Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka reaguar sot ndaj ankesave të shumta të qytetarëve për heqjen e dhjetëra kanaleve televizive të DigitAlb nga platformat e operatorëve kabllor në Kosovë.
Ndonëse, në kontratat e klientëve, dispozitat ligjore mbështeten vetëm në rregulloret e ARKEP-it, kjo e fundit thotë se përgjegjëse për adresimin e ankesave nga qytetarët për largimin nga transmetimi të kanaleve përkatëse, është Komisioni i Pavarur për Media (KPM).
Ndërkohë, sipas disa kontratave të klientëve me operatorët përkatës që i ka parë Buletini Ekonomik, ato mbështeten në Rregulloren për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike, e cila është e hartuar nga ARKEP-i. Kjo rregullore aktualisht ua pamundëson klientëve që t’i shkëpusin kontratat me operatorët kabllor, edhe në rastet kur ka largim të kanaleve pa paralajmërim si në rastin e fundit.
Mirëpo, ARKEP në një përgjigje për Buletinin Ekonomik thotë se janë duke u munduar të ndryshojnë këtë rregullore, për t’ju mundësuar klientëve shkëputjen e kontratave sipas dëshirës.
“Në këtë drejtim, duke qenë të vetëdijshëm për faktet e referuara më lartë dhe marrë për bazë numrin e ankesave gjithnjë e në rritje të konsumatorëve, ARKEP e ka konsideruar të nevojshme që të adresohet edhe kjo çështje dhe vendosen dispozita të caktuara, të cilat përfshijnë të drejtën e konsumatorëve për ndërprerjen e kontratave të kombinuara për secilin element të saj, duke përfshirë kanalet televizive”, thuhet në përgjigjet e tyre.
Për më tepër, ata thonë se “duke pasur parasysh kompetencat e ARKEP në këtë çështje dhe me qëllim të adresimit sa më të shpejtë të saj, para disa ditësh është realizuar takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Institucion ky përgjegjës për shërbimet audio-vizuele, ku ndër temat e diskutuara ka qenë edhe kontratat e konsumatorëve me ofruesit e shërbimeve televizive. Prandaj, ju informojmë se ARKEP nuk është kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve”, shpjegojnë tutje ata.
Ndërkohë, Buletini Ekonomik gjatë ditës ka raportuar për ankesat e konusmatorëve rreth heqjes së dhjetëra kanaleve të DigitAlb nga transmetimi pa asnjë paralajmërim nga platformat e operatorëve Artmotion dhe Kujtesa, në kundërshtim me rregulloret në fuqi të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Klientët kanë thënë se ndihen të mashtruar nga këto dy kompani, pasi në kohën kur i kanë nënshkruar kontratat me këta dy operatorë, ata kanë zgjedhur pikërisht ofertat ku ishin të përfshira edhe kanalet e DigitAlb.
Pra, ky veprim nga ana e kabllorëve në fjalë, është bërë pa paralajmërim të klientëve për këtë ndryshim, ani pse ARKEP i obligon të njëjtat përmes rregulloreve që paralajmërimi të bëhet 30 ditë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
Por, Rregullorja që e përmend vet ARKEP-i, iu jep të drejtë operatorëve kabllor, në çështjen e pamundësisë së shkëputjes së kontratave me konsumatorët para kohe.
Sipas kësaj Rregulloreje, konsumatorët mund të shkëpusin kontratat me operatorët vetëm pas nëntë (9) muajve të parë prej datës kur është nënshkruar kontrata mes palëve, dhe kurrsesi para kësaj periudhe.
Pra, vetëm pas kalimit të nëntë muajve të pare të marrëveshjes, konsumatorët janë të lirë t’i shkëpusin kontratat pa u ndëshkuar nga operatorët, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkaq, në rastet kur kontrata kërkohet të shkëputet para 9 muajve të parë, atëherë në bazë të rregullores së ARKEP-it, operatorët kabllor gëzojnë të drejtën e kërkimit të kompensimit të dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës.
Kjo e drejtë iu jepet atyre përmes nenit 5, pikës 5.7 të “Rregullores për Kontratat, Transparencën dhe Publikimin e Informatave dhe Masave Tjera Mbrojtëse Për Përdoruesit Fundorë për Ofrimin e Rrjeteve dhe Shërbimeve Publike të Komunikimeve Elektronike” të ARKEP-it, në të cilën thuhet se:
“5.7 -Ndërmarrësi mund të kërkoj kompensimin e dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë kur kontrata është e lidhur për 12 muaj, respektivisht 12 muajve të parë kur kontrata është e lidhur për 24 muaj. ”.
Mirëpo, edhe ky ndëshkim apo kompensim i dëmit nuk mundet kurrsesi të tejkalojë tarifën e parapagimit mujor për periudhën prej nëntë (9) muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 9 të Rregullores.
Por, në anën tjetër, sipas kësaj rregulloreje, konsumatorët e secilit rrjet të shërbimeve kabllore kanë të drejtën e plotë t’i shkëpusin kontratat me ta pa u ndëshkuar, nëse operatori e paralajmëron paraprakisht klientin rreth modifikimit të kushteve të kontratës jo më vonë se 30 ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.
E në rast të mospajtimit me ndryshimin e kushteve nga operatori, parapaguesi pra, konsumatori, ka të drejtë që pa asnjë pasojë ta shkëpusë kontratën në fjalë, edhe pse është para kohe.
Gjithashtu edhe në rastet e rritjes së tarifave, konsumatorët kanë të drejtë të shkëpusin kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.
Në nenin 5, pikat 5.1, 5.2, 5.3 të kësaj rregulloreje të ARKEP-it përkufizohet kështu:
5.1. Parapaguesit kanë të drejtë që të shkëpusin kontratën e tyre pa u ndëshkuar pas paralajmërimit për modifikim të kushteve të kontratës të propozuara nga ndërmarrësit që ofrojnë shërbime dhe/ose rrjete të komunikimeve elektronike.
5.2 Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën.
5.3 Në rast të rritjes së tarifës, parapaguesi ka të drejtë të shkëpus kontratën pa u ndëshkuar deri në ditën e fundit të muajit pas pranimit të faturës së parë si rezultat i këtyre ndryshimeve.”
Pra, të gjitha nenet në kontratat e nënhkruara nga klientët e Kujtesës dhe ArtMotion bazohen në Rregulloren e ARKEP-it, ndërsa këta të fundit thonë se përgjegjëse për përmbajtjet e transmetuara në televizione dhe ndryshimin e shërbimeve, është Komisioni i Pavarur për Media (KPM). /Buletini Ekonomik/