Mbi 90 mijë euro i ka kushtuar shtetit të Kosovës stenda “shabllon” në panairin “Enoexpo”, i mbajtur në Poloni në vitin 2022. Fatura e kompanisë kroate Kan-Construct Fair shkoi në 921 euro për m2, ani pse bëhej fjalë për një stendë ekzistuese, që ishte ndërtuar në vitin paraprak me të cilën ishte prezantuar Kosova.
Mirjeta Shabani & Agon Sinanaj
Vetëm për montimin dhe zhvendosjen e stendës së Kosovës në panairin “Enoexpo 2022”, kompania kroate Kan-Construct Fair është paguar 90 mijë e 271 euro, apo 921 euro për metër katrorë.
Kjo përkundër faktit se me të njëjtën stendë, Kosova ishte prezantuar atje edhe në vitin 2021, në të njëjtin panair, dhe me të njëjtën hapësirë të kontraktuar, prej 98 metra katrorë për prezantimin e Kosovës.
Në total pjesëmarrja në këtë panair, shtetit të Kosovës i kushtoi 100 mijë e 855 euro, prej të cilave 90 mijë e 271 euro u shpenzuan për stendë, ndërsa 10 mijë e 583 euro për rezervim të hapësirës tek organizatori i panairit.
Buletini Ekonomik ka siguruar çmimoren e panairit “Enoexpo” për ndërtim të stendave në këtë panair. Çmimi që aplikoi kompania kroate me çmimin zyrtar të këtij panairi është shumëfish më i lartë.
Sipas çmimores së panairit “Enoexpo”, ndërtimi i stendës – nëse KIESA do të përcaktohej për opsionin e panairit, shtetit të Kosovës do t’i kushtonte 125 euro për metër katrorë.
Çmime larg standardit për ndërtim të stendave në tregun e Evropës, kishte aplikuar edhe kompania tjetër kroate Mirt Interijer në panairin “ProWein 2023” i cili mbahet çdo vit në Gjermani.
Buletini Ekonomik ka gjetur se kompania kroate Mirt Interijer qëndron edhe prapa kompanisë Kan-Construct Fair, të cilat u angazhuan nga KIESA për ndërtimin e stendave të Kosovës pothuajse në të gjitha panairet gjatë periudhës 2018-2023.
Në panairin ProWein, Mirt Interijer është paguar nga KIESA 1 mijë e 843 euro për metër katrorë për ndërtim të stendës, apo 600% më shumë se çmimi standard në tregun e Evropës.
Për pjesëmarrjen e pesë bizneseve të Kosovës atje, në një hapësirë të kontraktuar prej 33m2, janë shpenzuar gjithsej 75 mijë euro. Prej tyre, për rezervim të hapësirës u alokuan 15 mijë euro dhe mbi 60 mijë tjera për “ndërtim” të stendës.
RIMONTIM I STENDËS PARAPRAKE
Edhe në këtë panair stenda ishte ndërtuar më herët, derisa Mirt Interijer kreu punë vetëm për montimin dhe zhvendosjen e stendës.
Stenda e panairit “ProWein” është ndërtuar në vitin 2018 nga Mirt Interijer dhe është bartur në të njëjtin panair vit pas viti. Përkundër kësaj, në vend që çmimi të ulej, në raste edhe u dyfishua, pa u arsyetuar se pse ndryshoi çmimi kur panairi u mbajtë në po të njëjtin vend dhe u përdor e njëjta stendë.
Pjesëmarrësit në panaire ndërkombëtare i kanë dy mundësi të hapura për ndërtimin e stendës për ekspozim të produkteve. Ata mund t’i drejtohen panairit ku marrin pjesë për ta kryer këtë punë, ose mund të angazhojnë kompani të jashtme.
Sikur KIESA të përcaktohej për opsionin që stendën t’ia ndërtojë vetë panairi ProWein, atëherë nuk do t’i kushtonte më shumë se 350 euro metri katrorë. Buletini Ekonomik ka siguruar çmimoren zyrtare edhe nga panairi ProWein.
Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë– KIESA është përcaktuar për opsionin e dytë në secilin panair, kur i ka angazhuar kompanitë kroate Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair për ndërtimin e stendave në shumicën e panaireve ku është prezantuar Kosova gjatë viteve 2022-2023.
Siç ka raportuar Buletini Ekonomik në hulumtimin paraprak për këtë çështje, ky opsion i ka kushtuar buxhetit të Kosovës qindra mijëra euro më shumë dhe “dy” kompani kroate kanë mbajtë primatin e ndërtimit të stendave të Kosovës nëpër panaire të ndryshme anekënd Evropës. /Buletini Ekonomik/