Euro, valuta zyrtare e Kosovës, nuk duhet të adresohet asesi te bisedimet me Serbinë

Të gjithë zyrtarët kompetentë, të pozitës dhe ata opozitarë, duhet një orë e më parë të ngrisin zërin dhe t’ju bëjnë me dije BE-së dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian se Kushtetuta e Kosovës, Kodi Penal, dhe ligjet për Bankën Qendrore e përcaktojnë saktësisht dhe pa ekuivoke Euron si monedhë të vetme të lejuar për përdorim si mjet pagese, dhe se BQK është autoriteti i pavarur bankar në vend, siç është paraparë në Kushtetutën e shtetit të Kosovës. Zëra kundërshtimi nga serbët e Kosovës dhe nga Serbia, që në ditën e parë pas miratimit të Rregullores së BQK-së, por edhe aludime ‘ogurzeza’ të zyrtarëve të BE-së rreth kësaj Rregulloreje…

Mehmet Gjata

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet për paratë e gatshme, e miratuar më 27 dhjetor 2023 dhe që do të fuqizohet më 1 shkurt 2024, ku decidivisht parashihet se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro, në bazë të të gjitha interpretimeve zyrtare, por edhe të institucioneve joqeveritare dhe të analistëve në vend, është e ligjshme tërësisht, është legjitime dhe përmbajtja e saj është e përfshirë edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj Rregulloreje.

Ndërsa, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, “Rregullorja nuk sjell ndonjë ndryshim në listën e mjeteve të lejuara të pagesave, duke përputhur të gjitha specifikat me neni 11 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Bislimi theksoi se “Në Republikën e Kosovës – monedha e vetme e lejuar për përdorim si mjet pagese është Euro, dhe se BQK vazhdon të jetë autoriteti i pavarur bankar në vend, siç është paraparë në këtë nen të Kushtetutës” dhe shtoi se “çdo sugjerim për anulimin e përdorimit të dinarit është i pavend pasi kurrë nuk ka qenë i lejueshëm”.

Zëvendëskryeministri ka sqaruar se asnjë valutë tjetër rajonale, duke përfshirë dinarin, të asnjë shteti fqinj nuk është përmendur në këtë rregullore prej 40 faqesh.

“Çdo interpretim tjetër është i pasaktë dhe ka për qëllim manipulimin e opinionit publik,” tha Bislimi, duke nënvizuar rolin e BQK-së në dizajnimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave monetare. Edhe në dokumentin e publikuar të Bankës Qendrore të Kosovës “Pyetjet dhe Përgjigjet më të Shpeshta mbi Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme”, që janë sqarime shtesë pas aprovimit të Rregullores për Operacionet me Paratë e Gatshme”, thuhet se “Valutë e vlefshme për pagesë si mjet pagese i ligjshëm është vetëm Euro”.

Edhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë për medien e vendit se në Kosovë vetëm valuta Euro është zyrtare dhe se ndalimi i valutave tjera nuk mund të bëhen me rregullore përderisa ekziston Ligji.

Mehmeti thotë se në Kushtetutën e Kosovës tregohet qartë se duhet të përdoret vetëm një valutë e vetme dhe se ndalimi i dinarit ka ndodhur që nga viti 1999, në kohën e konvertimit të markës gjermane.

“…kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutë, më saktë me nenin 11-të, pastaj me nenin 16, me nenin 17 dhe 18 të Ligjit të Bankës Qendrore, ku më saktësisht neni 16 e specifikon kur thotë se ‘është valuta e vetme që do të përdoret’”, thotë Mehmeti.

“Valutat tjera mund të përdoren për ruajtje fizike, në llogari për pagesa ndërkombëtare por jo më shumë. Pra, kemi një valutë të vetme zyrtare që është valuta euro. Pa dashtë me elaburu rregulloren por rregullorja e adreson atë çka thuhet në ligj e që ky ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare në maj të 2012-ës”, ka thënë Mehmeti.

Duhet thënë se Rregullorja e BQK-së, respektivisht rikonfirmimi i vendimit se valutë e vlefshme për pagesë si mjet pagese i ligjshëm në Kosovë është vetëm Euro-ja, është përkrahur thuaja unanimisht nga kosovarët, pos banorëve serbë dhe subjekteve politike që përfaqësojnë ata, të cilët çdo vendim ku shprehet edhe minimalisht identiteti i shtetit të Kosovës e kundërshtojnë me të gjitha mënyrat. Dhe, zëra kundërshtimi nga serbët e Kosovës, janë dëgjuar që në ditën e parë pas miratimit të Rregullores së BQK-së. Këto kundërshtime tashmë janë bërë të ditura nëpërmjet medieve, sikundër që dihet se, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë, popullsia atje ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë. Deri më tani, dinarët në Kosovë kanë qarkulluar dhe qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila vepron në vendbanimet e banuara me serbë në Kosovë.

“Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postes) dhe “NLB Komercijalna banka”, njoftojnë mediet.

Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”. Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta jo-euro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kosova do t’i ndalë transaksionet me dinarë.

Lidhur me Rregulloren e re të BQK-së ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po synon “të dëbojë serbët pa përdorur armë”.

“Vendimi i regjimit të Albin Kurtit që nga 1 shkurti të ndalojë përdorimin e dinarit serb në Kosovë e M. është në fakt vendim për të dëbuar serbët nga këto zona pa përdorur armët”, ka shkruar Lista Serbe në Facebook.

Lista Serbe ka thënë se duhet të jetë alarm për përfaqësuesit ndërkombëtarë që të veprojnë sa më shpejt për “ta ndaluar çmendurinë e Kurtit para se të jetë tepër vonë”.

Dhe, çuditërisht, përkundër gjithë këtyre dokumenteve që dëshmojnë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (institucioni zyrtar dhe kompetent i shtetit të Kosovës), është autoriteti i vetëm monetar në Republikën e Kosovës që mund të vendosë për valutën e vlefshme për kryerjen e pagesave dhe denominimet përkatëse, reagimet e zyrtarëve të ndryshëm nga BE-ja, ndër ta edhe nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Petar Stano, zëdhënës i BE-së, vazhdojnë të japin deklarata konfuze, të paqarta, por edhe sosh që indirekt, ose në mes rreshtash, shprehen diskutueshëm rreth autoritetit të vetëm monetar të shtetit të Kosovës.

Lajçak ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin (ky informacion nuk ësjhtë përgënjeshtruar nga asnjë autoritet dhe as zyrtar i Kosovës).

Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, lidhur me vendimin e BQK-së, sipas medieve ka thënë se “blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje”.

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.

Stano përsëriti thirrjen për të dyja palët që “edhe këtë çështje ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja”.

Ndërkohë Besnik Bislimi, nuk është deklaruar rreth bisedimevve me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, sado që në statusin e tij të botuar në rrjetet sociale, ka sqaruar konfuzionin rreth rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës. Bislimi, pra e ripërsëriti se në Republikën e Kosovës monedha e vetme e lejuar për përdorim si mjet pagese është Euro, dhe se BQK vazhdon të jetë autoriteti i pavarur bankar në vend, siç është paraparë në këtë nen të Kushtetutës”.

“Çdo interpretim tjetër është i pasaktë dhe ka për qëllim manipulimin e opinionit publik,” tha Bislimi, duke nënvizuar rolin e BQK-së në dizajnimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave monetare.

“Në ushtrimin e funksioneve të saj, BQK është e kufizuar nga një sërë instrumentesh ligjore vendore dhe ndërkombëtare. Këto përfshijnë Kushtetutën e Kosovës, Kodin Penal, dhe ligjet për Bankën Qendrore, si dhe ato për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, përveç që janë rregullore dhe direktime nga institucione ndërkombëtare”.

Bislimi hodhi poshtë pretendimet se Rregullorja është produkt i negociatave politike në Bruksel dhe sqaroi se ajo nuk ka si të ketë ndikim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por zëvendëskryeministri nuk ka sqaruar se “çka është biseduar me Lajçakun rreth përdorimit të dinarit, dhe pse përfaqësuesi i BE-së deklaron se për këtë çështje e ka njoftuar BE-në.

Bislimi, por edhe politikëbërësit e tjerë, por edhe opozitarët nuk e kanë njoftuar ende publikun e këtij vendi se çka pretendoi, apo pretendon Peter Stano me përsëritjen e thirrjes për të dyja palët që “edhe këtë çështje ta adresojnë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja”. Prandaj, Bislimi dhe të gjithë zyrtarët kompetentë, të pozitës dhe ata opozitarë, duhet një orë e më parë të ngrisin zërin dhe t’u bëjnë me dije BE-së dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian se Kushtetuta e Kosovës, Kodi Penal, dhe ligjet për Bankën Qendrore e përcaktojnë saktësisht dhe pa ekuivoke Euron si monedhë të vetme të lejuar për përdorim si mjet pagese, dhe se BQK është autoriteti i pavarur bankar në vend, siç është paraparë në Kushtetutën e shtetit të Kosovës.

Bislimi dhe të gjithë zyrtarët kompetentë, të pozitës dhe opozitarë, duhet përditë dhe nëse është nevoja edhe për çdo orë, të trokasin kudo ku është e mundshme dhe të “ulurijnë “ në të gjitha kancelaritë e BE-së dhe të shteteve të fuqishme të tij, se nuk mund të jenë pjesë të bisedimeve të Kosovës dhe të Serbisë çka t’i teket dhe çka t’i vie ndërmend, qoftë edhe Petar Stanos, zëdhënësit të BE-së dhe se nuk mund të ketë dyfish mjete pagese në një shtet sovran dhe të pavarur. Dhe të tregojnë edhe vendosmëri edhe gatishmëri se nuk do të lejojnë rrënimin e sistemit financiar dhe të pagesave të Kosovës. Dhe për këtë, nuk mjaftojnë, në asnjë mënyrë, as ngritja e zërit kundër aludimit të përfaqësuesve të BE-së, as sqarimet e detajuara vetëm në Facebook. Duhet bërë çështje dhe duhet kundërshtuar me të drejtën legjitime që ka shteti i Kosovës, pa prarë asnjë çast këto aludime ogurzeza. Bëhet vonë pastaj. /Buletini Ekonomik/