Radhitja e bankave në Kosovë për nga fitimet – Kush fitoi më shumë e kush më pak më 2023?

Viti 2023 llogaritet si viti më i mirë i bankave në Kosovë sa i përket fitimeve. Vetëm nga janari deri në shtator 2023, ato realizuan një fitim neto prej 123.6 milionë euro.

Por cila është radhitja e bankave në Kosovë për nga fitimet? Kush fitoi më shumë e kush më pak më 2023?

Shoqata e Bankave të Kosovës publikon çdo tre muaj një raport që përmban të gjithë indikatorët e përformancës të sektorit bankar.

Reklama e sponzorizuar

Sipas këtij raporti, për periudhën janar-shtator 2023, dy bankat me fitimet më të mëdha ishin banka Raiffeisen dhe banka NLB.

Raiffeisen kishte profit të pastër prej 28 milionë euro, ndërsa NLB – 27 milionë e 303 mijë euro.

Me radhë për nga fitimet vjen banka TEB me 18 milionë e 438 mijë euro, e pasuar nga banka ProCredit me një fitim të pastër prej 16 milionë e 309 mijë euro.

Banka Ekonomike për këtë periudhë pati një fitim të pastër prej 9 milionë e 313 mijë euro, kurse Banka për Biznes – 7 milionë e 489 mijë euro.

Ndërkohë, katër bankat tjera, Ziraat Bank, IS banka, banka Credins dhe Pribank, të gjitha së bashku kanë raportuar fitime pak mbi 1 milion euro. /Buletini Ekonomik/