Rasti Z-Mobile: Komercialja vendos në favor të Telekomit për pjesën e kontestuese të borxhit prej 5.7 milionë euro

Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka kthyer në rigjykim një vendim të shkallës së parë të kësaj gjykate, me të cilin Telekomi detyrohej t’ia kryente kompanisë Dardafon edhe një pjesë të mbetur të borxhit prej 5.7 milionë euro.

Fjala është për borxhin e mbetur në rastin me Z-Mobile, pas vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës kishte dështuar t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G, siç obligohej me kontratë.

Mirëpo, Telekomi e kishte kontestuar një pjesë të borxhit disa herë nëpër gjykata, duke pretenduar se janë “fryrë” faturat nga kreditori, kompania “Dardafon.net. Kjo e fundit ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile”, si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

Reklama e sponzorizuar

Beteja mes Telekomit dhe Z-Mobile tash po vazhdon për rreth 6 milionë euro, si pjesë e mbetur e borxhit që po kontestohet.

Gjykata Komerciale e shkallës së parë kishte vendosur në favor të kompanisë Dardafon dhe vetëm pritej që ky ‘borxh i mbetur’ t’i transferohej kompanisë përmes përmbaruesit privat. Por, ankesa e Telekomit në shkallën e dytë e ka kthyer rastin sërish në rigjykim.

Buletini Ekonomik ka siguruar Aktvendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, përmes të cilit lënda kthehet në rigjykim për pjesën kontestuese të borxhi prej 5.7 milionë euro.

“Aprovohet e themeltë ankesa e debitorit “Telekomi i Kosovës” sh.a. me seli në Prishtinë. Prishet aktvendimi i Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e shkallës së parë KPPP.nr.365/23 të dt.17.07.2023 dhe çështja i kthehet Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomave të shkallës së parë në rishqyrtim dhe vendosje”, thuhet në aktvendimin e datës 30 nëntor 2023.

Shkalla e dytë ia njeh Telekomit të drejtën që të kërkojë ekspertizë të re financiare lidhur me pretendimet e saj.

Ndryshe në maj të vitit 2017 Telekomi i Kosovës dhe operatori “Z-Mobile” kishin njoftuar se kishin arritur marrëveshje lidhur me vendimin e Arbitrazhit, i cili e obligonte Telekomin t’i paguante rreth 30 milionë euro dëmshpërblim operatorit “Z-Mobile”.

Marrëveshja e arritur në vitin 2017 ishte zbatuar pjesërisht. Më vonë, Telekomi i Kosovës ju ka referuar sërish gjyakatave se borxhi i mbetur nga Z-Mobile është rreth 25 milionë euro, duke ngritur pretendime për ‘fryrje’ të faturave nga kompania Dardafon. /Buletini Ekonomik/