Ish-këshilltari i Kurtit emërohet zv/guvernator në BQK

Milot Cakaj, ish-këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, është emëruar sot zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Cakaj ishte emëruar nga kryeministri Kurti si këshilltar politik i tij më 20 mars të vitit 2020, në Qeverinë Kurti I, përcjell Buletini Ekonomik.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) sot përmes një njoftimi për media, pas mbledhjes së Bordit, ka konfirmuar se tashmë i kanë plotësuar edhe dy pozitat e Bordit Ekzekutiv për zëvendësguvernator në BQK.

Reklama e sponzorizuar

Përpos Cakajt, si zëvendësguvernator tjetër është emëruar edhe Nesrin Shileku – Shala, të cilët me të marrë këtë pozitë do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme.

“Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Me përfundimin e këtij procesi, sipas BQK-së, tashmë  janë plotësuar të gjitha strukturat vendimmarrëse të BQK-së të përcaktuara në Ligjin e BQK-së dhe Strukturën Organizative. /Buletini Ekonomik/

Njoftimi i plotë nga BQK:

Kompletohet Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 24 janar 2024 ka emëruar dy zëvendësguvernatorë, duke kompletuar kështu Bordin Ekzekutiv, sipas Strukturës së re Organizative të miratuar në muajin nëntor 2024, bazuar në rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit.

Zëvendësguvernatorët e emëruar znj. Nesrin Shileku – Shala dhe z. Milot Cakaj do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme.

Të tre zëvendësguvernatorët së bashku me Guvernatorin përbëjnë Bordin Ekzekutiv, vendimet e të cilit janë kolegjiale.

Me përfundimin e këtij procesi plotësohen të gjitha strukturat vendimmarrëse të BQK-së të përcaktuara në Ligjin e BQK-së dhe Strukturën Organizative. Këto ndër të tjera ishin edhe kërkesat nga Programi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe rekomandime nga misionet e tij.