Shoqëria civile përmes një letre të hapur sot, ka kërkuar nga partitë politike t’i shpalosin sa më parë qëndrimet e tyre karshi projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”
Grupi i organizatave të shoqërisë civile: INDEP, Balkan Green Foundation, Instituti GAP, dhe GLPS u kanë bërë thirrje partive politike dhe koalicioneve në garë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës që të paraqesin qëndrimet e tyre ndaj kontratës për projektin TC ‘Kosova e Re’.
Sipas tyre, projekti ‘Kosova e Re’ do të jetë barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
“Kontrata në të cilën një operatori privat (Contour Global) i garantohet fitimi dhe i eliminohen rreziqet, i mbulohen të gjitha kostot fillestare dhe i garantohet blerja e produktit pa rezervë për 20 vite rresht, përbën asgjë më shumë sesa vënje e potencialit dhe kapitalit publik në funksion të fitimit të një kompanie private”, thuhet në këtë letër.
Ata kanë potencuar se kontrata, rrjedhimisht, e shkelë Kushtetutën dhe legjislacionin që mbron konkurrencën e lirë dhe barazinë në treg dhe si e tillë duhet anuluar!
Gjithashtu, shoqëria civile me këtë rast kanë rikujtuar se deri më tani i gjithë procesi për zhvillimin e këtij projekti është shoqëruar me jo-transparencë, shkelje ligjore dhe ndryshime të kushteve tenderuese në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës nr.03-V-272 të 1 prillit 2010 për aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009-2018.
Për më tepër, në tetor 2018, Banka Botërore ka tërhequr mbështetjen për ndërtimin e termocentralit të ri me arsyetimin se termocentrali me qymyr ‘Kosova e Re’, nuk mund të garojë me çmimin e energjisë së ripërtërishme.
Sipas këtyre organizatave, në qoftë se jetësohet ky projekt, me termet e nënshkruara nga Qeveria në ikje, Kosova përveq që do t’i sigurojë kompanisë thëngjillin dhe ujin, do t’ia sigurojë edhe një çmim 10 euro për hektar tokë.
Ndërsa, kur të përfundojë ndërtimi i termocentralit, shteti i Kosovës, detyrohet ta blejë energjinë elektrike të prodhuar nga Contour Global me 80 euro për MW.
“Kosova dhe qytetarët e saj do të duhet të paguajnë 185 milionë euro në vit apo 3.7 miliardë euro për 20 vite për këtë projekt. Paratë për subvencionim do të vijnë nga buxheti i Kosovës dhe tarifat e ngritura për energji elektrike në mënyrë që kompania e re publike NKEC të respektojë kontratën për 20 vite”, kanë thënë ata përmes kësaj letre.
Ky subvencionim, sipas tyre prej 3.7 miliardë eurove për 20 vite nga buxheti i Kosovës do të thotë më pak investime në infrastrukturë, siguri, arsim e shëndetësi.
Prandaj, në mënyrë që të vlerësohet angazhimi i partive poltike për mbrojtjen e interesit publik, shoqëria civile kanë kërkuar qëndrimin e këtyre të fundit ndaj kësaj kontrate. /Buletini Ekonomik/









