Stendat “shabllon” për prezantimin e Kosovës, por jo edhe çmimet

Stenda e Kosovës në panairin "SIAL 2022", Paris

“Mirt Interijer” ndërtoi stenda ”shabllon” për prezantimin e Kosovës në panairet ndërkombëtare, i barti ato nga një panair në tjetrin dhe zbatoi çmime të ndryshme për të njëjtat stenda. 

Mirjeta Shabani & Agon Sinanaj

Kompania Mirt Interijer ka përdorur metodologji të njëjtë të punës në ndërtimin e imazheve për Kosovën në panaire ndërkombëtare.

Reklama e sponzorizuar

Kompania kroate, e cila qëndron prapa stendave të Kosovës në panaire ndërkombëtare, ka ndërtuar stenda “shabllon” për Kosovën, të cilat pastaj i ka bartur nga panairi në panair.

Nga imazhet që ka siguruar Buletini Ekonomik nga KIESA, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, vërehet se, në përgjithësi, kompania kroate ka përdorur të njëjtën skemë të punës gati në të gjitha panairet ku kjo kompani “ndërtoi” stenda në emër të Kosovës.

Të gjitha panairet e mëdha evropiane ku u prezantua Kosova gjatë viteve 2022-2023, mbahen në një datë dhe muaj të caktuar për çdo vit. Stendat “shabllon”, Mirt Interijer vetëm ua përshtati panaireve dhe të njëjtat i përdori vit pas viti.

Por, përkundër faktit se u përdorë e njëjta stendë në panaire të ndryshme, kjo kompani u pagua nga Agjencia për Investime –KIESA, me “çmime stratosferike”, në raste deri në 600 për qind më shtrenjtë se çmimet standarde për ndërtim të stendave në Evropë.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar së paku gjashtë panaire ku kjo kompani përdori stendat e njëjta në panaire të ndryshme, mirëpo përkundër kësaj pagesat për kompaninë kroate jo që nuk u ulën, por u dyfishuan.

Panairi “Pro Wein”

Një stendë ‘shabllon’ ka ekzistuar për panairin “Pro Wein”. KIESA është prezantuar në këtë panair për dy vite rresht, më 2022 dhe më 2023. Stenda e Kosovës aty është e njëjtë në të dyja vitet.

Kompania ndërtuese e stendës në të dyja rastet është Mirt Interijer. Përkundër faktit se e njëjta stendë që ishte përdorur më 2022, u përdorë në panairin e nëjtë edhe në vitin 2023, kompania kroate u pagua gjashtëfish më shumë se çmimi i tregut për ndërtim të stendave.

Stenda e Kosovës në panairin “Prowein” 2022. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin ProWein 2023. Foto: KIESA

Kështu më 2022, stenda e Kosovës në panairin “Pro Wein” kushtoi 34 mijë e 600 euro, kurse një vit më vonë –  61 mijë euro. Ndërkohë që, pavarësisht se çmimi ndryshoi, stenda siç e dëshmojnë fotografitë e siguruara nga KIESA, nuk ka ndryshuar aspak.

Në panairin “Pro Wein”, Mirt Interijer është paguar nga KIESA – 1 mijë e 843 euro për metër katrorë, apo 600% më shumë se çmimi standard në tregun e Evropës, që nuk shkon mbi 300 euro për m2.

Panairi “Food Expo 2022” 

Ky panair është i përvitshëm dhe mbahet në muajin mars në Athinë. Atje Kosova është prezantuar me të njëjtën stendë gjatë viteve 2022-2023.

Kompania ndërtuese e stendës këtu është “Kan-Construct Fair”. Prapa kësaj kompanie, sipas hulumtimit të Buletinit Ekonomik”, qëndron sërish kompania Mirt Interijer.

Ndonëse bëhet fjalë për të njëjtën stendë në të dyja vitet, kompania Kan-Construct Fair edhe këtu u pagua me shuma jashtë çmimeve të tregut.

Në vitin 2022 u pagua me 94 mijë e 787 euro, kurse më 2023 me 95 mijë e 625 euro.

Stenda e KosovëS në panairin “Food Expo 2022”. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin “Food Expo 2023”. Foto: KIESA

“IFE London 2022”

Një stendë “shabllon”, kompania Mirt Interijer e përdori edhe në panairin “IFE London” që mbahet në Londër, në muajin mars. Për dy vite rresht, 2022-2023, Kosova u prezantua në këtë panair me të njëjtën stendë.

Në vitin 2022, Mirt Interijer u pagua 99 mijë e 420 euro, ndërsa në vitin pasues për stendën po të njëjtë, kjo kompani mori nga KIESA edhe 105 mijë e 385 euro tjera.

Stenda e Kosovës në panairin “IFE London 2022”. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin “IFE London 2023”. Foto: KIESA

“PLMA Amsterdam”

Me të njëjtën stendë, Kosova është përfaqësuar gjatë viteve 2022-2023 edhe në panairin “PLMA Amsterdam”, i cili mbahet çdo vit në muajin maj.

Në vitin 2022, për ndërtimin e stendës në këtë panair, kompania Mirt Interijer ia mori shtetit të Kosovës gjithsej 40 mijë e 121 euro, por pagesat për kompaninë kroate u ‘trashën’ në vitin pasues, ani pse stenda ishte po e njëjta. Nga 40 mijë e 121 euro, fatura më 2023 shkoi në 60 mijë e 953 euro.

Stenda e Kosovës në panairin “PLMA Amsterdam 2022”. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin “PLMA Amsterdam 2023”. Foto: KIESA

“Fruit Logistica”

Një stendë e veçantë nga Mirt Interijer është përdorur edhe për panairin “Fruit Logistica”, i cili mbahet çdo vit në muajin prill në Berlin. Edhe në këtë panair Kosova u prezantua gjatë viteve 2022-2023.

Për vitin 2022, vetëm për montimin dhe zhvendosjen e stendës në këtë panair, Mirt Interijer u pagua 90 mijë e 530 euro.

Meqë, e njëjta stendë u përdorë edhe në vitin 2023, pagesat për Mirt Interijer, edhe këtu në vend që të uleshin, u “trashën”.

95 mijë e 480 euro ishte pagesa e dytë për të njëjtin panair, me të njëjtën stendë.

Stenda e Kosovës në panairin “Fruit Logistica 2022”. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin “Fruit Logistica 2023”. Foto: KIESA

“Biofach”

“Biofach” është një panair tjetër ku stenda e Kosovës ishte e ngjashme gjatë viteve 2022-2023, por përkundër kësaj pagesat për kompaninë Mirt Interijer ishin larg më të larta sesa çmimi i tregut.

Panairi mbahet në muajin korrik për çdo vit në Nuremberg të Gjermanisë.

Mirt Interijer pranoi pagesa të majme në të dyja vitet, ani pse e njëjta stendë u përdorë edhe në vitin 2022, edhe në vitin 2023.

Më 2022, kompania kroate u pagua 45 mijë e 780 euro, kurse një vit më vonë për stendën e njëjtë – pagesa për kompaninë shkoi në 90 mijë e 755 euro. /Buletini Ekonomik/

Stenda e Kosovës në panairin “Biofach 2022”. Foto: KIESA
Stenda e Kosovës në panairin “Biofach 2023”. Foto: KIESA