Tregjet globale ndalin rritjen – Investitorët tërheqin fitimet e nëntë sesioneve të fundit

Bursat europiane po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm, duke ndjekur tendencën e tregjeve globale. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie me 0.3%, ndërsa sektori i automjeteve kryeson humbjet, në rënie me 1%.

Edhe shumica e tregjeve aziatike patën një tendencë në rënie, me indeksin e Tokios, Nikkei që ra me 1.6%. Humbjet vijnë pasi edhe Wall Street ra ndjeshëm të mërkurën, pasi investitorët tërhoqën fitimet, pas nëntë ditësh me radhë në rritje.

Tashmë investitorët po presin të dhënat e rishikuara mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto në SHBA, që do të publikohen ditën e sotme, dhe indeksin e shpenzimeve të konsumit personal, që publikohet të premten.

Reklama e sponzorizuar

Ekonomistët e anketuar nga Reuters parashikojnë se ekonomia amerikane do të jetë rritur me 5.2% me bazë vjetore, gjatë tremujorit të tretë të vitit, ndërsa shpenzimet personale të jenë rritur me 2.3%, gjatë së njëjtës periudhë.

Në sesionin e kaluar, bursa e Londrës realizoi performancën më të mirë, me indeksin FTSE 100 që u rrit me 1.3%, për shkak se inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar u ngadalësua në 3.9% për nëntorin.

Për sa i përket vitit të ardhshëm, analistët parashikojnë se tregjet do të përballen me disa paqartësi, duke përfshirë mundësitë e një recesioni, rreziqet gjeopolitike dhe politikat monetare nga bankat qendrore. /Scan tv/