Vizionet dhe premtimet për energjinë e rinovueshme të Qeverisë – “po i merr era”

Në shumë raste të promovimit të energjisë së ripërtëritshme, zyrtarët aktual apostrofuan numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, ndërsa ministrja Artane Rizvanolli përcakoi edhe afate, duke përmendur vite konkrete që janë goxha të afërta për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme. Ndërsa, dekarbonizimi i Kosovës si objektiv strategjik, nëpërmjet vizioneve, synimeve dhe premtimeve u dominua edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031. Në çdo rast, në takime të shumta të promovimit të Strategjisë, por edhe në takime të tjera të brendshme dhe të jashtme, Rizvanolli deklarohej pa ngurrim (gjatë tërë vitit 2021) se Kosova në tri vjetët e ardhshëm, ose deri më 2025, do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore. Tani, kur kanë mbetur edhe 11 muaj deri më 2025, asnjë kapacitet i energjisë së ripërtëritshme nuk ka nisur së ndërtuari.

Mehmet GJATA

Që në fillim të nisjes së mandatit ministror në Qeverinë aktuale, Artane Rizvanolli, politikëbërësja dhe vendimmarrësja më kompetente për zhvillimet energjetike, ishte deklaruar qartazi dhe në shumë raste decidivisht se objektivi strategjik dhe thuaja i vetëm në sektorin energjetik është dhe do të jetë dekarbonizimi i Kosovës. Ajo dhe ekipi i saj ngulmuan në dëshirën dhe vullnetin për të pasur kapacitete prodhuese për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme.

Në shumë raste të promovimit të energjisë së ripërtëritshme, apostrofoi numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe përcakoi afate, duke përmendur vite konkrete që janë goxha të afërta për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e rinovueshme. Ndërsa, dekarbonizimi i Kosovës si objektiv strategjik, nëpërmjet vizioneve, synimeve dhe premtimeve u dominua edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031.

Reklama e sponzorizuar

Në çdo rast, në takime të shumta të promovimit të Strategjisë, por edhe në takime të tjera të brendshme dhe të jashtme, Rizvanolli deklarohej pa ngurrim (gjatë tërë vitit 2021) se Kosova në tri vjetët e ardhshëm do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”.

Ajo ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijmë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore.

Të përkujtojmë se qeveria aktuale gjeti, praktikisht, të ndërtuara dy kapacitete të energjisë së rinovueshme –atë të Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MË dhe disa vende të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës. Ndërkohë, në muajt e mëpastajmë gjatë vitit 2021, 2022, por edhe më 2023, ministrja Artane Rizvanolli kishte shpalosur edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara, siç tha ajo, nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur.

Ndër të tjera, ajo kishte paralajmëruar se “integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krjuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike”.

Shumë ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.

Se këto parashikime, gjithsesi, ishin synime ambicioze dhe thuaja të parealizueshme për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht dhe të papërvojë në ngritjen e termocentraleve në bazë të energjisë së ripërtëritshme (të erës dhe sidomos të asaj solare), dëshmuan vitet që ecën shpejtë dhe afatet për kapacitete të reja të energjisë elektrike të gjelbër, të cilat kanë arritur ‘te dera’, por që nuk janë “kurrkund”, madje as që kanë nisur ndonjëri prej tyre. Pikë së pari , edhe pse realizimi i parashikimeve të përfshira edhe në dokumente zyrtare zhvillimore, ndër to edhe në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022-2031 nuk do të duhej të ishte i pamundur, megjithë sfidat e panumërta, që tani mund konstatohet lirshëm se ka dështuar parashikimi se “deri më 2025 do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, ose dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”.

Kanë dështuar së përmbushuri këto parashikime, sepse, sot e kësaj dite, kur deri më 2025 kanë mbetur edhe 11 muaj, ende nuk ka nisur së ndërtuari asnjë kapacitet energjetik solar i premtuar. Sepse, edhe po të nisej sot së ndërtuari, ta zëmë një sish, siç u përfol, ta zëmë, impianti 100 megavatësh për të ndërtuar në kompleksin elektroenegjetik të Kosovës, më saktësisht në kodrat e krijuara nga hiri i termocentraleve, ai vështirë të realizohet para dy – tre vjetësh, për shkak të kompleksitetit të tij dhe ndërlikueshëm, që imponojnë makineritë dhe stabilementet për këso kapacitetesh.

Ndërsa, siç dihet, projekti i inicuar dhe i bërë publik që para dy vjetësh thuaja, dhe për të cilin tani nuk dihet fare se kur dhe a do të fillojë së ndërtuari ndonjëherë, vlerësohej atëbotë si një nismë e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme, dhe për këtë iniciativë nga ana e KEK-ut ishin dërguar propozime konkrete në Ministrinë e Ekonomisë.

Gjithsesi edhe projekti i paralajmëruar shumë muaj më parë për ngrohje qendrore të një pjese të kryeqytetit me energji solare, po kështu vlerësohej se do të ishte një nismë e mirë dhe e shpejtë e startit të suksesshëm për përmbushjen e synimeve. Do të ishte, pra një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Por edhe ky projekt po vonohet pafundësisht, edhe pse për realizimin e tij janë nënshkruar disa marrëveshje deri tani.

Kryeministri Kurti, për këtë projekt deklaronte se “ka filluar puna në realizimin e projektit 80 milionësh për Ngrohje Qëndrore me panele solare, përmes së cilit do të ulim konsumin e rrymës për ngrohje dhe do të kujdesemi për ambient të pastër”.

“Zgjidhja jonë na siguron se në të ardhmen do të kemi më shumë prodhim, sidomos nga burime të ripërtërishme, dhe më pak shpenzim të rrymës. Rrjedhimisht siguri energjetike më të lartë, dhe pavarësi më të madhe nga importi”, kishte thënë Kurti, madje jo një herë.

Ndërsa ministrja Rizvanolli i atribuonte merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 megavatësh në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese.

“Projekti i impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.

Por, Artane Rizvanolli, as autoritet e tjera tani nuk kanë shumë fjalë për të folur për vonesat evidente në përmbushjen e premtimeve dhe as që flitet çka do të bëhet me ndërtimin e parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu. Ndërsa, ndërtimi i parkut solar në KEK, i cili do të ketë kapacitet 100 MË, dhe do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro, ende as që dihet kur do të nis.

Për të, siç njoftojnë burime brenda KEK-ut, nuk është bërë akoma përgatitja e dosjes së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjen e punëkryesit të këtij parku solar. Kurse, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti i ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët, deri më tash vetëm sa kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte.

Duhet thënë se në Kosovë ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është bërë ndonjë punë për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke bërë real dhe evident një ndryshim dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, por të cilat, siç dihet, po qëndrojnë në stoqe dhe të pashfrytëzuara me muaj e vite, edhe pse janë të dedikuara për investime kapitale, tani del të jetë i pakuptueshëm por edhe i diskutueshëm edhe shtyrja disa herë me radhë (sipas INDEP-it 4 herë ) e procesit të ankandit të parë solar në Kosovë.

Sipas INDEP-it, ankandi i parë solar, jo vetëm që është vonuar e stërvonuar por edhe prej se është nisur ta bëj, Qeveria ka ndryshuar afatet për katër herë. Fillimisht u caktua për 15 gusht 2023, më pas u zhvendos në 30 shtator 2023 dhe së fundi në 16 tetor 2023. Tani, kemi parë në Portalin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë së Kosovës se data shtyhet më tej deri në 31 janar 2024.

“Këto vonesa të përsëritura paraqesin pikëpyetje të rëndësishme, jo vetëm për ne, por çka është më e rëndësishmja për kompanitë ofertuese, investitorët potencialë dhe qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin përparimin në iniciativat për energjinë e pastër e të gjelbër. Qartësia dhe qëndrueshmëria janë thelbësore për ndërtimin e besimit në klimën e investimeve!”, thuhet në reagimin e INDEP-it.

Siç dihet, njoftimi për ankandin me energji solare fotovoltaike me kapacitet prej 100 MË ishte bërë në një konferencë për media me datë 12 maj 2023, nga vetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ministrja e Ekonomisë së Republikës së Kosovës dhe Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Ndërsa, sipas analistëve, vrojtuesve dhe insitucioneve të ndryshme joqeveritare, ndër to edhe të Institutit GAP, për këto vite të Qeverisë Kurti 2 “nuk ka asnjë investim serioz në sektorin e energjisë”. Këto janë, pak a shumë, zhvillimet rreth përmbushjes së premtimeve për të pasur energji të rinovueshme në vendin tonë. Dhe këto zhvillime, as sivjet, as në disa vite në vazhdim nuk janë premtuese dhe bindëse se Kosova nuk do të përballet me “mënyrat më brutale të brishtësisë energjetike”. Ndërsa, Kosovës, para se gjithash i duhet të ketë energji elektrike të bollshme për funksionim normal të shtetit. /Buletini Ekonomik/