Hapet tregu, kanalet e DigitAlb pritet të shfaqen në platformën e Vala-s nga mesi i janarit

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Nga mesi i janarit 2024, kanalet e DigitAlb pritet të shfaqen në platformën kabllore të Vala-s. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët e Telekomit të Kosovës në një përgjigje për Buletinin Ekonomik.

“Pas njoftimit të DigitAlb për ndryshimin e politikave të kësaj kompanie, sidomos ndaj operatorëve në Kosovë, duke e hequr ekskluzivitetin që e kishte vetëm një kompani, janë krijuar kushtet dhe nevoja që të rishikojmë edhe ne pakot tona dhe të forcojmë ofertën tonë për klientët, për çka edhe janë paralajmëruar përmes faturës. Prandaj, me kënaqësi ju informojmë se në dy pyetjet e juaja përgjigja është konfirmuese dhe se po punojmë që kjo të bëhet realitet qysh nga mesi i këtij muaji, pra mesi i janarit 2024”, thuhet në përgjigjet e Telekomit.

Për momentin, kanalet e DigitAlb ku përfshihen kanalet e SuperSport-it, kanalet e TvKlan dhe TopChanel, nuk janë duke u transmetuar nga asnjë platformë kabllore në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Deri më tani, operatori ArtMotion i kishte të drejtat ekskluzive për transmetimin e kanaleve DigitAlb në platformën e saj, por siç ka njoftuar kjo kompani, marrëveshja mes tyre tashmë ka skaduar.

Kjo tashmë i ka hapur rrugë edhe operatorëve tjerë kabllorë në Kosovë, që të lidhin marrëveshje veçmas me DigitAlb-in në Shqipëri për transmetimin e kanaleve të tyre në territorin e Kosovës. /Buletini Ekonomik/