Deputetët e AAK-së pas takimit me Bordin e ZRRE-së: Nuk na siguruan që s’do të ketë rritje të çmimit të energjisë

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri dhe Bekë Berisha, janë deklaruar pas takimit që kanë zhvilluar me bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Në një konferencë për media, ata deklaruan se gjatë këtij takimi kanë paraqitur disa kërkesa të grupit parlamentar, ndërsa thanë se ZRRE-ja nuk i ka siguruar se s’do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Reklama e sponzorizuar

“Pyetja ime ka qenë se si do të përballemi këtë dimër me energjinë elektrike sepse ka paralajmërime se do të jetë situatë e vështirë. ZRRE-ja nuk mund të na sigurojë që s’do të ketë rritje të çmimeve. Kemi bërë pyetje edhe të pjesa e sovranitetit tonë në kuptimin e energjisë dhe rregullatorit. Jemi me vigjilencë duke i shikuar këto gjëra”, u shpreh para mediave deputeti Berisha, raporton telegrafi.

Ndërsa, Tahiri tha se kërkesat e tyre janë të qarta; respektimi i udhërrëfyesit për energjinë në veri si dhe mosrritje e çmimit të energjisë.

“Jemi këtu për t’u informuar për së afërmi për problemet që ka Kosova në sektorin e energjisë. Qëndrimet tona kanë qenë shumë të drejtpërdrejta. E para lidhet me sovranitetin dhe pavarësinë energjetike të vendit që duhet ta rregullon ky institucion dhe që lidhet edhe me marrëveshjen e fundit të Elektroserverit”.

“Ne kërkuam që udhërrëfyesi të zbatohet. Por, ky institucion, pra Elektroserveri, ende nuk i ka dorëzuar listat e konsumatorëve që duhet t’i ketë në posedim në mënyrë që të fillojë enkasimi. E dyta ka të bëjë me tarifat. Si grup parlamentar kemi kundërshtuar çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike. Qytetari nuk ka mundësi të përballojë rritje të çmimit të energjisë”, u shpreh para mediave Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.