Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka hapur procedurë hetimore ndaj operatorëve kabllorë Artmotion dhe Kujtesa, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë realizuar “shitberje të fshehtë të aksioneve” dhe “marrëveshje kartel”.
Sipas dokumenteve zyrtare të AKRK-së, të cilat i ka siguruar Buletini Ekonomik, procedura hetimore është hapur më 20 dhjetor 2022, pas një periudhe gjashtëmujore të mbledhjes së provave dhe fakteve nga hetuesit e këtij insitutcioni.
Nga faktet e mbledhura gjatë periudhës gjashtëmujore të shqyrtimit papraprak, hetuesit e AKRK-së kanë gjetur prova përmes të cilave kanë ngritur dyshimin e bazuar se këta dy operatorë janë duke u paraqitur rrejshëm si konkurrentë në ofrimin e shërbimeve audiovizuele në Kosovë.
“Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës duke vepruar sipas detyrës zyrtare ka kryer shqyrtimin paraprak të hetimit lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrjet Artmotion Sh.p.k dhe Kujtesa Sh.p.k kanë realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, si dhe Marrëveshje të ndaluar (kartel) apo praktikë të bashkërenduar”, thuhet në dokumentin e AKRK-së që mban titullin “Konkluzion për fillimin e procedurës hetimore”, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.
Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kur një operator ekonomik i blen aksionet e një operatori tjetër, të cilët funksionojnë brenda të njëjtës veprimtari dhe kur të dyja së bashku arrijnë qarkullim vjetor mbi 3 milionë euro, atëherë duhet ta njoftojnë Autoritetin e Konkurrencës për të marrë aprovim paraprak.
Në rastin e operatorëve Artmotion dhe Kujtesa, sipas dokumentit të AKRK-së për nisjen e hetimeve, kjo kërkesë ligjore nuk është përmbushur.
“Autoriteti gjatë shqyrtimit paraprak të hetimit në tregun e telekomunikimeve dhe kabllore në territorin e Republikës së Kosovës, në bazë të informatave preliminare që posedon, ekziston dyshimi i arsyeshëm se: Ndërmarrjet Artmotion Sh.p.k dhe Kujtesa Net Sh.p.k, kanë realizuar blerjen e aksioneve të ndërmarrjeve, të cilat veprojnë në tregun përkatës me aktivitetin primarë telekomunikimet kabllore. Autoriteti konsideron se: Transaksionet/blerjet janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit parashikuar sipas nenit 13 dhe 15 të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në këtë dokument.
Sipas nenit 13 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, pjesëmarrësit në përqendrim (blerje të aksioneve) duhet t’i kërkojnë paraprakisht Autoritetit të Konkurrencës t’ua lejojë realizimin e përqendrimit të synuar në dy raste.
“Kur pjesëmarrësit në përqendrim kanë mbi 20 milionë euro qarkullim të përbashkët në tregun ndërkombëtar dhe njëri pjesëmarrës në përqendrim ka mbi 1 milion euro qarkullim në tregun e brendshëm ose kur së paku dy pjesëmarrës në përqendrim kanë mbi 3 milionë euro qarkullim në tregun e brendshëm”, saktësohet tutje në ligj.
Në konkluzionin për nisje të hetimeve, AKRK ka përmendur edhe nenin 12 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili ka të bëjë me rrezikun e “keqpërdorimit të pozitës dominuese” në këto raste.
“Autoriteti konsideron se me marrëveshjen për realizimin e bashkimit apo blerjes së aksioneve të ndërmarrjeve, në treg ka një konkurrent më pak, rrjedhimisht zvogëlohet konkurrenca në tregun përkatës, kështu që ndërmarrjet janë të detyruara të paraqesin njoftimin për Përqendrim pranë Autoritetit, për arsye të vlerësimit të ndikimit ekonomik dhe juridik, respektivisht krijimit apo forcimit të Pozitës Dominuese, në tregun përkatës”.
Përveq dyshimit të bazuar për shitblerje të fshehtë të aksioneve dhe paraqitje të rreme si konkurrentë, Artmotion dhe Kujtesa po hetohen edhe për arritjen e “marrëveshjes kartel”, e cila njihet si praktikë që dëmton konkurrencën.
Një veçori e marrëveshjeve kartel, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, është kur dy kompani ndajnë tregun dhe burimet e furnizimit, ose kur merren vesh për caktimin e çmimeve të shitblerjes.
“Autoriteti gjatë shqyrtimit paraprak të situatës në tregun përkatës ka vërejtur se palët në procedurë Artmotion Sh.p.k dhe Kujtesa Net Sh.p.k kanë arritur Marrëveshje të ndaluar (kartelet) bazuar në nenin 5 paragrafi 1, nën paragrafët 1.1, 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5, të Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në Konkluzionin e AKRK për nisje të hetimeve.
Buletini Ekonomik mëson se marrja e vendimit për këtë rast është në fazën finale, pasi deri më tani është administruar pjesa më e madhe e provave nga Autoriteti i Konkurrencës. /Buletini Ekonomik/ (Agon Sinanaj)