Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, ka njoftuar sot se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, ai ka renditur arsyet e dorëheqjes.
“Mos aprovimi i kërkesës sime që së bashku me vendimin që ka marrë Asambleja për delegimin e trajtimit te dëmeve në kompani të sigurimeve, të transferohet edhe një pjesë konsiderueshme e stafit që lidhet me trajtimin e dëmeve si dhe mos aprovimi i buxhetit për edukim financuar ku përfshihet publikimi i gazetës, mirëmbajtja e ueb faqes, organizimi i tryezave, konferencave me gazetarë, seminareve me gazetarë, dizajnimi i grafikave… etj kanë pamundësuar që unë të vazhdoj edhe më tutje të jam në krye të BKS-së”, ka shkruar Mazreku.
Ai ka falenderuar Bankën Qendrore të Kosovës për mbështetjen, derisa ka thënë që me kontributin që ka dhënë ka bërë që “sektori i sigurimeve tash të ketë një pamje krejtësisht tjetër”.