ARKEP-i zvarritë ndryshimin e rregullores që favorizon operatorët kabllorë

Megjithë kalimin e rreth 5 javë e më shumë qëkur ARKEP publikisht është deklaruar se “së shpejti do të gjendet një zgjidhje”, nuk ka ndodhur asgjë rreth ndryshimit të Rregullores e cila vazhdon t’ua ndalojë klientëve shkëputjen e parakohshme të kontratave me operatorët kabllorë, pavarësisht paknaqësisë së madhe të tyre me kabllorët (Artmotin dhe Kujtesa), për shkak të heqjes së DigitAlbi-t nga platformat e tyre kabllovike. Ndërsa, klientelës dhjetëra mijëshe nuk u lejohet prishja e kontratave, as ndërrimi i tyre me pako që kushtojnë më lirë. Ata vazhdojnë të paguajnë për kanalet e kontraktuara, të cilat nga 1 janari 2024 janë inekzistente.

Mehmet GJATA

Po bëhen rreth 5 javë e më shumë qëkur Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka konfirmuar për Buletinin Ekonomik se janë në fazën e diskutimeve përfundimtare me Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) rreth ndryshimit të Rregullores e cila aktualisht ua ndalon klientëve shkëputjen e parakohshme të kontratave me operatorët kabllorë.

“Siç ju kemi informuar edhe në komunikimet më parë, me qëllim të adresimit sa më të shpejtë të kësaj çështje, dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të përshtatshme për konsumatorët, ARKEP ka realizuar disa takime me përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Institucion ky përgjegjës për shërbimet audio-vizuele, për të rregulluar edhe më tej çështjen e kontratave të konsumatorëve me ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes. Prandaj aktualisht jemi në fazën e diskutimeve me KPM dhe në momentin kur ne do të finalizojmë draftin dhe pas procesit te miratimit të saj, ju dhe publiku i gjerë do të informohet me kohë”, thuhej para më shumë se 5 javësh në përgjigjet e ARKEP-it.

Reklama e sponzorizuar

Megjithë kalimin e gjithë kësaj kohe, nuk ka ndodhur asgjë rreth ndryshimit të Rregullores e cila vazhdon t’ua ndalojë klientëve shkëputjen e parakohshme të kontratave me operatorët kabllorë, pavarësisht pakënaqësisë së madhe të tyre me kabllorët (Artmotion dhe Kujtesa), për shkak të heqjes së DigitAlbi-t nga platformat e tyre kabllovike. ARKEP, pokështu vazhdon të heshtë, të mos tregojë asnjë arsye të vetme për gjithë këtë zvarritje për ndryshimin e një rregullorjeje kaq të thjeshtë, vazhdon ta mistifikojë atë sikur kjo rregullore të ishte ndonjë Kushtetutë apo ligj më rëndësi të veçantë dhe vendimtare për zhvillimet shtetërore dhe ta bëjë gjithë procesin e ndryshimit të premtuar për ta realizuar së shpejti, të ndërlikuar, të komplikuar, të paqartë, tabu dhe siç është duke u zvarritur ndryshimi i kësaj rregulloreje – ta bëjë praktikisht të parealizueshme ndonjëherë. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet gjithë kjo kohë për të bërë ndryshimet e proklamuara publikisht se do të “bëhen së shpejti”.

Duhet ripërsëritur se krijimi i mundësive për konsumatorët për të ndryshuar kontratat në rast të mosrespektimit të tyre nga ofruesit e shërbimeve të kabllorëve, nuk janë ndryshime tepër të mëdha dhe që nevojitet kohë shumë e madhe për t’i bërë ato. Aq më parë që ARKEP-i që para disa javësh konfirmonte se kanë përgatitur Rregulloren e re për Kontratat, Transparencën, publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundor të shërbimeve të komunikimeve elektronike, e cila ka kaluar procedurën e konsultimit publik dhe pritet të miratohet së shpejti.

ARKEP thotë se “përmes kësaj Rregulloreje kanë dhënë një propozim konkret edhe për kontratat e kombinuara dhe se janë në proces të koordinimit me KPM në aspekt të harmonizimit të akteve/rregulloreve të dy Autoriteteve, duke u mbështetur në kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse”. Dhe, tani më nuk dihet për fatin e kësaj rregulloreje të konfirmuar nga ARKEP. Çka u bë me të, pse kjo rregullore e përgatitur e cila “ka kaluar procedurën e konsultimit publik dhe pritej të miratohet së shpejti” tani e sa javë po heshtet? Dhe pse nuk po u bëhet e mundshme klientelës numerikisht të shumtë të Artmotion dhe të Kujtesës të kenë kanalet televizive, të paguara për to, ose të shkëputin apo të ndryshojnë kontratat e “shelura” katërcipërisht nga kabllorët e akcpetuar?

Sipas KPM-së, disa nga shkeljet e këtyre kabllorëve përfshijnë: mosnjoftimin e klientëve 30 ditë më herët për ndryshimin e përmbajtjes programore; mosofrimin e listës së kanaleve bashkë me kontratë për klientët; dhe mosnjoftimin e KPM-së për ndryshim në katalogun e programeve televizive. Të gjitha këto fakte për shkeljen e kontratave të kabllorëve me klientët, tashmë janë të njohura për publikun edhe nga seria e teksteve hulumtuese të botuara ditë më parë te Buletini Ekonomik.

Ndërkohë, njohës të zhvillimeve në këtë sektor, në kushte anonimiteti, madje kanë thënë se po të ekzistonte vendosmëria, vullneti profesionist dhe përgjegjësia ndaj misionit i përgjegjësve të ARKEP-it, që detyrën parësore duhet ta ketë rregullativën, mbikëqyrjen e jetësimit të rregullativave në sektorin e komunikimeve elektronike dhe postare nga ana e kompanive që i përgjigjen këtij autoriteti (prandaj emërtimi i tij është Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), kjo punë mund të bëhej brenda javës. Por, ARKEP, pa i shpjeguar asnjë herë deri më tash shkaqet dhe arsyet, po e vonon pafundësisht obligimin e konfirmuar nga vetë ata për të bërë ndryshimet në rregulloren, me çka do t’u bëhej e mundshme klientelës (dhjetëra mijëa kosovarëve) që të shkëpusin kontratat, ose të ndryshojnë ato me ndërrim të pakove kontraktuese pas heqjes së Digitalbi-t.

Sipas disa të dhënave, numri i klientëve të këtyre operatorëve që kanë lidhur kontrata për shfrytëzimin e kanaleve të DigitAlb-it në kuadrin e numrit të përgjithshëm të klientëve, është pa diskutim shumë i madh, dhe sipas të dhënave që kalkulojnë njohësit e ecurive të kabllorëve në Kosovë, është diku te 60-70 përqindëshi. Në këtë mënyrë, ARKEP-i vazhdon t’u mbetet borxh këtyre klientëve, numerikisht të shumtë, për pamundësinë e shkëputjes së kontratave para kohe nga kabllorët, edhe pse ndryshimet në platformë ishin bërë pa paralajmërim.

Deri kur do të vazhdojë kjo amulli dhe zvarritje e ARKEP-it për të përmbushur premtimin e konfirmuar publikisht, mbetet të shihet. Ndërsa, operatorët kabllorë, Kujtesa dhe Artmotion, ndër më të njofurit në Kosovë, së paku për nga përfshirja numerike e kanaleve të ndryshme televizive vendore dhe të huaja, që nga 1 janari, vazhdojnë të kenë sjellje të njëanshme ndaj klientelës dhe pa asnjë paralajmërim paraprak, kanë guximin të heqin numër të madh kanalesh televizive, siç janë të gjitha kanalet e SuperSportit nga Shqipëria (7 kanale), Supersportit të Kosovës (3-4 kanale), të gjitha kanalet e TV Klanit të Shqipërisë dhe TOP CHANNEL-in, kanale këto që kanë funksionuar në kuadër të Digitalb-it. Dhe, klientelës dhjetëra mijëshe të rezignuar nga këto veprime, nuk u lejohet prishja e kontratave, as ndërrimi i tyre me pako që kushtojnë më lirë. Ata vazhdojnë të paguajnë për kanalet e kontraktuara, të cilat nga 1 janari 2024 janë inekzistente.

Gjithesi, tashmë duhet ta thonë ndonjë fjalë rreth këtij pshtjellimi kaotik edhe institicionet inspektuese dhe të auditimit për të sqaruar një herë e mirë prej nga gjithë ky guxim i dy operatorëve kabllorë për të bërë gjithë këtë “lojë’ skandaloze me konsumatorët, por edhe i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zvarritjen e pakuptimtë të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve që i përkasin dhe për çka paguhen nga taksat e kosovarëve, edhe të atyre të nëpërkëmbur kaq fortë. /Buletini Ekonomik/