Gjoba të papërfillshme nga KPM-ja për kabllorët “mashtrues”

Mehmet Gjata

Gjobat e shqiptuara nga KPM-ja janë qesharake të vogla dhe të papërfillshme fare për kabllorët e fuqizuar financiarisht nga mijëra pakot e shfrytëzimit kontraktues të kanaleve të DigitAlbi-t.

Mehmet GJATA

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ditë më parë iu ka shqiptuar gjoba katër shpërndarësve të rrjetit kabllor në Kosovë, në vlerë 100 mijë euro. Sipas vendimit të marrë nga Bordi i KPM-së, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro.

Këto dënime janë shqiptuar për shkak se nga fillimi i janarit e deri më tani, në KPM ishin deponuar mbi 300 ankesa nga klientët e këtyre operatorëve për largim pa paralajmërim të kanaleve të DigitAlb-it nga transmetimi.

Klientët e kabllorëve, siç është e njohur, janë ankuar kryesisht edhe për pamundësinë e shkëputjes së kontratave para kohe nga kabllorët, edhe pse ndryshimet në platformë ishin bërë pa paralajmërim. Nga totali i numrit të ankesave të adresuara në KPM, 221 ishin ndaj Artmotion, 87 kundër Kujtesës, 23 për IPKO-n dhe 9 ankesa për Telkosin.

Reklama e sponzorizuar

Sipas KPM-së, disa nga shkeljet e këtyre kabllorëve përfshijnë: mosnjoftimin e klientëve 30 ditë më herët për ndryshimin e përmbajtjes programore; mosofrimin e listës së kanaleve bashkë me kontratë për klientët; dhe mosnjoftimin e KPM-së për ndryshim në katalogun e programeve televizive.

Të gjitha këto fakte për shkeljen e kontratave të kabllorëve me klientët, tashmë janë të njohura për publikun edhe nga seria e teksteve hulumtuese, të botuara ditë më parë te Buletini Ekonomik. Mirëpo, ka mbetur goxha në margjina, madje pa sqarime bindëse shpegimi i kryetarit të Komisionit të Pavarur të Medieve, Jeton Mehmeti, të bërë në njërin nga televizionet e vendit, pas shpalljes së dënimeve për shpërndarësit e sipërpërmendur të kabllorëve.

Mehmeti, publikut i ka shpjeguar me këtë rast se kriter bazë për shqiptimin e gjobave ndaj kabllorëve mashtrues KPM-ja ka pasur numrin e ankesave. Dhe, sado që këtë kriter për shqiptimin e sanksioneve ndaj kabllorëve kreu i KPM-së e proklamoi goxha me ”mburrje”, po të analizohen mirë e mirë rrethanat kosovare dhe zhgënjimi i kosovarëve shumicë me ecuritë e shqyrtimeve të ankesave të tyre të të gjitha llojeve, përkatësisht averzioni i tyre i krijuar ndër vite nga vonesat ë pakuptueshme të shqyrtimit të ankesave, por edhe epilogjeve të tyre, del që fare pak qytetarë të Kosovës ushtojnë të drejtën e ankesave.

Edhe në rastin e shkeljes eklatante të kontratave me klientët nga kabllorët dhe për pamundësinë e shkëputjes së kontratave para kohe nga kabllorët, edhe pse ndryshimet në platformë ishin bërë pa paralajmërim, pati fare pak ankesa.

Numri prej 300 ankesash nga klientët e këtyre operatorëve për largim pa paralajmërim të kanaleve të DigitAlb-it nga transmetimi, është absolutisht minimalist dhe thuaja simbolik, kur dihet numri i klientëve të përgjithshëm të Artmotion dhe të Kujtesës, bie fjala, që është dhjetëra mijëra, ndërsa te Artmotion përflitet edhe përtej qindmijëshit.

Ndërsa numri i klientëve të këtyre operatorëve që kanë lidhur kontrata për shfrytëzimin e kanaleve të DigitAlb-it në kuadrin e numrit të përgjithshëm të klientëve, është pa diskutim shumë i madh, dhe sipas të dhënave që kalkulojnë njohësit e ecurive të kabllorëve në Kosovë, është diku te 60-70 përqindëshi.

Në këtë mënyrë, po të llogariten dhjetëra mijëra kontrata të Artmotion dhe të Kujtesës me çmimin e pakos për shfrytëzimin e kanaleve të DigitAlbi-t, që është saktësisht 24 euro, shihet sa miliona euro saktësisht kanë arkëtuar këta dy kabllorë. Dhe, shumat e gjobave të shqiptuara nga KPM-ja janë qesharake të vogla dhe të papërfillshme fare për kabllorët e fuqizuar financiarisht nga pakot e shfrytëzimit kontraktues të kanaleve të DigitAlbi-t.

Prandaj, dita kur u shqiptuan këto gjoba ndaj operatorëve kabllorë nuk ishte ditë e sundimit të ligjit, as ditë kur KPM-ja është vënë në shërbim të publikut, siç e vlerësoi një juriste për medie, por ishte ditë kur KPM-ja u “u vendos” praktikisht prapë në shërbim të operatorëve dhe veproi kundër shërbimit ndaj publikut. Sepse, dënimet prej 64 mijë eurosh (Artmotion), dhe 26 mijë euro (Kujtesa) janë hiçgjë krahasuar me miliona euro nga mijëra kontrata me shfrytëzuesit e kanaleve televizive të DigitAlbi-t. Dhe këto dënime, po t’ia shqiptonin vetvetes këta dy operatorë do të dukeshin dhe do të vlerësoheshin si dënime sa për të thënë.

Prandaj, operatorët kabllorë, Kujtesa dhe Artmotion, ndër më të njohurit në Kosovë, së paku për nga përfshirja numerike e kanaleve të ndryshme televizive vendore dhe të huaja, që nga 1 janari, vazhdojnë të kenë sjellje të njëanshme ndaj klientelës dhe pa asnjë paralajmërim paraprak, kanë guximin të heqin numër të madh kanalesh televizive, siç janë të gjitha kanalet e SuperSPORT-it nga Shqipëria (7 kanale), SuperSPORT-it të Kosvës (5-6 kanale), të gjitha kanalet e TV Klanit të Shqipërisë dhe TOP CHANNEL-in, kanale këto që kanë funksionuar në kuadër të DigitAlb-it. Dhe, klientelës dhjetëra mijëshe të rezignuar nga këto veprime, nuk u lejohet prishja e kontratave, as ndërrimi i tyre me pako që kushtojnë më lirë. Ata vazhdojnë të paguajnë për kanalet e kontraktuara, të cilat nga 1 janari 2024 janë inekzistente. Deri kur, s’ka përgjigje, as nga KPM-ja as nga ARKEP-i. /Buletini Ekonomik/