Gastronomët: Po ikin kamarierët nga Kosova, Qeveria t’i subvencionojë bizneset

Viti 2024 nisi për qytetarët kosovar me lëvizjen e lirë pa viza në vendet e Bashkimi Evropian. Numri i madh i udhëtarëve që është shënuar gjatë janarit, i ka frikësuar bizneset kosovare. Fluksi i madh i qytetarëve për në perëndim, pritet të sjellë edhe ikje të fuqisë punëtore. Kështu po thotë Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve.

“Mungesa e punëtorëve po vërehet në sektorin e gastronomisë dhe atë të ndërtimit në këto dyja ka më së shumti lëvizje të punëtorëve sepse të gjithë e kanë pritë këtë derë të hapët dhe me i vizituar vendet e huaja dhe me i shqyrtuar mundësitë e punësimit. Është krijuar edhe lehtësimi i procedurave të punësimit në zonën Schengen”, tha Vranica.

Vranica thotë se punëtorët ka mundësi mos të kthehen më pas pushimit pa pagesë.

Reklama e sponzorizuar

“Punëtorët po marrin edhe pushime pa pagesë dhe vjetore diku prej 10 deri 20 mijë sillet numri i lëvizjeve të punëtorëve jo vetëm në sektorin e gastronomisë por nga të gjitha sektorët janë duke i shqyrtuar mundësitë ata pushim marrin por mundën edhe mos me u kthyer më në situatën që jemi”, u shpreh Vranica për Front Online.

Paga mesatare në gastronomi është 350 euro, por aspak e mjaftueshme krahas inflacionit.

Vranica ka kërkuar që Qeveria t’i subvencionojë bizneset.

“350 euro është paga mesatare, ka një rritje, por duhet ta kemi parasysh që niveli i inflacionit është shumë i lartë, produktet esenciale janë shtrenjtë përkundrazi pagat që janë rritë nuk mjaftojnë. Duhet shteti t’i shfrytëzoj mekanizmat e tij me inspektorin e punës, tregut të bëjë masa të caktuara ekonomike me i subvencionu bizneset, nuk ka asnjë hap nuk ka strategji të mirëfilltë”, deklaroi Vranica.