Bursat në nivelin më të lartë që nga 2022 – Paralajmërimet e BQE dhe Bankës së Anglisë kufizojnë fitimet

Shumica e bursave europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, dhe pritet të mbyllin pozitivisht një javë të mbushur me lajme mbi politikat monetare. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me 0.4%, ndërsa sektori minerar dhe ai i automjeteve kryesojnë fitimet, në rritje me 1.8%. Ky indeks u rrit me 0.9% në sesionin e kaluar dhe preku nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2022.

Të mërkurën, Rezerva Federale në SHBA mbajti të pandryshuar normat e interesit në intervalin midis 5.25% dhe 5.5%, por ndjenja e rrezikut në tregje u rrit pasi banka qendrore njoftoi se politikëbërësit po synonin të paktën tre ulje të normave të interesit vitin e ardhshëm. Analistët parashikonin të paktën 4 ulje ose 1 pikë të plotë përqindje.

Të enjten, si Banka Qendrore Evropiane ashtu edhe Banka e Anglisë mbajtën gjithashtu të pandryshuara normat e interesit, por paralajmëruan ndaj pritshmërive të tregut për uljen e interesave, duke ruajtur udhëzimet se politika monetare “ka të ngjarë të jetë kufizuese për një periudhë më të gjatë”. Krahas vendimeve të saj, Banka Qendrore Europiane rishikoi në ulje parashikimet e rritjes ekonomike dhe inflacionit për Eurozonën dhe njoftoi planet për të përshpejtuar tkurrjen e blerjes së obligacioneve, një program që filloi gjatë pandemisë së Covid-19. /Scan tv/

Reklama e sponzorizuar