Veprimet që po kthejnë vëmendjen zyrtare kah energjia e rinovueshme

Kosova, deri tash, ka ngecur shumë në përmbushjen e objektivave për të ndërtuar kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, qoftë edhe të kapaciteteve konkrete të premtuara, qoftë të atyre si vizione dhe si ide, të parashikuara të realizohen edhe me afate në dokumentet zhvillimore. “Ngjallja” me dy-tre veprime e autoriteteve për të intesifikuar më në fund ngritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme…

Mehmet GJATA

Dy –tre veprime dhe vendime të institucioneve të Kosovës, ndër to edhe të Qeverisë, por edhe deklarata të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që ka më së shumti detyra dhe obligime për zhvillimin energjetik të vendit, sikur paralajmërojnë një interesim të shtuar të shtetit dhe një “ngjallje” të autoriteteve për të intesifikuar më në fund ngritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, të premtuara në shumë raste në këto dy-tre vjetët e Qeverisë Kurti 2.

Reklama e sponzorizuar

Fillimisht, po veçojmë deklarimin publik të zonjës Rizvanolli se “ndër tri prioritet e dikasterit që drejton për vitin 2024, do të jenë dy sosh që kanë të bëjnë me fushën e energjisë”.

Sipas saj, një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë, sivjet do të jetë ndërtimi i kapaciteteve të erës prej 150 megavatë për gjenerim të energjisë elektrike dhe hyrja në fuqi e programit me MCC dhe ndërtimi i baterive të cilat mundësojnë integrimin në rrjet të kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme.

“Teksa kemi filluar vitin 2024, Ministria e Ekonomisë ka vendosur top tri prioritetet e punës tonë, të cilat përfshijnë: Ndërtimin e kapaciteteve të erës prej 150 megavatë për gjenerim të energjisë elektrike përmes ankandit për të siguruar konkurrencë e çmime të favorshme; Hyrjen në fuqi të programit kompakt me MCC për ndërtimin e baterive të cilat mundësojnë integrimin në rrjet të kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme të cilat po i ndërtojmë…”, ka shkruar ndër të tjera, Rizvanolli.

Dhe për dëshmuar seriozitetin e deklarimeve të zonjës Rizvanolli, ka pasuar pa vonuar shumë nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet KOSTT-it dhe MCC-Kosovës për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive.

Më konkretisht, këto ditë (29 janar 2024), kryeshefi ekzekutiv i KOSTT, Evetar Zeqiri dhe kryeshefja ekzekutive e MCC-Kosovë, Florina Duli Sefaj, nënshkruan Marrëveshjen me subjektin zbatues të Programit “Kompakt” për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS).

“Ky moment historik është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndër vite në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e cila në kuadër të programit Kompakt, synon instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë nëpërmjet baterive me kapacitet prej 170 MW (apo 340 MWh), me një vlerë totale prej 180 milionë $, ndërsa KOSTT pritet që të përfitojë nga ky projekt bateri me kapacitetit prej 45 MW (apo 90 MWh), në vlerë prej rreth 46.2 milionë dollarë”, u tha në njoftimin rreth nënshkrimit të marrëveshjes.

Me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, KOSTT merr përsipër përgjegjësinë për të mbështetur MCC-Kosovë për implementimin e projektit, e cila përfshin plotësimin e kushteve pararendëse, përgatitjen gjatë projektimit, si dhe mbikëqyrjen gjatë fazës së ndërtimit, komisionimit dhe energjizimit të projektit të BEsSS. S’do mend se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për zbatimin e Kompaktit në tërësi, siç u tha edhe me këtë rast, ndërsa MCC – Kosovë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës – do të ketë përgjegjësinë për zbatimin e këtij aktiviteti në bashkëpunim të ngushtë me KOSTT.

Edhe vendimi për miratimin e nismës për negocimin e Marrëveshjes Financiare të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”, në mbledhjën e fundit të Qeverisë (24 janar 2024), flet për interesimin e rritur të autoriteteve për të pasur energji të rinovueshme.

Ky projekt, inicimi i të cilit si ide ishte bërë që para dy-tre vjetësh, ka për qëllim ngritjen e kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme në Kosovë. Ndërsa, kostoja totale e projektit është vlerësuar 107 milionë e 200 mijë euro.

Megjithëkëtë “lëvizje” më të “ngjallur” të zyrtarëve dhe të institucioneve të shtetit, duhet thënë se Kosova, deri tash ka ngecur shumë në përmbushjen e objektivave për të ndërtuar kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, qoftë edhe të kapaciteteve konkrete të premtuara, qoftë të atyre si vizione të parashikuara të realizohen edhe me afate në dokumentet zhvillimore. Në shumë raste të promovimit të energjisë së ripërtëritshme, u apostrofuan numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripertëritshme, por edhe u përcaktuan afate, duke përmendur vite konkrete për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme. Ndërsa, dekarbonizimi i Kosovës si objektiv strategjik, nëpërmjet vizioneve, synimeve dhe premtimeve u dominua edhe në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022-2031.

Në çdo rast, në takime të shumta të promovimit të Strategjisë, por edhe në takime të tjera të brendshme dhe të jashtme, ministrja Rizvanolli deklarohej (gjatë tërë vitit 2021) se Kosova në tri vjetët e ardhshëm do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”.

Ajo ka saktësuar se deri në vitin 2031, Kosova do të arrijë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore. Ndërkohë, në muajt e mëpastajmë gjatë vitit 2021, 2022, por edhe më 2023, ministrja Artane Rizvanolli kishte shpalosur edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara, siç tha ajo, nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur.

Ndër të tjera, ajo kishte paralajmëruar se “integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krijuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike”.

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet KOSTT-it dhe MCC-Kosovës për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive është premtues se më në fund do të nisë implementimi i Programit “Kompakt” për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS).

Se këto parashikime, gjithsesi, ishin synime ambicioze dhe thuaja të parealizueshme, për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht dhe të papërvojë në ngritjen e termocentraleve në bazë të energjisë së ripërtëritshme (të erës dhe sidomos të asaj solare), dëshmuan vitet që ecën shpejtë dhe afatet për kapacitete të reja të energjisë elektrike të gjelbër, të cilat kanë arritur ‘te dera”, por që nuk janë “kurrkund”, madje as që kanë nisur ndonjëri prej tyre. Kanë dështuar së përmbushuri këto parashikime, sepse kur deri më 2025 kanë mbetur edhe 11 muaj, ende nuk ka nisë së ndërtuari asnjë kapacitet energjetik solar i premtuar. Sepse, edhe po të nisej sot së ndërtuari, ta zëmë një sish, siç u përfol, solari 100 megavatësh për ta ndërtuar në kompleksin elektroenegjetik të Kosovës, më saktësisht në kodrat e krijuara nga hiri i termocentraleve, ai vështirë realizohet para dy – tre vjetësh, për shkak të kompleksitetit të tij dhe ndërlikueshmërisë që imponojnë proceset e ndërtimit.

Por, sido që të jetë vendimi për miratimin e nismës për negocimin e Marrëveshjes Financiare të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”, do të duhej të jetë një sinjal për kthimin më në fund të vëmendjes zyrtare kah kapacitetet e rinovueshme të rrymës.

Ndërkohë që në këto vite Kosova ka ngecë ndjeshëm në përmbushjen e objektivave të pasjes së energjisë së gjelbër, shtetet e rajonit, por edhe Shqipëria, po ngulmojnë vrullshëm në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë alternative. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) të Shqipërisë, siç njoftojnë mediet e shtetit shqiptar, licencoi të paktën 10 subjekte gjatë vitit të shkuar për prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët. Kapaciteti i instaluar për këto dhjetë projekte kap një total prej rreth 104 MË në total, ndërkohë që nga nisja e dhënies së licencave për këto subjekte kapaciteti i instaluar i subjekteve që kanë sot një licencë është 354 MW.

Prej vitit 2014 që është dhënë licenca e parë, konkretisht për ujësjellësin e Korçës e deri më sot janë dhënë 37 licenca për këtë kategori prodhuesish atje. Në fakt nxitjen reale sektori e mori pas miratimit të ligjit për burimet e rinovueshme në vitin 2017 çka më pas solli dhënien e disa licencave gjatë vitit 2018.

Tashmë në Shqipëri, të licencuar dhe në faza të ndryshme nga komisionimi tek prodhimi ka edhe projekte më të mëdha siç është Karavastaja apo projekte në Ersekë e Fier. Interesi për fotovolkatikët vijon të mbetet i lartë teksa vetëm pak ditë më parë në MIE u paraqitën gjashtë aplikime për impiante fotovoltaikë me kapacitet të instaluar që varion nga 25-60 MW dhe që në total përbëjnë 213 MW.

Në këtë mënyrë, siç po shihet, edhe Kosova ka vizione, projekte ideore dhe të vijëzuara në dokumente zhvillimore të energjisë së rinovueshme, ka edhe shumë premtime edhe zyrtare, por nuk ka vepra, nuk ka kapacitete të ndërtuara e as të instaluara të energjisë alternative, pos kompleksit të turbinave në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe numrit modest të turbinave të njëjta në Kitkë të Kamenicës. Ndërsa, Shqipëria, e cila deri tash të gjitha kapacitetet elektroenergjetike, qind për qind të tyre i ka të bazuara në burime të ripërtëritshme (hidrocentralet), vrullshëm është orientuar kah prodhimi i energjisë nga fotovoltaikët. Po kështu më shpejtësi po ndërton kapacitete imponuese solare.

Ndoshta kthimi i vëmendjes kah domosdoja e ngritjes së kapaciteteve të reja të energjisë së gjelbër, të dëshmuara me këto dy-tre veprimet zyrtare, më në fund do të bëjnë që edhe Kosova të ketë kapacitetet e synuara të energjisë së rinovueshme në vitet në vijim. /Buletini Ekonomik/