Në Podujevë, metri katror i banesave arrin në 900 euro

Shembulli më konkret se në Kosovë po ndërtohet dhe banesat edhe më tutje kanë treg solid dhe me çmime gjithnjë në rritje, është Podujeva, një qendër komunale me rreth 100 mijë banorë, por deri në 3-4 vjetët e fundit e pa shquar për nga vrulli i ndërtimeve të banesave. Në Podujevë, në dy komplekse, ndërtimi të banesave të filluara në shtator të 2023-tës, në një zonë që vlerësohet si shumë atraktive dhe që shtrihet përgjatë lumit Llap në ish-prona të Blakqorëve dhe shumë pranë qendrës së qytetit, një metër katror i një banese kushton 900 euro. Dhe, sado që ky çmim është ndjeshëm më i lartë se sa çmimet e banesave në fillim të 2023-tës dhe gjatë tërë vitit 2022 (në Podujevë më 2022 çmimi mesatar i një metri katror ka kushtuar 600 deri në 650 euro, e shumë-shumë edhe 700 euro), blerësit e shumtë, praktikisht kanë ngarendur për t’i blerë ato që në nismën e ndërtimit.

Mehmet GJATA

Megjithë çmimet e ngritura dukshëm të materialeve të ndërtimit (hekurit, tullave, plastikës etj) në vitet e fundit, dhe megjithë uljen e përkohshme dhe në raste të vrullit të ndërtimeve, në Kosovë po ndërtohet akoma shumë, sidomos komplekse banesore.

Reklama e sponzorizuar

Në një raport të fundit për strehimin, Eurostat ka publikuar rezultatet e madhësisë së matur të sektorit të ndërtimit për gjithë Europën (matja bëhet përmes vlerës së shtuar bruto) dhe në bazë të këtyre të dhënave shihet se ndërtimi zinte në Kosovë 10.7% të vlerës së shtuar bruto në 2022, ose Kosova ishte ranguar në vendin e dytë për nga ndërtimet, menjëherë pas Shqipërisë, ku, sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi i zinte 11.1% të vlerës së shtuar bruto, më e larta në Europë dhe dy herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat, për Bashkimin Europian kjo përqindje ishte midis 5 dhe 6% në periudhën 2010-2022. Treguesi ishte më i larti në 5.8% në 2010, duke rënë në 5.1% në 2014-2017 dhe më pas duke u rritur përsëri për të arritur në 5.5% në 2020, 5.4% në 2021 dhe 5.5% 2022.

Ndër vendet me një peshë në rritje më të lartë të sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe u radhitën Hungaria, Gjermania dhe Lituania, ndërsa me uljen më të madhe në ndërtim u veçuan Spanja, Bullgaria dhe Qipro. Në vitin 2022, shtetet me përqindjet më të mëdha ishin Austria (7.3%), Finlanda dhe Rumania (të dyja 7.0%), referoi Eurostat. Pak a shumë ky trend ka vazhduar edhe më 2023.

Me fjalë të tjera, pavarësisht rënies në përqindje goxha të madhe të shitblerjeve të banesave dhe patundshmërive në vitin që shkoi, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore nga ASK-ja, në gjashtë muajt e parë të 2023-tës janë shitur 1.628 banesa, krahasuar me 4.967 sa janë shitur në krejt vitin 2022 dhe me 6.561 në vitin 2021, në Kosovë po ndërohet, madje jo pak. Dhe kur ka ndërtim kaq shumë, logjikisht ka edhe treg, përkatësisht ka shitje të banesave, megjithë faktin se çmimet e tyre në të gjitha qendrat e vendit vazhdojnë të jenë të larta dhe nuk ka as tendencë për uljen eventuale të tyre, siç po veprohet në Europë, bie fjala.

Dhe, shembulli më konkret se në Kosovë po ndërtohet dhe banesat edhe më tutje kanë treg solid dhe me çmime gjithnjë në rritje, është Podujeva, një qendër komunale me rreth 100 mijë banorë, por deri në 3-4 vjetët e fundit e pa shquar për nga vrulli i ndërtimeve të banesave.

Në Podujevë, tani po ndërtohet shumë, madje vrullshëm, por edhe çmimet e banesave janë po ashtu të ngritura hovshëm. Nga shtatori i vitit që shkoi, në këtë qendër komunale kanë nisë të ndërtohen dy komplekse banesash nga kompanitë ndërtimore “Malësia” dhe “Flori” në një zonë, që vlerësohet si shumë atraktive dhe joshëse dhe që shtrihet përgjatë lumit Llap në ish-prona të Blakqorëve dhe që gjenden shumë pranë qendrës së qytetit.

Sipas një ndërtimtari të këtyre banesave, që e do anonimitetin, interesimi për to është shumë i madh, dhe shumica e tyre janë kontraktuar nga blerësit që në fillim të nisjes së ndërtimit të tyre. Një metër katrori një banese në këto komplekse kushton 900 euro, dhe sado që ky çmim është ndjeshëm më i lartë se sa çmimimet e banesave në fillim të 2023-tës dhe gjatë tërë vitit 2022 (në Podujevë më 2022 çmimi mesatar i një metri katror ka kushtuar 600 deri në 650 euro, e shumë-shumë edhe 700 euro), blerësit e shumtë, praktikisht kanë ngarendur për t’i blerë ato.

Tani, siç flasin ndërtimtarët e Podujevës ka nisur hovi i ndërtimeve edhe në këtë qytet, që realisht krahasuar me disa qendra përafërsisht të njëjta për nga madhësia (si Lipjani, Vushtrria) ka mbetur shumë prapa për nga numri i banesave të ndërtuara. Dhe, sipas tyre, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë ulje çmimi.

“Ato vetëm mund të shkojnë më lartë. Tani janë shumë me çmime më të larta të gjitha materialet ndërtimore, por edhe tokat e dedikuara për ndërtime kanë çmime “të kripura’ dhe pronarët ose kërkojnë çmim shumë më të lartë, ose në rast të këmbimit të trollit me banesë, sipërfaqe më të madhe banesash”, thotë ndërtimtari llapjan.

Pastaj, thotë ai, çmimin tani po e dikton edhe tregu dhe këtë e dëshmon interesimi i madh për të pasur banesa në komplekset e posa nisura te Blakqorët. Dhe, tregu i ndërtimeve në Podujevë po del të jetë jo pak kontradiktor me trendet e çmimeve të banesave kudo në Europë dhe rajon, që kanë nisë të kenë ulje, por edhe kontradiktor me parashikimet e ekspertëve dhe disa institucioneve të vendit se edhe në Kosovë do të ketë ulje çmimesh të banesave së shpejti.

Po del të jetë kontradiktor tregu i banesave në Podujevë edhe me vlerësimet e një ndërtimtari të njohur kosovar, i cili po ashtu e kërkon anonimitetin dhe i cili i ka thënë këto ditë Buletinit Ekonomik, se aktualisht konditat për të blerë banesë në Kosovë nuk janë më të favorshmet, madje ato janë vështirësuar shumë me rënien e fuqisë blerëse të kosovarëve, me mungesën e parasë kesh, por edhe me ashpërsimin e kushteve të kredimarrjes nga bankat komerciale që operojnë në vend (rritjes së kamatave për kredi dhe ashpërsimi i kritereve për ta siguruar një kredi).

Sidoqoftë, në tregun e banesave në Kosovë, pra, çmimi, i cili përkundër rënies së tij në pjesën dërrmuese të vendeve të botës, ose po mbahet goxha konstant me muaj të tërë, ose po ngritet ndjeshëm në disa qendra komunale. Në Kosovë, vazhdon të ketë shumë ofertë (numër enorm të madh të banesave në shitje), si rrjedhojë e ndërtimeve me ritëm të vrullshëm pas pandemisë COVID19, por njëkohësisht vazhdojnë të mbretërojnë çmime të larta.

Në të gjitha qendrat e komunave të Kosovës, nuk ka rënie fare të çmimeve të banesave. Ndërsa, në disa sosh ka lëvizje të ngritjes së çmimeve. Si gjithnjë, prinë Prishtina edhe për nga oferta edhe për nga çmimet e larta. Këto ditë, në Prishtinë, më konkretisht në lagjet me ndërtim të përshpejtuar agresivisht, siç është aktualisht lagjja Velania dhe përballë të tërë përgjatësisë së Varrezave të Dëshmorëve të Prishtinës, një metër katror e një banese kushton 1,500 euro dhe më shumë. Ky çmim, sipas disa banorëve të këtushëm, që tashmë kanë lëshuar trojet dhe shtëpitë e tyre për ndërtim të banesave, është thuaja konstant tash e sa kohë, sikundër që është konstant çmimi i një garazhi prej 20 mijë eurosh.

Edhe në lagjet e tjera, ku vazhdon ndërtimi intenziv në kryeqytet, siç janë rruga B dhe C, që dikur konsideroheshin si periferi, tani një metër katror i një banese kushton sikundër edhe në Velani-1,500 euro.

Për koston e banesave në qendër dhe në afërsi të saj, në Prishtinë, dihet, se ku ku kanë arritur çmimet e banesave. Këto ditë, ato kanë shkuar edhe në 3,500-4,000 euro metri katror në qendër dhe në lagjet e vjetra prishtinase siç është Ulpiana, Dardania, ku metrin katror të një banese vështirë që mund ta gjesh nën 2,500 edhe 3,000 euro.

Çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren, ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë. Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë kishte arritur në 650 euro e më shumë në mars të vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje tani, në raste ka arritur edhe në 700 dhe 800 euro metri katror.

Këto ecuri të tregut të banesave në Kosovë i bëjnë më të komplikuara parashikimet dhe vizionet për të ardhmen e ecurive të çmimeve në tregun e banesave në Kosovë. Prandaj, sipas njohësve të zhvillimeve në këtë treg, asgjë nuk është e sigurtë për zhvillimet në vitet në vijim.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve. Çdo gjë në sektorin e ndërtimeve në vend lëviz shpejtë dhe nuk ka ndonjë standard që do të vlente në parashikimin e ecurive në këtë sektor. Mbase edhe të dhënat për çmimet konkrete të banesave në Kosovë, të mbledhura gjatë javës nëpër agjencitë e tregtimit të paluajtshmërive, por edhe ndër ndërtimtarët, shpejt bëhen të vjetëruara, dhe jo shumë të vlefshme për trajtimin e temës së këtij sektori. /Buletini Ekonomik/