Prej gjashtë kandidatëve të emëruar nga Qeveria e Kosovës në bordin e ndërmarrjes Trainkos, tre prej tyre nuk gjenden fare në listën e ekspertëve të Ambasadës Britanike.
Qeveria e Kosovës ka memorandum me Ambasadën Britanike për monitorimin e konkurseve për pozitat e larta. Pjesë e monitorimit ka qenë edhe konkursi për bordin e ndërmarrjes Trainkos, prej nga ka dalë edhe një listë me kandidatët më të poentuar.
Bazuar në vendimin e qeverisë, Bordi i ri i “TrainKos” do të përbëhet nga: Jetmir Nuka, kryesues dhe anëtarë: Vjollca Salihu, Luljeta Lutfiu, Ruzhdi Zeqiri, Kimete Fazliu, Afrim Bulluti.
Por, Luljeta Lutfiu, Kimete Fazliu dhe Afrim Bulluti nuk figurojnë në listën e emrave të rekomanduar nga ekspertët e Ambasadës Britanike. Kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri emëron kandidatë jashtë listës së hartuar nga ekspertët britanikë.
Memorandumi mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike për emërime në pozita të larta ishte shkelur në mënyrë flagrante edhe në rastin e përzgjedhjes së anëtarëve në Bordin e Trustit.
Kandidatja Mimoza Mustafa është emëruar anëtare bordi në Trust, ani pse emri i saj nuk figuron fare në listën e “kandidatëve të emërueshëm” të Ambasadës Britanike.
Nga Ambasada Britanike, në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, patën thënë se projekti asistues si rrjedhojë e Memorandumit me Qeverinë, i ndihmon institucionet e Kosovës të zhvillojnë procese rekrutuese për pozita të larta, bazuar në meritë.
Por, sipas tyre, nëse emërimet bëhen nga lista e kandidatëve të rekomanduar, kjo është një sukses për institucionet e Kosovës, por nëse ndodhë kundërta është një dështim.
“Nëse emërimet bëhen nga lista e kandidatëve të rekomanduar kjo është një sukses për institucionet e Kosovës. Nëse ndodhë kundërta është një dështim”, kanë thënë nga Ambasada.