Ndërtimi i portit të madh të Durrësit, Porto Romano do të bëhet me financim të brendshëm, deklaroi kryeministri Rama pas përfundimit të mbledhjes dy ditore të qeverisë mbajtur në Shëngjin. Kjo për shkak që të mos ketë zvarritje nga ngarkesat që burojnë nga financimi i huaj, pasi ky projekt ka natyre urgjente për qeverinë, shtoi ai.
“Kemi kalanderuar procesin për hapjen e garën ndërkombëtare për portin e madh, Porto Romano, për të cilin do bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës së financimit, pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike duke qenë edhe NATO në këtë proces për krahun ushtarak të portit dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit. Ndryshimi do të jetë, do të kalojmë më financim të brendshëm në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tejzgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj”.
Rama tha gjithashtu se brenda vitit 2024 do të hapet qarkullimi për aksin Thumanë-Kashar, është kërkuar financim për Bypass-in e Elbasanit, ndërsa pritet që brenda vitit të përfundojë edhe segmenti i parë hekurudhor Tiranë Durrës.
“Kemi pasur mbledhjen maratonë të qeverisë, këtë herë kemi pasur 3 sesione. Si zakonisht kjo maratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektor.
Meqë jemi në Lezhë dhe meqë në këtë zonë ka një pritshmëri të posaçme për korridorin blu, dua të them se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kemi një pamje të qartë të ecurisë së punës me korridorin blu, brenda këtij viti do hapim për qarkullim aksin Thumanë-Kashar. Kemi qartësi për ecurinë e aksit e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë. Do procedojmë para sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj. Po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit, Milot-Murriqan.
Kemi adresuar nevojën për financim të By-pass-it të Elbasanit.
Jemi në kalendar për të përfunduar segmentin e parë hekurudhor Tiranë Durrës me gjasë brenda vitit, kemi financuar ndërtimin e 4 km që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës.
Në fillim të vjeshtës do të lidhim dhe kontratën për të filluar punën për Vorë-Hani Hotit
Kemi fituar nga financimet europiane për segmentin Durrës-Rrogozhinë. Kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më në segmentin Rrogoozhinë-Pogradec”.
Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë mund të ndryshojë
“Ka komunikime intensiv me Kosovën për ecurinë e hekurudhës Durrës-Prishtinë, ka një dakordësi nga të dyja palët për të ekspoluar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë, kjo është një zgjidhje e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës”, deklaroi Rama. /Monitor.al/