Qeveria gjermane i bën thirrje Kosovës që të shtyjë vendimin që përjashton dinarin

Qeveria gjermane i kërkoi Kosovës që të shtyjë planet për zbatimin e vendimit që euro të jetë monedha e saj të vetme mes shqetësimeve se vendimi mund të përkeqësojë tensionet etnike duke ndërprerë qarkullimin e parave kesh për serbët etnikë në veri të vendit.

“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Kosovës që të shtyjë datën e zbatimit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, u tha gazetarëve në Berlin të premten Christiane Hoffmann, zëvendës-zëdhënëse e qeverisë.

Derisa këtë çështje e konsideron është një vendim sovran për Kosovën, Hoffmann e quajti vendimin për valutën një “hap të rëndësishëm me pasoja të gjera”, që kërkon më shumë kohë dhe përgatitje.

Reklama e sponzorizuar

Agjencia e lajmeve me seli në New York “Bloomberg News” shkruan se udhëheqësit europianë kanë dështuar në përpjekjet për të normalizuar lidhjet midis Serbisë dhe Kosovës, sovranitetin e së cilës autoritetet në Beograd refuzojnë ta njohin. Tensionet në Kosovën veriore të dominuar nga serbët vluan gjatë vitit të kaluar në dhunën më të keqe në gati dy dekada.

Banka qendrore e Kosovës njoftoi në fillim të këtij muaji se nga java e ardhshme, do të ndalojë çdo kreditor që të operojë pa licencë, duke ndikuar potencialisht në Postanska Stedionica të Serbisë, kanali kryesor për fondet në dinarë serbë ku mbështeten rreth 90,000 serbë në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.