Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mirëpritur vendimin e fundit të marrë nga Banka Qendrore e Kosovës për ndalimin e përdorimit të një valute të huaj në Republikën e Kosovës, duke thënë se ky vendim është dashur të aplikohet edhe më parë.
Në njoftimin për media nga Dhoma e Tregtisë, thuhet se fatkeqësisht, përdorimi i mëtutjeshëm i dinarit serb nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, tani e 25 vjet ka shkaktuar dhe po shkakton dëme qindra milionëshe buxhetit të Kosovës.
Në njoftim thuhet se asgjë nga shitjet të cilat bëhen përmes kësaj valute, nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës.
“Përveç kësaj, sipas legjislacionit në fuqi përdorimi dinarit është antiligjore dhe antikushtetuese. Nga 1 Shkurti 2024 sipas Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme, valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se aktualisht në Kosovë janë mbi 50 mijë qytetarë serbë, duke përfshirë këtu edhe pensionistët, të cilët paguhen nga shteti i Serbisë në dinarë, ndërsa punojnë në institucione paralele të shëndetësisë, arsimit dhe kulturës që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
“Si Dhomë e Tregtisë konsiderojmë se ky Vendim është shumë i mirëseardhur dhe i njëjti është dashur të aplikohet edhe më parë”, përfundon njoftimi.