Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sot në një konferencë për media theksoi se këtë vit pushteti rëndoi mirëqenien e qytetarëve përmes vendimeve të dëmshme.
Tahiri para gazetarëve theksoi se tri nga angazhimet më kryesore të cilat PDK i ka kundërshtuar, e të cilat e kanë vështirësuar jashtëzakonisht jetën e qytetarëve të Kosovës, fatkeqësisht kanë kaluar me insistimin dhe votën e Lëvizjes Vetëvendosje.
“PDK e ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike mbi 115 %. Ne kemi propozuar edhe rezolutë përmes së cilës kemi kërkuar që të rishikohet çmimi i energjisë, që po del të jetë i papërballueshëm për ekonomitë familjare të vendit tonë.
PDK ka kundërshtuar edhe rritjen e tatimit në pronë me 100 %, si një tjetër vendim i kësaj shumice që ka rënduar jetën e qytetarëve tanë. Edhe për këtë temë PDK ka propozuar rezolutë dhe aktualisht është në rishikim ligji për tatimin në pronë.
Dhe, çështja e tretë për të cilën PDK ka avokuar dhe të cilën ky pushtet e ka kundërshtuar, është heqja e TVSH-së për produktet esenciale ushqimore. Për të gjitha këto është angazhuar PDK, e të gjitha i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje, duke rënduar jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë shefi i Grupit parlamentar i PDK-së.
Më tej, Tahiri ka thënë se si rrjedhojë e humbjes së shpresës dhe rritjes së kostos së jetesës, fatkeqësisht, në tri vitet e fundit ka një shifër alarmante të qytetarëve të cilët e kanë lëshuar Kosovën.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së e ka përmendur edhe rezolutën e partisë së tij që e ka propozuar për të mbështetur Policinë e Kosovës, e të cilën sipas tij, Vetëvendosje nuk e ka pranuar.
“Gjatë këtij viti, vendi ynë është sulmuar nga një grup terrorist nga Serbia, ku kemi parë një reagim tejet profesional të Policisë tonë. Për këtë arsye dhe të tjera, PDK ka propozuar një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar që për Policinë tonë të realizohen shtesat, pensionimi i parakohshëm dhe të buxhetohet për vitin tjetër sigurimi shëndetësorë për ta. Fatkeqësisht dhe padrejtësisht, Vetëvendosje e ka kundërshtuar edhe këtë rezolutë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka përmendur edhe një numër të ligjeve dhe vendimeve që ka nxjerrë shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, të cilat siç thotë ai kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit tonë.
“I kemi dërguar gjashtë ligje dhe tri vendime të shumicës parlamentare për kontestim në Gjykatën Kushtetuese. Deri më tani, për dy ligje kemi marrë përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese ndërsa katër ligje dhe tri vendime priten të procedohen në fillim të vitit tjetër”, ka thënë Tahiri.
Kryetari i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, ka folur edhe për Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, i cili, sipas tij, është diskriminues për qytetarët e komunave të cilat nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.
Tahiri ka kritikuar edhe agjendën parlamentare dhe menaxhimin e punës në Kuvend nga shumica parlamentare.
Ai po ashtu ka folur edhe për afera korruptive.
“Përmes seancës së jashtëzakonshme kemi kërkuar shkarkimin e bordit të KEK-ut dhe kryeshefit të saj. E dini, rreth 50 kontrata njëburimore, në vlerë prej 76 milionë euro nga kjo korporatë, kanë qenë burim i korrupsionit. Kemi ngritur zërin edhe për keqpërdorimin dhe abuzimin me rezervat shtetërore. Kemi kërkuar shkarkimin e Ministres Hajdari, e cila, edhe pse ka shpenzuar taksat e qytetarëve për blerje të rezervave si gruri, vaji e sheqeri, një pjesë e këtyre mallrave nuk kanë ardhur asnjëherë në vendin tonë. Mbi të gjitha, abuzimet e kësaj Qeverie me taksat e qytetarëve ka qenë angazhimi i një këshilltari si Gani Jakupi, i cili, edhe pse nuk dihet saktë se çfarë detyre ka, e padyshim pa asnjë rezultat pozitiv për Kosovën, paguhet nga 7500 euro në muaj”, është shprehur i pari i deputetëve të PDK-së.
Sipas tij, e vetmja gjë pozitive e vitit 2023 është Ligji për reformën zgjedhore.