 milionë euro.
Qytetarët përfitues do të kyçen në rrjetin e Termokosit, i cili do të menaxhojë ngrohjen solare të prodhuar nga kjo “ngrohtore solare’.
Lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, siç është thënë më herët, është fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit. Ndërsa, mjetet financiare të nevojshme për ndërtimin e “Solar4Kosova”, është paraparë të sigurohen nga BERZH, KfW-ja, BE-ja dhe Qeveria e Kosovës.
Sipas një marrëveshjeje paraprake, BERZH-i do të financojë 23.2 milionë euro, KfW-ja 31.6 milionë euro, nga një grant i Bashkimit Evropian do të financohen 21.5 milionë euro, ndërsa kontributi i Qeverisë do të jetë 4.4 milionë euro.
Ky projekt, i vlerësuar si më i madhi në rajon do të mbulojë me panele solare një hapësirë prej 69 mijë metra katror, me kapacitet termik 50 megavatësh dhe do të furnizojë 12 mijë konsumatorë (shtëpi) me mbi 38 mijë banorë në Prishtinë. Mendohet se nga funksionalizimi i këtij projekti pos numrit të apostrofuar të qytetarëve përfitues, do të ketë përfitime të tjera të shumta, sidomos në zbutjen e varësisë së madhe të vendit nga qymyri, pasi që impanti i ri diellor do të zvogëlojë dukshëm emitimin e dioksidit të karbonit. ë këtë aspekt, përfituesi më i madh, gjithsesi, do të jetë Prishtina, ku mendohet se me këtë projekt do të bëhet e mundshme zvogëlimi goxha konkret i ndotjes së kryeqytetit.
Më herët është thënë se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike. Sido që të jetë, projekti “Solar4Kosova”, i paralajmëruar që në mars të vitit 2022, edhe pse i vonuar shumë, po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm për Kosovën, kur ka mungesë evidente të energjisë elektrike, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Ndërsa, dihet, vetëm Parku energjetik në bazë të erës në Selac dhe Shalë të Bajgorës si dhe termocentrali solar “Solar4Kosovo”, edhe kur të finalizohet i tëri, nuk do ndikojnë edhe aq shumë në eliminimin e thëngjillit si resurs, akoma edhe për shumë vite i pacënueshëm energjetik në Kosovë (Kosova sot e kësaj dite rreth 90 e ca qind të energjisë elektrike e prodhon nga termocentralet me qymyr), por me rëndësi është se po nisin të ndërtohen edhe termocentralet në bazë të diellit në Kosovë. /Buletini Ekonomik/